Prof. Dr. Sali Berisha – Një vlerësim shkencor për librin “Malet e Gjigantëve” dhe K’cimin e Tropojës


FJALA E DR. SALI BERISHËS DREJTUAR PJESËMARRËSVE NË SALLËN E STUDIOS SË ARTIT ODR NË NEWARK – NEW JERSEY, SHBA, MË 09.01.2025



Një vlerësim shkencor për librin “Malet e Gjigantëve”.

Dr. Berisha: Ndjehem shumë i nderuar t’ju përshëndes sonte në këtë aktivitet vërtet të veçantë, për çka shfrytëzoj rastin t’ju përcjell juve, Mal Berisha, përgëzimet dhe urimet më të mira. Ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh nderimin tim për të gjithë të pranishmit në këtë takim të dedikuar vlerësimit të dy ngjarjeve të mëdha.

Publikimit të librit të mirënjohur të antropologut më të shquar të Shteteve të Bashkuara, ndoshta edhe të të gjitha kohërave, Prof. Carleton S. Coon, Malet e Gjigantëve. Ky libër, të cilin Mal Berisha e ka përkthyer me një dashuri dhe pasion të veçantë, do të thosha, me po aq përkushtim sa përkthyesit e mëdhenj të letrave.

Por, në të vërtetë, ky libër, më i miri që është shkruar ndonjëherë për racën shqiptare dhe për antropologjinë e malësorëve të Veriut, është një vepër jashtëzakonisht e veçantë. Carleton Coon, një gjeni i antropologjisë, i ka kushtuar një libër Racave të Evropës dhe një tjetër banorëve gjigantë të Maleve të Veriut.

Ky studiues i shquar, por edhe dashamirës i Kombit Shqiptar, së bashku me ekipin e tij në fushën e antropologjisë, ka realizuar matjet shkencore më të shumta dhe më të çmuara. Natyrisht, antropologjinë ai e studioi në lidhje me një tërësi tjetër doke, zakonesh, mënyrash jetese dhe virtytesh, të cilat e bëjnë librin e tij veprën më të plotë dhe studimin më gjithëpërfshirës në historinë e Kombit Shqiptar, të kushtuar racës shqiptare.



Profesor Carleton Coon, në një mendje edhe me të tjerë, vlerëson racën dinarike të Gjigantëve të Maleve si një nga racat më të bukura të njerëzimit. Libri i tij është produkt jo vetëm i mendimeve të Profesor Coon, por edhe i një serie studiuesish dhe mendimtarësh të mëdhenj të kombit shqiptar, duke filluar me Edith Durham, Margaret Hasluck, si dhe Fan Nolin, Qerim Panaritin dhe personalitete të tjera të shquara të letrave dhe kulturës shqiptare.

Është interesant titulli, Malet e Gjigantëve, sepse Carleton Coon këtë titull e bazon, së pari, në parametrat fizikë truporë të banorëve të Alpeve të Shqipërisë dhe të Bjeshkëve. Banorët e këtyre zonave, ata që i kanë njohur, i kanë parë, i kanë impresionuar shumë.

Ky libër ishte një përgjigje shkencore shumë e rëndësishme edhe ndaj baltës së madhe që historiografia, kryesisht sllave, kishte hedhur mbi shqiptarët dhe racën e tyre ndër shekuj.

Ky libër konfirmon, me një diapazon shumë më të gjerë, studimet e antropologut më të madh të kohës së tij, Rudolf Virchow. Gjatë Kongresit të Berlinit, ky gjeni i antropologjisë priti Paul Glowatzky, një gazetar shumë të njohur austriak.

Duke zbritur në shkallët e shtëpisë së tij, në të cilat rreshtoheshin kafka dhe skelete njerëzish, Virchow i thotë Paul Glowatzky: ‘Këto kohë të Kongresit kanë sjellë në Berlin shumë përfaqësues të kombeve të ndryshme, por këta këtu meritojnë vlerësimin më të lartë.’ Dhe i tregon tre kafka: ‘Këto kafka,’ thotë ai, ‘janë kafka të shqiptarëve të Veriut.

Një mik i juaji gazetar më solli njërën prej tyre. Për të përjashtuar mundësinë se mos ishte kafka e ndonjë ushtari të huaj, e dërgova në zonën ku ishte marrë, dhe ajo zonë ishte Dukagjini. Nga atje më sollën të tjera. Gazetari dhe ekipi që e shoqëronte më sollën disa të tjera. E pashë që ato ishin autoktone, të banorëve të asaj zone.

Dhe për Virchow-in, ato ishin më të madhërishmet. Libri është një homazh për gjigantët e maleve, të cilëve kombi u detyrohet, para së gjithash, ndërgjegjen apo djepin e ndërgjegjes kombëtare.

Flitet dhe është shkruar shumë për formimin e ndërgjegjes kombëtare të kombeve të ndryshme dhe për rilindjen e tyre. Në realitet, ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve, pavarësisht nga vlerësimi tradicional, nuk është krijuar nga librat, por nga pushka, nga hutat dhe nga gjigantët e maleve.

Në këtë kontekst, këta banorë, përveçse me trupin dhe shtatin e tyre, ishin gjigantë para së gjithash me shpirtin e tyre. Pas Kongresit të Berlinit dhe vendimeve për copëtimin e trojeve shqiptare, veçanërisht të Kosovës, shkëputjen e Plavës dhe Gucisë prej saj, si dhe të Hotit dhe Grudës nga Shqipëria, do të ishin banorët gjigantë të këtyre trevave ata që do të organizoheshin, në fakt, muaj më parë se sa të mblidhej Lidhja e Prizrenit.

Do të ishte pikërisht organizimi i tyre ai që nxiti dhe inkurajoi elitën e kohës të mblidhej në Lidhjen e Prizrenit, një lidhje që, pavarësisht se ishte një shoqatë, në fakt hodhi bazat e shtetit shqiptar.

Ishte gjaku i derdhur në Plavë, Guci dhe në zona të tjera, plazma nga e cila u krijua ndërgjegjja kombëtare. Natyrisht, librat e shkruar më vonë e pasuruan, e forcuan dhe e zhvilluan më tej, por ajo lindi nga gryka e pushkës, nga sakrifica e burrave dhe grave të atyre trevave. Profesor Stavri Skendi, në veprën e tij monumentale për nacionalizmin shqiptar, thekson se banorët e atyre zonave, për shekuj me radhë, jetuan pothuajse si shtete autonome.

Ndaj, për të mos u zgjatur më, dua edhe një herë të përgëzoj Mal Berishën, i cili, me aq përkushtim, dashuri dhe pasion, bëri që Prof. Carleton Coon të flasë shqip dhe të njihet gjerësisht nga shqiptarët.



K’cimi i Tropojës

Ky aktivitet i kushtohet edhe K’cimit të Tropojës, K’cimit të Malësisë së Gjakovës, i cili së fundi u pranua si trashëgimi kulturore botërore. K’cimi i çikave të Tropojës, më shumë, por edhe i djemve, është pa dyshim një nga k’cimet më të bukura të botës.

Kam qenë nxënës në shkollën shtatëvjeçare në Tropojë, kur një nxënëse e asaj shkolle, së bashku me katër shoqe të tjera, zunë vendin e parë me këtë k’cim në Festivalin Botëror Folklorik të Moskës.

(Duartrokitje dhe ovacione) K’cimi u përpunua nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve, por kulmin e tij e njohu nën kujdesin e Profesor Skënder Haklajt. Ndaj, unë dua të shpreh nderimin tim më të madh dhe mirënjohjen për punën e jashtëzakonshme që bëri Skënder Haklaj.

Me një dashuri të madhe për K’cimin e Tropojës dhe për Tropojën, ai arriti, bashkë me ekipin e k’cimtarëve, të bindte Forumin Botëror të Kulturës se ky k’cim ishte vërtet një trashëgimi e madhe e njerëzimit. Ndaj, edhe një herë, një përgëzim të madh!


Prof. Dr. Sali Berisha

9 Janar 2025