Nga Mal Berisha
Jemi mësuar që poezinë tua lëmë si “monopol” vetëm disa poetëve tanimë të njohur. Duket sikur ata edhe kur nuk jetojnë më, përsëri janë po ata që mbajnë “flamurin” e të qenit poetë. Madje ndodh shpesh që, edhe pse poezitë e tyre janë aq tendencioze politikisht, ato vazhdojnë të ri-ciklohen e ri-ciklohen për të mbajtur gjallë një rrymë artistike, tashmë të njohur si e dështuar.
Duke rendur pas emrave të “mëdhenj” të poezisë shpesh harrohen emra të cilët edhe pse nuk kumbojnë me jehonë aq të madhe, përsëri i japin poezisë së sotme një freski dhe bukuri që i shkon për shtat kohës dhe tematikës që jetojmë.
Fjala është për Rudina Muharremi – Bejën, një vajzë nga Ishmi i Durrësit, ose nga Ishmi i artistit të madh shqiptar Ibrahim Kodra. Për më tepër ajo është e bija e një ishmaku me emër të madh prej humanisti, doktorit të dashur të atyre anëve, që i kushtoi jetën dhe profesionin e tij banorëve të zonave rurale.
Rudina jeton dhe krijon në Itali.
Ajo ka botuar plot 12 libra me poezi dhe vazhdon të krijojë, interpretojë vetë dhe të shpërndajë një poezi krejt të veçantë dhe të këndshme, plot me dashuri për vendlindjen, jetën, natyrën, njeriun, artin dhe kulturën.
Në poezinë e Rudinës spikat më së pari ndjenja e mallit dhe dashurisë për vendlindjen. Aq e fortë është kjo ndjenjë sa të duket sikur kjo vajzë është larguar drejt Italisë që në kohën e arbëreshëve dhe e sheh prej matanë detit Adriatik, vendin e saj, i cili i mungon aq shumë. Është interesante të shohësh me vemëndje sesi kjo duket sikur e ka humbur atdheun përgjithmonë dhe se, edhe pse në kushtet e një lirie të plotë të lëvizjes dhe komunikimit të sotshëm, ajo prapë ndjen se sa larg është me vendin e saj të dashur. Ja si shprehet ajo për Ishmin e saj të fëmijërisë:
“Atje, përtej botës shtrihesh kryeneçe
Ti, Makonda ime,
mes lumit dhe detit,
mes legjendës,
magjepsjes e të vërtetës.
Makonda ime! Vendlindja ime!”
Në poezinë e Rudinës ne gjejmë elementë shumë të bukur që janë në fakt nixtëse të poetëve ose muza e përherëshme. Natyra e bukur, lulet, ndjenja e mallit për fëmijërinë, për njerëzit e dashur…
Më pas ajo vjen tek temat e bukura të dashurisë dhe ndjenjave të pastra që e mrekullojnë dhe e pasurojnë jetën e njeriut: Dashuria e bijës, e nënës, e vajzës, e prindit, e mikeshës, gjëndet si një fill i bukur që përshkon poezitë e Rudinës.
Një ndër veçantitë e poetes Rudina Muharremi – Beja, është dëshira e saj për t’i interpretuar vetë poezitë e saj. Inçizimet e poezive të saj në audio të shoqëruara edhe me video e bëjnë atë shumë më të dashur për lexuesin. Aty ajo në fakt dëshmon edhe aftësi të vërteta aktoriale interpetuese ku kombinohet zëri i bukur, artikulimi i saktë, theksi mbi pjesët dhe figurat më të rëndësishme të poezive të saj.
Një poezi e tillë e krijuar në mërgim, është po aq e mirëpritur sa ç’ishin dukur poezitë e atyre që kultivuan gjuhën shqipe atje, matanë detit, në mërgim, nga gjaku i shprishur i arbërit.
Falemnderit Rudina Muharremi – Beja.
Mal Berisha