RILINDASI I “HARRUAR” SHABAN BLLOSHMI


Mal Berisha

Recension Libri nga Mal Berisha

RILINDASI I “HARRUAR” SHABAN BLLOSHMI

Libër i shkruar nga   prof. dr. Bardhyl Musai


“Platoni është miku im, Aristoteli është miku im, por miku im më i madh është e vërteta.”

Isak Njuton

Përpara pak kohësh doli nga shtypi libri: “SHABAN BLLOSHMI, Jeta dhe veprimtaria”, shkruar nga prof. dr. Bardhyl Musai. Që në kopertinë lexuesi përgatitet të shfletojë një libër i cili të merr me vete në një rrëfim që të kujton udhën e vështirë drejt mësimit dhe përhapjes së Gjuhës Shqipe në periudhën e errët të fundit të sundimit otoman në  Shqipëri dhe periudhës 17-vjeçare pas rënies së saj deri sa heroi i librit vritet në pabesi.

                        Epitafi i librit është:

“Djalit i puth sytë  për lirinë e Gjuhës Shqipe”.

Hyrje

Në kremtimet e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, në vitin 2008, kam patur nderin të merrja pjesë në atë festë dhe të dëgjoja për herë të parë emrin e rilindasit Shaban Blloshmi.

E prej atëherë, kurrë më nuk isha ndalur të mësoj se kush ishte ky njeri që jetën ia ka kushtuar çështjes kombëtare në tërë kompleksitetin e vet, që nga lufta për liri, mësimi i Gjuhës Shqipe, arsimimi, demokracia, përparimi…flijimi!  Dhe ja ku më kthehet ky emër nëpërmjet të një libri i cili të iluminon në çdo faqe të tij.

Dy fjalë për autorin e librit:

Prof dr. Bardhyl Musai, është një emër shumë i njohur për kontributin e tij në zhvillmin e arsimit demokratik në Shqipëri, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim Demokratik në Shqipëri. Si pedagog dhe konsulent i arsimit modern ai ka lënë gjurmët e tij në mbarëvajtjen e arsimit shqiptar pas viteve ’90 edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Kësaj radhe ai vjen me një libër i cili ndriçon jo vetëm një figurë që i kishte kushtuar jetën arsimit dhe patriotizmës shqiptare, por na zbulon të vërteta tronditëse duke na mësuar sesi sesi nuk duhet shkruar historia, sesi nuk duhet manipuluar ajo dhe sesi nuk duhet të vendoset e të mbivendoset e pavërteta historike në dëm të së vërtetës. Mësimi më i madh që na jep autori është:

“Historiani i çfarëdo kohe qoftë, përpara se të hedhë në publik një fakt historik duhet ta kontrollojë vërtetësinë e tij të paktën nga tre burime të ndryshme.”

Mesazhi i librit

Ta shfletosh këtë libër do thë thotë të mësosh disa të vërteta që na bëjnë shumë krenar për martirët e patriotizmës shqiptare. Por nga ana tjetër na bën të ndjehemi të brengosur sesi gënjeshtra, manipulimi, shmangia e të vërtetës deri tek  përfundimi tragjik i disa  martirëve nga duart e vetë shqiptarëve, në raste të caktuara edhe prej të afërmve të tyre, ka mbërritur deri tek mendja, dora dhe lapsi i atyre që e shkruajnë, e përsërisin ose e shumëfishojnë të pavërtetën historike.

Libri është sfidë ndaj  “Kulturës së sotme të Mohimit” (Cancel Culture)

Në kushtet kur “Kultura  e Mohimit” po zen vend gjithnjë e më shumë në jetën tonë, përshkrimi i historisë së një fshati apo zone, siç është Bërzeshta, vjen si sfidë dhe model i veçantë i asaj që duhet përkujtuar, nderuar dhe ruajtur. Në libër  menjëherë mëson se ku ndodhet ky fshat, që kur ekziston ai, çfarë lidhjesh kishte me rrethinën e saj deri në Librazhd, Strugë, Ohër, Korçë, Elbasan… e më tej; çfarë monumentesh historike ruan ai në brendësinë e tij; nga buron emri dhe origjina e banorëve; çfarë lidhje kishte me Aranitët dhe  me Gjorg Golemin e asaj familje të madhe? Aty mëson se çfarë vlerash ruan kështjella e atij fshati e quajtur “Maja e Murzeve”  dhe që prej sa kohësh e shekujsh emri i këtij fshati gjendet qoftë në dokumentat romake, veneciane, osmane apo vetë shqiptare…?

Më tej ne mësojmë se si djem të shquar të atij fshati studiuan në Stamboll siç ishte prof. Ibrahim Lutfi Muça, i martuar me motrën e dytë të vëllezërve Frashëri, kontribues në themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit të shkronjave Shqipe”. Po ashtu mëson për Halit Cakë – Bërzeshtën, një nga drejuesit e “Komitetit të Fshehtë të Manastirit”

Më tej mëson për Hajdar Blloshmin  i cili ishte profesor i gjuhës frënge në Kolegjin Robert, në Stamboll, e më pas mësues i normales së Elbasanit përkrah Luigj Gurakuqit, etj.

E për ta plotësuar pamjen e atij fshati, autori na sjell historikun e fisit “Blloshmi”, një mbiemër i cili gjëndet në Kongresin e Manastirit, në aktin final të Shpalljes së Pavarësisë, pjesëmarrës në Luftën e Parë Botërore, në Kongresin e Lushnjës, në Luftën e Vlorës dhe në Luftën e Dytë Botërore.  Edhe pse autori nuk e përmend në këtë libër, lexuesit nuk mund të mos i shkojë mendja edhe te djemtë e kësaj ane, martirët e demokracisë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.

Heroi i librit – Shaban Blloshmi

Shaban Blloshmi, vjen si një emër vijues i veprës së patriotëve dhe intelektualëve që ka nxjerrë fshati Bërzeshtë.

I lindur në atë fshat në vitin 1882, ai mbaroi  shkollën në Ohër dhe më pas në Stamboll dhe  shumë shpejt u bë i njohur si përhapës i Gjuhës Shqipe në atë rrethinë, kur vendi ishte ende nën Perandorinë Osmane. Ai u lidh me rrethet patriotike shqiptare, sidomos me Dervish Himën dhe kontribuan në organizimin e  Kongresit të  Manastirit për Gjuhën Shqipe,  bashkë me Gjergj Qiriazin, Lef Nosin, Simon Shuterqin, Ahmet Daklin, Aqif Pashë Elbasanin… Më pasi ai u njoh dhe bashkëpunoi edhe me vetë Fan Nolin.  Atë, në çdo etapë të jetës së tij të ndërgjegjëshme, e gjejmë aty ku e thërret atdheu.

Gjatë studimeve në Stamboll ai bie në kontakt me vëllezërit Frashëri dhe pasi kthehet në atdhe ndjek udhën e tyre duke u bërë njëri ndër Rilindasit e fundit të asaj plejade patriotësh. Vetë Dervish Hima, një ndër nënshkruesit e aktit të Shpalljes së Pavarësisë dhe intelektual i njohur, qëndroi dy vjet në Bërzeshtë. Aty ai,  në vitin 1895, ngriti të parin kurs të fshehtë të mësimit të Gjuhës  Shqipe, në shtëpinë e Osman Blloshmit, babait të Shabanit.

Një akt i tillë, i ndodhur në një familje me prirje atdhetare, do të lente gjurmë të thella në ndërgjegjen kombëtare të Shaban Blloshmit në drejtim të përhapjes së mësimit të Gjuhës Shqipe. Vite më vonë, pas Kongresit të Manastirit ai ndoqi rrugën e Dervish Himës, prandaj mori emrin “Mësuesi Kaçak”. Ai zhvillon korrespendencë me Gjergj Qiriazin, më datën 12 tetor 1908. Veprën e këtyre patriotëve e përshkruan edhe Edvin Zhak në librin e tij të njohur: “Shqiptarët: Historia etnike që nga kohët parahistorike deri në kohët moderne.”

Si një pionier i Shkollës Shqipe ai kontribuon në hapjen e shkollës në Bërzeshtë, fill pas Shpalljes së Pavarësisë e më pas, kur ajo mbyllet për shak të Luftës së Parë Botërore, në ri-hapjen e saj më 1919 dhe më vonë në ndërtimin e internatit në vitin 1927 – 1928.

Në libër del në pah një konflikt i Shaban Blloshmit me Mbretin Zog që pasoi mbylljen e internatit në vitit 1930.

Autori e sjell patriotin Shaban Blloshmi edhe si luftëtar trim kundër hordhive serbe, edhe si rrebel kundër Esat Pashë Toptanit, edhe si “Mësuesi Kaçak” i cili përhap arsimin në zonat e thella. Emri i tij lartësohet edhe më shumë kur sheh se për aktet e tij luftarake anti – greke, shkruan edhe poeti ynë i madh Lasgush Poradeci, më 8 Maj 1914. Më tutje, ai  ishte i njohur tashmë si veprimtar aktiv për Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 1912, dhe  e “gjejmë” në listën e themeluesve të  Kongresit të Lushnjes më 1920,  bashkë me delegatët e tjerë nga zona dhe sigurisht me  Aqif Pashë Elbasanin, njëri ndër më  kryesorët e asaj ngjarjeje të madhe historike. Emri  i tij, bashkë me Gjokë Ndinka – Gusho, përmendet edhe në gazetën “DIELLI” në Boston, më  31 mars 1920. Në përkujtimet e 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë emri i Shaban Blloshmit (në atë kohë i vrarë)  përmendet përkrah emrave tjerë të mëdhenj të patriotizmës shqiptare si Lef Nosi, në gazetën Drita më 28 nëntor 1937. Në fakt ishte vetë Lef Nosi që kishte botuar listën e delegatëve të Kongresit të Lushnjës në atë gazetë, ku gjendet edhe emri i këtij patrioti dhe martiri të shqiptarizmës.

Me Fan Nolin në Berzeshtë

Ndër episodet më të spikatura në këtë libër është rrëfimi, sipas historianit bërzeshtas, Shahin Zharri, për pritjen që Shaban Blloshmi i kishte bërë Fan Nolit, i cili kishte buajtur një natë në shtëpinë e Shabanit. Mikëpritësi,  për ta nderuar mikun, kishte ftuar edhe hoxhë Dervish Zharrin ose Hoxhë Plakun, siç e thërrsinin atë. Biseda midis atyre të treve kishte zgjatur tërë natën dhe të nesërmen hoxha e kishte ftuar Fan Nolin për darkë në shtëpinë e vet. Noli nuk kishte qëndruar ndërsa Hoxha, që nuk ishte ndonjë fanatik islam kishte thënë:

“Mirë bën që nuk vjen sepse sikur edhe një natë të qëndroja me ty, do të isha bërë prift ortodoks”.

Aq i fuqishëm ishte Noli në forcën e tij bindëse. Noli, në të ikur i kishte puthur mjekrrën e bardhë, hoxhës.

Veprimtari politik që e pagoi me jetën e tij

Veprimtaria e Shaban Blloshmit del në libër e shtrirë edhe në planin politik. Në tetor të vitit 1923 në Elbasan  formohet grupimi politik “As i Pashës as i Beut”. Aty morën pjesë emra të njohur tashmë, si Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, e shumë të tjerë. Pas kësaj, ai rrjeshtohet përkrah Fan Nolit në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924, duke mbetur një besnik i asaj lëvizje edhe pas dështimit të saj. Natyrisht që kjo e vuri në antagonizëm të plotë me rregjimin e Mbretit Zog.

Shaban Blloshmi, pas këtij akti e kaloi një pjesë të mirë të kohës së vet në arrati deri sa Mbreti lëshon një dekret për amnisti. Më pas ai  kthehet në shtëpi dhe punon si nënpunës i qeverisë së atëherëshme, si dhjetar. Që këtu ai angazhohet intensivisht për ndërtimin e internatit (konviktit të nxënësve) në Bërzeshtë duke tërhequr jo vetëm mërinë e qeverisë së Zogut për pikëpamjet e palëkundura fanoliste, por edhe xhelozinë e njërit nga të afërmit e vet të familjes, djalit të deputetit zogist Hajdar Blloshmi. Shabanin e vrasin më 5 nëntor 1929. Në vrasjen e tij marrin pjesë, sipas autorit të librit, Xhevdet, Bajram e Sabri Blloshmi bashkë me Xhemal Radiçin. Në njoftimin e prefekturës së kohës jepen emrat e përfshirë në atë vrasje ku spikat emri i Hajdar Blloshmit si nxitës, që ishte në fakt xhaxhai i të ndjerit.  Për të mos e lënë me aq, një vrasje tjetër në këtë fis, ajo e Selaudin Blloshmit ndodh në oborrin mbretëror, në Tiranë fill pas një muaji, më 12 dhjetor 1929.

Shaban Blloshmi në konflikt me Mbretërinë Shqiptare

Pjesa e dytë e librit merret me analizën e shkaqeve që çuan te vrasja e Shaban Blloshmit dhe me njoftimet në shtypin e kohës, komentet rreth veprimtarisë së tij politike që e çuan atë në fatalitet. Autori, e krahason vrasjen e tij me atë të Luigj Gurakuqit në Bari të Italisë nga kushëriri i tij i parë, Baltjon Stambolla, si një fenomen famëkeq shqiptar, sa politik aq edhe antropologjik i njohur në botë si “Feud”.

“Vrasja e dytë” e Shaban Blloshmit

Ajo që bie në sy është “vrasja e dytë” e këtij patrioti. Si lexues i këtij libri nuk dëshiroj të analizoj drejtësinë e pikpamjeve të tij anti zogiste, për shkak se jam simpatizues i veprës letrare të Fan Nolit por jo i Nolit si politikan, pasi ai ka sjellë në Historinë e Shqipërisë, precedentin e marrjes së pushtetit me dhunë dhe revolucion bolshevik, përkundër vullnetit politik të popullit. Kjo më bën që të jem kundër çdo dhune politike ndaj njerëzve të cilët kanë pikëpamje politike  të kundërta.

Ajo që prof. Bardhyl Musai sjell në këtë libër është sesi është manipuluar historia  e këtij individi, jo vetëm në kohën e mbretërisë, duke i zvogëluar vlerën veprimtarisë së tij patriotike, jo vetëm në kohën e diktaturës, duke e injoruar fare por edhe pas rënies së komunizmit. Madje autori sjell në vëmendjen tonë sesi, historianë me emër, as që janë thelluar fare tek e vërteta rreth veprës dhe fundit fatkeq të heroit të këtij libri, duke e ri-postuar, ri-përsëritur të pavërtetën historike rreth figurës së tij.

Duke e lexuar këtë libër, njeriu mëson shumë për këtë emër “të harruar” qëllimshëm.

“Vendetta”, “Feud” – “Hakmarrja”  Politike Shqiptare

Libri, duke zbuluar këto të vërteta i bën një shërbim të rrallë historisë, të paktën për këtë subjekt dhe i mëson ata që e duan Shqipërinë rreth sakrificave që kërkon çështja jonë kombëtare! Por nga ana tjetër, zbulon edhe një veti që nuk e nderon aspak qenien tonë shqiptare:

“Vendettën Politike”.

Ky fenomen kaq negativ, ka bërë që në altarin e lirisë të prehen dëshmorë dhe heronj tanë të cilët jo gjithmonë janë vrarë nga armiku pushtues, por nga dora e fshehtë e kriminelëve të nxitur nga xhelozia fisnore, inatet politike dhe më keq se aq, të vënë në shërbim të të huajve.

Prandaj, në sheshet tona qëndrojnë monumente heronjsh të vrarë nga dora e shqiptarëve, si në rastin e Shaban Blloshmit.

Ata vendosen në piedestal vetëm pasi ujërat e turbullta politike që iu kanë marrë jetën vijnë dhe qartësohen. Të tillë shembuj gjenden, fatkeqësisht, në çdo skaj të Shqipërisë.

Përmbyllje:

Libri i mëson lexuesit një varg të vërtetash historike, rreth kësaj figure, pak prej tyre të thëna,  disa të pa thëna, pasi nuk kishte kush t’i thoshte, disa  të thëna mbrapsht, ndërsa disa  të falsifikuara e të manipuluara nga historianë të tri periudhave historike, asaj mbretërore, komuniste dhe demokratike.


Mal Berisha

Tiranë, 30 qershor 2024