SHQIPËRIA JUGORE OSE EPIRI I VERIUT NË ÇËSHTJET EUROPIANE NDËRKOMBËTARE

mali

Southern Albania or Northern Epirus in
European International Affairs
1912 -1923

Copyright 1926 By StanfordUniversity Press

All rights reserved

Published, December 1926 In the United States of America.

Përktheu nga  origjinali:          Mal Berisha

Stamboll, Gusht 1997

Ribotimi: Shtëpia Botuese       “KOHA

Prill 1998

Recenzent:                                         Mero Baze
Redaktor:                                 Enver Bytyçi

Korrektor:                                Izet Duraku

Në kompjuter:                          Elvis Themeli Enkela Sheqeri

 

Parathënie e autores

Ndërkohë që Lufta e Madhe po shkonte drejt mbarimit të saj, u bë e qartë se midis problemeve më të mprehta, më të rëndësishme dhe më të vështira me të cilat do të ndeshej Konferenca e Paqes që po afrohej, ishin problemet e kombësive që përfshinin kërkesat e popujve të pakënaqur ndaj sundimtarëve dhe që kërkonin ose pavarësi ose bashkim me racat e tyre të afërta. Vetëvendosja e popujve, e shpallur prej aleatëve si njëri ndër qëllimet kryesore të luftës, hasi në një përgjigjie të menjëhershme. Këto ishin të gjitha çështje që shqetësonin popujt. E parë nga një pikë tjetër vështrimi, ato u përqëndruan rreth zotërimit të territoreve, pra ishin ngatërresa kufijsh. Midis këtyre problemeve, çështja e Shqipërisë Jugore ose e Epirit të Veriut ishte njëra nga më të debatuarat ndër zonat që rrezikonin paqen në Europë e që përbëhej sa nga kërkesa rivalësh nacionalistë po aq edhe nga interesa të disa Fuqive të Mëdha.

Ky studim synon të paraqesë një tablo të gjithanshme e të plotë të historisë në fjalë nga viti 1912, kohë kur kjo çështje fillon e merr një farë rëndësie diplomatike, deri ne vitin 1923, duke e vënë theksin pikërisht tek aspektet më të gjera europiane por edhe tek ato elemente lokale e kombëtare të cilët ndikonin në situatën ndërkombëtare.

Shumë material i vlefshëm në arkivat qeveritare është ende i papublikuar dhe padyshim do të jetë për një kohë të gjatë i papublikuar dhe i pakapshëm. Por praktikisht të gjitha materialet e shkruara janë në Bibliotekën e Luftës, Huver, në Universitetin e Stanfordit, i cili zotëron ndoshta koleksionin më të plotë të materialit rreth kësaj çështjeje, një pjesë e mirë e të cilës është përdorur pikërisht në këtë studim.

Ky studim është paraqitur në fillim si tezë për shkallën e doktorit në filozofi në Universitetin Stanford. Subjekti i tij është sugjeruar prej Dr.E.D.Adams, pa ndihmën dhe drejtimin e të cilit zor se mund të ishte shkruar. Praktikisht, i gjithë materiali gjendej në koleksionin e papërdorshëm të Bibliotekës së Luftës Huver në Universitetin Stanford. Ndaj drejtorëve të asaj biblioteke e veçanërisht ndaj bibliotekares zonjushes Nina Almond dhe ndaj Robert C.Binkley referent i bibliotekës, autorja është mirënjohëse për ndihmën e pakursyer që ata i kanë dhënë. Mirënjohje e thellë i kushtohet gjithashtu Dr. Percy A. Martin dhe Dr. Frank A. Golder të Universitetit Stanford për kritikën e plotë të dorëshkrimeve. Po kështu vlerësime të sinqerta për ish kolegen time në kolegjin Goucher, Dr.Mary E.Uiliams, pa inkurajimin e së cilës ky studim ndoshta nuk do të kishte çmimin “George Beer”, të cilin Shoqata e Historianëve Amerikane e dha në mbledhjen e saj në Ann Arbor më 1925. Falenderime të veçanta shkojnë në adresë të Dr. Charles Seymor të Universitetit Yale, i cili ndihmoi me materialet që kanë të bëjnë me komisionin e çështjeve greke në Konferencën e Paqes, sikundër shihet edhe në biobliografi dhe në shtojcë.

Kësaj liste tashmë të gjatë të mirënjohjeve duhet t’i shtohet një fjalë vlerësimi për frymëzimin që autorja mori prej kolegjit Vassar nga ish mësuesit e saj atje, zonjushe Lucy M.Salmon, zonjushe Eloise Ellery dhe zonjushe Dorothy Stimson, më vonë kolege të nderuara dhe mikesha në kolegjin Goucher. Falenderime të veçanta gjithashtu për kolegjin Vassar për dhënien e dekoratës „Sutro Fellowship“ për vitet 1923-1924, i cili bëri të mundur përfundimin e veprës.

 

Edith P .Stickney

              1 Dhjetor 1926

 

Kapitulli i I

SHQIPËRIA JUGORE OSE EPIRI I VERIUT NË ÇËSHTJEN

NDËRKOMBËTARE  EVROPIANE  GJATË VITEVE

1912-1923

I.Hyrje

Krahina, e cila njihet si “Epiri i Veriut” prej grekëve dhe mbështetësve të tyre dhe si “Shqipëria Jugore” prej shqiptarëve, italianëve dhe përkrahësve të tyre, nuk mund të jetë plotësisht e përcaktuar, përderisa kufijtë e saj të paraqitur prej këtyre pretendentëve ndryshojnë bashkë me ndryshimin e situatës ndërkombëtare. Në një përcaktim të përgjithshëm, bazuar në kufijtë e vendosur në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve, ajo zë atë pjesë të Shqipërisë që fillon në Jug të Vlorës që shtrihet drejt lindjes deri në Korçë. Kjo pjesë zë një të katërtën e Shqipërisë me një sipërfaqe me rreth dymijë e pesëqind deri në tremijë milje katrorë1, pak gjë më e madhe se sipërfaqja e shtetit te Delaweres në SHBA. Sipas statistikave zyrtare të qeverisë greke, Epiri i Veriut përcaktohet të jetë zona që zihet prej Korçës, Gjirokastrës dhe një pjese të Janinës ose e thënë ndryshe, kazatë2 e Korçës, Starovës, Kolonjës, Gjirokastrës, Himarës, Delvinës, Leskovikut, Tepelenës, Përmetit, Pogonit dhe Filatit dhe vlerësohet të ketë një popullsi prej 228.000 banorësh3.

Shqipëria Jugore zë një pozitë gjeografike të rëndësishme për arsyen se ajo ndodhet përballë cepit lindor të çizmes italiane, pikërisht në pikën më të ngushtë të Detit Adriatik, prej ku kontrollohen tërë hyrjet dhe daljet në këtë det. Pozicioni i volitshëm, që gëzon Shqipëria si një e tërë, do ta bënte atë prej natyre një vend me rëndësi prej nga hyhet e dilet në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit perëndimor. I vetmi gji është ai i Sarandës, dhe bregdeti hpërgjithësisht është i ashpër, dhe ka pak shtigje për të hyrë në pjesët e brëndshme të krahinës4. Mungesa e gjireve dhe vështirësitë për të zbarkuar në tokë e karakterizojnë atë si zonë të rrezikshme bregdetare. Pjesa e brendshme është malore. Lartësitë zgjaten nga veriu në jug duke i dhënë mundësi komunikimit në këtë drejtim, por duke e vështirësuar atë në drejtimin perëndim-lindje5. Rrugët natyrore përshkojnë luginat e lumenjve ndër te cilat, Vjosa është më e rëndësishmja dhe ka degë të saj ato që krijojnë luginat pjellore të Gjirokastrës dhe Përmetit. Rrugët për karroca në këto lugina ofrojnë të vetmen mundësi për transport. Rruga kryesore e lidh këtë rajon të brendshëm me Vlorën, Janinën, dhe nëpërmjet të Korçës edhe me Manastirin e Selanikun.

Raca dhe gjuha e banorëve të Shqipërisë kanë qenë për shumë kohë subjekt i shumë spekullimeve, por i pak studimeve serioze. Megjithatë kërkimet e fundit kanë treguar se shqipëtarët janë pasardhës të ilirëve të lashtë, pra të një populli indo – europian ose arian, që flasin një gjuhë që nuk rrjedh prej asaj greke, por që afrohet sa me greqishten sa dhe me latinishten, ose që gjendet midis të dyjave6. Ajo ka huazuar një përqindje të mire në fjalorin e vet të kufizuar7 edhe prej grekëve edhe prej sllavëve8. Hulumtimet e fundit kanë treguar se shqipëtarët janë më të gjatë sesa grekët, por më të shkurtër se boshnjakët; lartësia e tyre mesatare është 167 cm; midis të gjithë banorëve ballkanas ata janë më së shumti brakicefalikë,9 me një indeks prej 86. Në përgjithësi , ata kanë flokë dhe sy të zinj10.

Sikundër edhe në zona të tjera të diskutueshme të Lindjes së Afërt , ku kufijtë etnografikë janë të vështirë për tu përshkruar, popujt e këtij rajoni janë prej kulturash, besimesh fetare dhe gjuhësh të përziera. Askund tjetër në Evropë kriteri i gjuhës së folur nuk është aq i gabuar sa në trojet ballkanike. “Një vëzhgues që simpatizon shqiptarët dhe që i mbështet vlerësimet e tij vetëm te gjuha, mund të përshkojë të tërë vendin e të mos gjejë askënd tjetër përvec shqipëtarëve, ndërkohë që, një vëzhgues me prirje greke, duke proceduar në të njëjtën mënyrë nuk gjen ahskërkënd tjetër përvec grekëve”11. Me fjalë tjera, popullsia është përdoruese e dy gjuhëve, por gratë dhe fëmijët dijnë vetëm shqipen. Të krishterët e këtij rajoni, të quajtur toskë, i takojnë kishës ortodokse greke, ku gjuha greke është gjuhë e përdorimit dhe e mësimit. Klasat e larta, në përgjithësi, pa dallim feje, myslimane apo të krishterë, flasin greqishten, e cila, të paktën në kohën kur kemi filluar këtë studim, ishte gjuha e kulturës dhe e tregtisë. Ndonëse është e vërtetë se popullsia i takon kishave të ndryshme, lufta fetare është shumë më pak e ndjeshme në Shqipërinë Jugore sesa në veri. Myslimanët këtu shfaqin më pak fanatizëm ndaj të krishterëve sesa në ndonjë vend tjetër, edhe për arsyen se, ata janë vetë pasardhës të ish te krishterëve, të cilët u kthyen në islam me forcë. Për më tepër, në kushtet e rritjes së lëvizjes kombëtare, edhe vetë të krishterët  ortodoksë shqiptarë kanë arritur të kuptojnë se feja e tyre është shfrytëzuar prej kishës greke për qëllime politike dhe se nuk kane pse të tremben prej myslimanëve.12

E parë nga pikpamja ekonomike, Shqipëria Jugore, më pak e prapambetur sesa ajo Veriore, është një vend bujqësor dhe blektoral. Pronarët e vegjël kultivojnë më së shumti misrin, ndërsa pronarët e mëdhenj dhe bejlerët kultivojnë grurin. Mbas drithrave vijnë ullinjtë si  prodhimi më i rëndësishëm.

Duhani kultivohet në  krahina të caktuara dhe më së shumti në Berat e Tepelene. Malet janë të  përshtatshme  si kullota për gjedhë dhe dele. Blegtoria ze më shumë  krahë  pune se cdo punë tjeter13. Pyjet janë të paprekura, ndërsa mineralet, të cilat mendohet të jenë me bollëk, janë të pashfrytëzuara. Vendi është mbajtur në një  sistem mesjetar, që haset edhe në vendet e tjera ballkanike. Beu, i cili e merr tokën prej sulltanit, rrallë e kultivon atë vetë, por e jep tek qiramarrësit, prej të cilëve kërkon gjysmën ose një të tretën për vete, dhe një të dhjetën e jep si taksë për qeverinë14. Në rrethana të tilla fshatarëve shqipëtare u ofrohet shumë pak interes për të vënë energjitë e tyre në shërbim të prodhimit bujqësor . Kjo ka bërë që, sidomos popullsia e krishterë , të ketë një arsye të fortë për të emigruar15. Mallrat  që prodhohen në vend janë shumë pak dhe thuajse të gjitha konsumohen në tregun e brendshëm. Të dhëna nga statistikat tregtare nuk mund të përdoren vetëm për Shqipërinë Jugore, pasi nuk ka të tilla; ato për Shqipërinë si një e tërë tregojnë se në vitin 1913, 55 përqind e mallrave që ajo importonte vinin nga Austro-Hungaria, 25 përqind nga Italia, dhe vetëm 5 përqind nga Greqia, ndërkohë që blerësi kryesor i mallrave shqiptare ishte Austro-Hungaria e ndjekur prej Italisë16. Megjithatë për pjesën jugore pesha e Austro-Hungarisë ka qenë më e vogël, ndërsa ajo greke e pastaj italiane më e madhe.

Është e natyrshme të pyetet se cfarë roli ka luajtur karakteri ekonomik i krahinës në grindjet për kufirin. Pjelloria apo mirëqenia e kësaj zone është përdorur si një pretekst prej grekëve për realizimin e dëshirave të tyre ekspansioniste, të nisura që në kohërat kur ata e krijuan shtetin e tyre modern e që kanë më shumë një bazë idealiste sesa materialiste. Nga ana tjetër, po t’iu referohemi kërkesave të shqiptarëve, karakteri ekonomik i tyre është nje faktor më i rëndësishëm.  Përderisa Shqipëria Jugore është pjesa më pjellore dhe me mirëqenie më të lartë në tërë territorin e banuar prej shqipëtareve, dëshira për t’u përfshirë në shtetin e tyre  shqiptar i ka rrënjët thellë në karakterin ekonomik të rajonit. Nuk mund të mohohet ngjyra nacionaliste, që shfaqet edhe te kërkesat e shqipëtarëve, por nuk mund të mos shihet se Shqipëria Jugore ka një vlerë shumë më të madhe ekonomike për Shqipërinë në tërësi sesa për Greqinë. Përsa  u takon vendeve të tjera, si Italia dhe Austro-Hungaria, karakteri ekonomik i interesave të tyre ndaj Shqipërisë është i pa konsiderueshëm dhe qëndron vetëm në interesa strategjike.

II. Vështrim historik deri më 1921

Një vlerësim i shkurtër i historisë së Shqipërisë Jugore para vitit 1912 është thelbësor për një kuptim të plotë të problemit gjatë periudhës së përshkruar në këtë rrëfim. Vetëm nëpërmjet një studimi të tillë mund të kuptohet jo thjeshtë karakteri i banorëve dhe institucioneve të tyre sociale, por gjithashtu përplasja e interesave të fuqive të ndryshme të huaja aty. Për më tej, në pikpamje të referencave të shpeshta ndaj historisë së rajonit në literaturën propagandistike per çështjen në fjalë, një vlerësim adekuat i argumentave përfshin edhe kërkesën për një ide të mbështetur qartë në përvijimin e historisë së trazuar të këtij territori tejet të ngatërruar.

Në kohët antike emri Epir përdorej si një emër i përgjithshëm, që kishte kuptimin toke e që, kishte antitezë konceptin ishull, në rastin konkret ishullin përballë, Korfuzin (Corcyra). Por po të shohim kufijtë që përmendin shkrimtarët antikë për të , atëherë del se Epiri shtrihej prej Glossa Promontorit në veri, deri te gjiri i Artës në jug.  Ky rajon ishte më shumë i helenizuar, sesa pjesa tjetër në veri të lumit Vjosa.2 Adhurimi i Zeusit këtu u paraqit tek Dodona pellazge, që u bë i famshëm nëpërmjet fjalës greke; për tek ky orakull i nderuar grekët dërguan misione të shpeshta, dhe falë mbrojtjes që iu bë këtij tempulli nga shkatërrimi i aetlianëve më 219 p.e.r, ai vazhdoi të ekzistojë deri në kohën e pausnianëve. Rrasat e gurta, në të cilat janë skalitur pyetjet që iu paraqitën orakullit, janë gjetur pranë Janinës ashtu sikundër dhe një teater grek aty pranë3. Në kohët klasike greke Epiri ruante mardhënie jo shumë të afërta me pjesën tjetër të Helladës. Ne dëgjojmë veçanërisht për Admatus, i cili e mirëpriti Themistokliun e syrgjynosur , dhe për Alcetasin, i cili u bë një vasal i Dionisit të Sirakuzës; më tej për martesën e Filipit të Maqedonisë me një princeshë epiriote, e cila e bëri atë të ndikonte në fatin e vendit4. Në shekullin e tretë p.e.r (295-289) lufta e Pirros së Epirit kundër romakëve në Italinë jugore i dha krahinës një rëndësi të përkohëshme. Sido që të ketë qenë puna në periudhat e mëpërparshme, Epiri në kohën e Pirros

ishte në përgjithësi i njohur si grek.5

 

Plotësohet së afërmi……………………………….