Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj – Dy fjalë përgëzuese për librin
“Malet e Gjigantëve” përkthyer nga Mal Berisha
(Carleton S. Coon “Malet e Gjigantëve”-Studim racor dhe kulturor kushtuar Gegëve të Shqipërisë së Veriut”, përkthyer nga mal Berisha, Botime “EDUALBA”, 2024).
Do ta filloja fjalën time me një thënie të hershme latine:”Amicus, dieu queritur, vix invenitur, difficilimum servatur” dhe, duke u mbështetur në atë përmbajtje, që mikun e kërkon për shumë kohë, mezi e gjen, po edhe me shumë vështirësi e ruan, krejt natyrshëm më vjen në mendje të them se Mal Berisha, përpos veprimtarive e librave të shumtë që ka shkruar vetë (dhe atyre që i ka përkthyer me aq përkushtim nga anglishtja), që të gjithë ia dimë e i janë përmendur në mënyrë metritore edhe nga studiuesit, kritika dhe janë pëlqyer nga lexuesit, meriton si rrallëkush tjetër, edhe cilësimin Mik, po me shkronjë të madhe.
Në veprat e ndihmesat e tij të shumta, të shumënduershme e cilësore, zoti Mal Berisha, ka shfaqur, ruajtur e lartësuar me përkushtim miqësinë e shqiptarëve në tërësi e të malësorëve shqiptarë të anëve të Veriut në veçanti. Se, edhe jemi që të dy nga krahina fqinje të Malësisë, ai nga Malësia e Gjakovës e unë nga Malësia e Madhe, ku është zbatuar më dukshëm se kudo tjetër vlerësimi se “Miku është i shenjtë” dhe se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Malësia ka ditur t’i presë e t’i nderojë miqtë, sidomos ata të ardhur nga larg, nga qytetet e Evropës e nga Amerika e largët, u kanë çelur shtëpinë e u kanë shtruar bujarisht sofrën dhe ata, natyrisht, kanë mbetur të mahnitur e të lidhur shpirtërisht me ato kujtime e përjetime të udhëtimeve të tyre studimore në malësitë tona. Dhe, natyrisht, si personalitete të kulturës e shkencave përkatëse kanë shkrur artikuj e libra të vyer e me shumë rëndësi për njohjen e Shqipërisë e të shqiptarëve. Dhe ata, pa dyshim, kanë merituar e meritojnë gjithmonë edhe mirënjohje e respekt për sa kanë shkruar e kontribuar për traditat e vlerat etnokulturore e njerëzore të shqiptarëve
Zoti Mal Berisha, duke e mbajtur në zemër e në mendje atë qerthull të vyeshëm porosish e urtakesh për mikun, mikun e kresë (kështu quhet në malësi ai që ia japim (apo ia marrim) bijën për nuse), për miqasinë e miradinat e saj, ka rezultuar të jetë pikërisht ashtu: një mik i mirë, mik i denjë e i përkushtuar i miqve të Shqipërisë, të shqiptarëve e të shqiptarisë, duke i kërkuar veprat e librat e tyre e duke gjetur edhe kohën për t’i përkthyer e botuar në gjuhën shqipe, duke na bërë të ditur, qoftë edhe me vonesë, sepse disa prej tyre nuk janë më midis së gjallësh, madje edhe mund të kenë shkuar zemërplastë se nuk ua ka ditur e vlerësuar kush punën, mundin e shpenzimet që kanë bërë për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve; ka nxjerrë në dritë shumëçka që miqtë e dashamirët e Shqipërisë e të shqiptarisë kanë bërë me zemër të gjerë e bujari të pakundshoqe. Ashtu si mjeshtrat e argjendarisë, që dinë t’ua heqin ndryshkun e t’ua sjellin shkëlzimin “rrgjateve” të moçme, edhe shkrimtari e përkthyesi ynë i pasionuar, Mal Berisha, ka bërë të njohur një yjësi burrash e grash, personalitete me zë të madh, nga vende të ndryshme të Evropës e të Amerikës, që ishin miq e dashmairë të Shqipërisë dhe që është në nderin tonë si popull, si komb e si shtet, jo vetëm t’i njohim, po edhe t’u blatojmë nderimin e respektin që meritojnë. Dhe është fjala për emra të tillë, të mëdhenj e të nderuar, si Edith Pierpont Stickney, Charles Telford Erickson, National Geographic Magazine, Herman Bernstein, Benjamin Disraeli, Sir Noel Malkolm. Dhe, së mbrami, përkthimin e botimin e librit “Malet e Gjigantëve”, që sapo na e dhuroi së fundmi e që, me ngenë e zellin e duhur, le ta lexojmë e të mësojmë shumëçka që është mirë ta dimë e t’ua themi edhe bijve e bijave në shtëpitë tona. “Shpresoj që ky libër të ndriçojë shumë mendje, të huaja dhe shqiptare, mbi rëndësinë dhe vlerat e Gegëve të malësisë së Veriut, në ruajtjen e trashëgimisë dhe pranisë së pastër të racës Iliro-Shqiptare në trojet toona.” Pra, mund të thuhet pa drojë se veprat e Mal Berishës kanë një bosht e motiv të përhershëm: Ndriçimin e kontributit të anglo-amerikanëve në njohjen e vlerave më të shquara të kombit shqiptar.
Dhe, duke e shfletuar me përkëdheli këtë libër të botuar aq hijshëm, lexuesi gjen aty, së pari, një përnjohje me Dr. Carleton S. Coon, duke sjellë të dhëna për jetën e veprat e tij, si personalitet i diplomuar në Universitetin e Harward-it, profesor i antropologjisë në Harvard dhe për një kohë të gjatë edhe President i Shoqatës së Antropologëve të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1948, ai u bë kujdestar (kurator) i etnologjisë në Muzeun e Universitet të Pensilvanisë dhe njëherazi profesor në atë universitet. Në atë hyrje, të thukët e të qartë, theksohet se Dr. Coon ka qenë dhe shumë i rëndësishëm për ne shqiptarët, pasi përveç veprave të tij të vyera, ai ka shkruar dhe librin “Malet e Gjigantëve”, një studim racor dhe kulturor kushtuar Gegëve të Shqipërisë së Veriut. Ai është i pari dhe pothujase i vetmi antropolog deri sot që ka ndërmarrë një ekspeditë kaq të gjatë në kohë, në vitet 1929-1930, po dhe kaq të shtrirë në hapësirën e Maleve të Gegnisë. Ai ka jetuar në mjediset e Shqipërisë së Veriut dhe i ka matur trupat e shqiptarëve me dorën e tij, i ka analizuar të dhënat dhe ka argumentuar mbijetesën Iliro-Dardane-Dinarike të shqiptarve Gegë në veri të Shqipërisë. ”Si antropolog i pavarur, ai dha mendimin e tij pa asnjë ndikim ideologjik. Studime të ngjashme të kryera nga antropologët shqiptarë gjatë viteve të diktaturës nuk kanë mundur ta përmendin emrin dhe veprën e Prof. Coon-it në punimet e tyre. Studimi i matjeve antropologjike të 1.067 shqiptarëve, i realizuar nga Prof.Coon,as nuk është sfiduar dhe as nuk është përsëritur më që nga viti 1930, në formë, në masë apo dhe shtrirje të tillë”.(f.7)
Në përurimin e këtij libri u tubuan shumë njerëz të dijes e të letrave dhe personalite të shquara jo vetëm të shkrimtarisë e të kulturës, por edhe të biznesit e të politikës, miq e dashmirë të autorit. Ndaj ishte nder të isha i pranishëm, po është edhe mjaft e vështirë të shprehësh atë që i takon autorit, po edhe auditorit kaq të respketueshëm.
Në Malësinë e Madhe ka një shprehje të bukur që thotë: “Ashtë kollaj me kënaqë të untin, por është shumë vështirë me e kënaq të ngishmin.” Se, edhe për të folur për Mal Berishën, në një mjedis tjetër, më pak të lidhur me shkrimet e botimet cilësore, mund të flitet lehtë, duke pëmendur çfarë i është thënë deri më sot nga studiuesit e kritika, si dhe duke rreshtuar titujt e një mali me libra që ka shkruar, përkthyer e botuar, në vargun e të cilëve, me një paraqitje grafike e veshje tipografike aq të bukur, marrim në dorë edhe dhuratën e rradhës, librin e Carleton S. Coon-it të përkthyer ashtu si e ka në thua Mal Berisha. Mirë, krejt mirë dhe me një shqipe që nuk lë shteg për asnjë qortim.
Mirëpo këto fjalë i dinë të gjithë, po edhe mund t’i thoshin edhe më bukur e më mirë se unë. Më duhej një gjë e veçantë. E, në kërkim të asaj të veçante, po them vetëm faktin se Mal Berisha shkruan bukur, përkthen mirë, madje shumë mirë, duke ua kaluar edhe përkthyesve profesionistë dhe, për të gjitha botimet e tij, edhe pse e zotëron shumë mirë normën letrare të standardit e pasurinë e leksikut e të frazeologjisë së shqipes, është nga të paktët që më pyet. Dhe, për hir të së vërtetës, jemi bërë miq pikërisht se ai, qysh në fillesat e njohjes sonë, kur ai ka qenë student në Universitetin e Arteve dhe unë pedagog jashtëm i lëndës “Kulturë gjuhe”, dallohej për zellin e dëshirën për të hyrë sa më thellë edhe në njohjen e rregullave e normave të shqipes, më është drejtuar disa herë me pyetje për ndonjë “ngërç” drejtshkrimor. Pra, meqë edhe e fillova me fjalën mik e me vlerat e kësaj në “forma mentis” të shqiparëve e sidomos të malësorëve, po e mbyll duke e përgëzuar me gjithë shpirt mikun tim, Mal Berishën, me fjalët që ia kam ruajtur edhe për vepra të tjera: Ad maioram (latinisht) dhe shqip e shqiptarisht: Pirolla të qoftë?
Tiranë, 5 nëntor 2014.