Hyrje
Të takosh njerëz për të cilët ke dëgjuar por nuk i ke parë kurrë është gjithmonë një kënaqësi e veçantë. Mund të jenë ata njerëz të thjeshtë, të njohur në distancë, mund të jenë artistë, njerëz të medias, shkencetarë, shkrimtarë e pse jo edhe politikanë.
Në takimet me njerëzit përherë të mbetet diçka në mëndje: mund të jetë pamja, mënyra e shprehjes, sa i afërt ose mospërfillës duket, çfarë mëson prej tij, historia e jetes se tij, e keshtu me radhe. Ka raste kur njeriu që e takon për herë të parë ta shuan kureshtjen menjëherë, siç ka raste kur ai të zhyt edhe më thellë në kërshërinë për ta njohur më thellë, ose në raste tjera të tërheq në misterin e mosnjohjes së mëparshme me të. Ka raste kur personi që e takon të prezanton diçka të veçantë pasi mund të jetë mbartës i një dëshmie, i një fakti, ose i një ngjarje e cila mund të evokojë aq shumë simpati dhe admirim. Mbartës të tillë të tërheqin deri në një udhëtim apo aventurë për t’i takuar. Ka njerëz të cilët edhe pse të vjetër mbartin në vetvete histori,ngjarje ,kujtime e na nxisin drejt një të kaluare me jo pak lavdi. Personi që do të zbuloj përmes këtyre rreshtave ka lindur në Shqipëri ,pikërisht ateherë kur Shqipëria ende ishte e pushtuar nga turqit osmanë, në pritje për tu bërë e pavarur ne 16 muajt që do te agonin. Ajo ka një jetë plot mistere ,të shkruara dhe të pashkruara,është bijë e një amerikani që i kushtoi jetën Shqipërisë, në ditët më të vështira të saj. Në këtë mëngjes të ftohtë marsi takova atë, bijën e amerikanit Ericson historia e të cilit rrëfen kaq shumë mbi historinë tonë.
Grejs Elizabeth Johnson – Erickson – e bija e Charles Telford Erickson
Me këto përsitaje në mëndje për takimet me njerëzit, mund të merret me mend se çfarë ndjesije të bukur do të na krijonte takimi me këtë zonjë flokëbardhë. Kështu u nisëm në ditën e 26 marsit 2014 drejt azilit të pleqve në Needham të Bostonit bashkë me zonjën time Donikën dhe djalin tonë Kreshnikun. Me ta kemi bërë shumë udhëtime të gjata, me qëllime njohje të historisë brenda dhe jashtë Shqipërisë, madje edhe në vende ku shpesh vështirë se i takon njeriu të shkojë. Kemi udhëtuar shumë për të gjetur gjurmët e Ericksonit. Por ndjenja që po provoja, sa më shumë i afrohesha atij objekti, më bëhej gjithnjë e më e fortë dhe më shtonte dilemën:
Mos po e bezdisja një zonjë e cila kishte rënë në pleqërinë e saj të thellë? A do të kishte ajo ndonjë ide për çfarë ne po e vizitonim?! A do të ishte në gjëndje kujtesa e saj të përgjigjej pikpyetjeve, interesave dhe kërshërive të mija mbi realitetin shqiptar për të cilin familja e saj u sakrifikua jo pak?!
A do të pranonte vizitorë të panjohur, tërësisht të huaj, t’i takonte dhe bisedonte me ta?!
Takimi
Azili ku i kalon vitet e fundit të jetës Grace Johnson gjendet në një zonë periferike jo larg Bostonit, në një kodër të veshur me pyje të dendura, me ndërtesa të bukura dhe kushte nga më idealet që njeriu mund të mendojë për të kaluar pleqërinë.
U ngjitëm me ashensor dhe përpara gjetëm një zonjë recepsioniste të cilës i treguam se ishim vizitorët e Grejs Johnson.
Mirësevini! – na tha ajo me mirësjellje. -Ju lutem shënoni emrat në librin e vizitorëve dhe futuni në atë korridor!- Ajo gjëndet në dhomën e parë djathtas.
Kështu bëmë. Tek ana e majtë e derës së asaj dhome ishte një tabelë në të cilin shkruhej:
Takoni Grejs Johnson.
“Grejs Elizabeth Johnson ka lindur në Jugosllavi me datën 19 gusht 1911. Ajo jetoi në Kapri, Itali, sa ishte vajzë e vogël dhe pastaj lëvizi në Gjenevë të Zvicrës me motrën e saj Kristelin. Ato të dya u vunë nën kujdesin e dados Stefanie. Kur Grejs dhe Kris, u bënë njëra 11 vjeç dhe tjetra 13 (të lindura Grejs në Manastir dhe Kris në Elbasan – shënimi im) motra e tyre Lois shkoi në Zvicër që t’i merrte dhe t’i dërgonte në Angli ku do të ndiqnin shkollën e vajzave Birkensted. Më në fund Grejs erdhi në ShBA dhe studjoi për infermjere. Ajo u martua me Jasper Johnson gjatë asaj kohe dhe së bashku lëvizën në një fermë të vogël në Masaçusetin perëndimor. Ferma nuk kishte as energji elektrike, as ujë të rrjedhshëm. Këtu asaj i lindën dy fëmijë, Kristel dhe Faye. Nga ferma ata shkuan në Roçester, Nju Jork ku Jasper punoi saldator për firmën Kodak. Aty atyre iu lindën edhe tre fëmijët tjerë, Bobi, Pete dhe Al.
Në vitin 1950, Grejs , Jasper dhe familja e tyre lëvizën për në Needham, Masaçusets. Jasperi shiste aparate dëgjimi në Boston. Fëmija i tyre i fundit Doni, lindi pikërisht aty. Grejs u vendos në North Hill në vitin 1998 duke vazhduar pasionin e saj për pikturën, notin dhe librat. Ajo ka tetë nipa e mbesa dhe nëntë sternipa e stërmbesa”
Ne hymë në atë dhomë të arreduar më së miri e cila ngjante me një dhomë spitali, me gjitha pajisjet e duhura. Ishte e pastër sa më s’ka. Por Grejs nuk ndodhej aty. Një sanitare që u gjend aty na tha se ajo ka vajtur tek një dhomë tjetër. Nuk vonoi shume dhe e sollën.Ishte me një karrocë invalidësh.
Grejs u shfaq para nesh pak e habitur, me sy te mprehte pa syze, shikim të thellë, flokë të bardha argjend, fytyrë të lëmuar dhe jo aq të rrudhur, buzëqeshje të embël plot dritë e jetë. Punonjësi i azilit e solli para nesh dhe e fiksoi karrocën. Iu afrova dhe i tregova kush isha. Pastaj të njëjtën gjë bëri ime shoqe dhe djali. U ula pranë saj. Ndjeva se po takoja ndoshta njeriun më të vjetër të lindur në trojet shqiptare që për fat ende jetonte.
I fola pak se përse isha aty. I thashë se kisha ardhur ta takoja për të nderuar atë dhe kujtimin e të jatit, Charles Telford Erickson për gjithcka që ai kishte bërë për Shqipërinë.
Ajo më tha thjesht me zërin që i dridhej:
Jo, vërtetë, e këni bërë ju këtë për mua?!
-Po, i thashë, babai juaj ka bërë shumë për Shqipërinë.
-Eh, po,- mu kthye, “-Babai im ka qenë një burrë i madh”.
Pastaj vijuam bisedën. Mbante mend shumë gjëra por me të thëna. Nxora nga çanta librin që i kisha sjellë asaj. Pastaj e pyeta:
Çfarë të kujton kjo fotografi në kopertinën e këtij libri?
-Oh, psherëtiu, -ky është babai im, Dad Erick.
I tregova se i tërë ai libër i kushtohej jetës dhe veprës së tij në Shqipëri dhe për Shqipërinë. Pastaj shpalosëm faqet e librit ku ishin fotografitë. Ajo i njohu një për një.
Po,- tha ajo, -ky është babai im, kjo është nëna, kjo këtu është Alice, gruaja e dytë e babait. Ajo ka qenë shumë e mirë me ne. Na donte shumë. Eh babai im, -psherëtiu ajo përsëri, -ishte njeri i madh. Hapte shkolla atje.
A është shkolla e tij?
Në atë çast ndjeva se sa me vlerë ishte fakti që në njëqind vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Shkolla Bujqësore e Kavajës kishte marrë emrin e Charles Telford Erickson, të cilën e kishte themeluar ai vetë, babai i saj.
Po i thashë, shkolla e babait tuaj është ende e hapur dhe mban emrin e tij.
Vertetë? -më tha,- sa më bëhet qejfi! Ai ishte i dhënë pas saj. Isha e vogël kur u larguam dhe dhe babai më dërgoi në Zvicër bashkë me motrën time me të madhe. Aty na mbante një zonjë shumë e mirë Stefania. Eh.
-Po ju a jeni ministër? më pyeti.
Në fakt kam përshtypjen se ajo dinte diçka për mua, prej të bijëve, Bobit dhe Donit të cilët duhej t’i kishin folur për funksionin që unë kisha. Dhe në kohën e saj, ata që shërbenin në këtë detyrë quheshin, ministra. Doni e pati vizituar Shqipërinë në nëntor 2012 kur u përurua ai libër, më pas i pata takuar Bobin dhe Donin në pranverën e vitit 2013 kur Federata Pan – Shqiptare e Amerikës VATRA e bëri perurimin e librit në Nju Jork.
I shpjegova dhe i thashë se ky libër është dhuratë për të .
-Jo, më tha, -me të vërtetë e thua? A nuk është kjo diçka shumë e bukur?
Shumë falemnderit!
E mori. E mbante në dorë dhe shihte me vemëndje kopertinën me fotografine aq pozante të të jatit që në ato momente m’u duk se shëmbëllente kaq shumë me fytyrën e saj.
Kisha bërë shumë punë për të nxjerrë në pah jetën dhe veprën e Ch T Ericksonit. Udhëtime për në Yale University, në arkiva në Uashington e Nju Jork, Londër, nxjerrje dokumentash, letra, përkthime, deri në botimin e librit. Por pengu im ishte se si të gjeja dike nga familja e tij si dëshmi e gjallë e kontributit të kësaj familje jo shqiptare por kaq pro-shqiptare. Ishte i nderuari At Arthur Liolin, kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës, pasardhës i Nolit tonë të madh i cili pak para botimit të librit më njoftoi se kishte rënë në gjurmët e pasardhësve të tij. Kështu u lidha me djemtë e Grejs , Don dhe më vonë Bob, me nipin dhe mbesën e Telfordit, Paul dhe Mary Morris. Të gjithë këto kontakte më jepnin një emocion të bukur pasi po gjeja degët e një peme familjare me një trung që i kishte rrënjët në Shqipëri dhe që i kishte dhënë Shqipërisë time,Shqipërisë tonë , kaq shume…
Natyrisht që takimi me Grejs Johnson, sado i shkurtër, ishte më i veçanti, më i bukuri, më i paharruari.
Pak histori të lidhjes së Grejs Johnson Erickson me Shqipërinë
Si të mos të emocionohet njeriu kur i kthehet historisë së asaj familje? Pasi kishin ardhur në Shqipëri, në fillim në Korçë e më pas në Tiranë në vitin 1908 ata ishin ballafaquar me represionin turk dhe ishin detyruar të zhvendoseshin pas një viti në Elbasan. Tre fëmijëve që sollën me vete iu shtua edhe e katërta. Edhe aty i ndoqi po i njejti fat. Në verën e viti 1911 ata u internuan nga forcat turke në Manastir. Aty në kushte internimi, lindi pikërisht Grejs për të cilën po flasimdhe po ua sjellim të gjallë në vëmendjen tuaj. Pas disa kohësh ata u kthyen përsëri në Elbasan. Babai i Grejs nuk hiqte dorë nga qëllimet e tij për të ndihmuar në arsimimin dhe emancipimin e një kombi për të cilin askush në botë nuk ka shkruar më me dashuri e rrespekt se ai. Por në tetor të vitit 1912 familjen e goditi një gjëmë e madhe. Djali i madh i tyre, Irli, u lëndua duke luajtur. I ati e dërgoi atë në Zvicër për ta shëruar. Mjerisht ai nuk i mbijetoi dot infeksionit që i kishte marrë plaga. Kështu në dhjetorin e atij viti Ericksoni kthehet në Durrës pasi e kishte varrosur të birin në Zvicër. Fatkeqësisë së tij i shtohet edhe represioni serb. Shqipëria ishte shpallur e pavarur me 28 nëntor 1912, por ishte pushtuar menjëherë nga serbët. I cilësuar prej pushtuesit, armik i serbëve dhe mik i shqitarëve ai mezi lejohet të shkojë në Elbasan dhe të marrë familjen, falë ndërhyrjes së konsullit austriak në Durrës Charles Halla. Kështu ai e largon familjen nga Shqipëria. Grejs Elizabeth, në atë kohë 14 muajsh largohet nga Elbasani me prindërit, vëllain Palin dhe motrat, Lois e Kristel. Ndërsa i jati kthehet e rikthet në Shqipëri për vite të tëra. Ai bëhet anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris dhe komunikon drejtpërsëdrejti me Presidentin Uillson në mbrojtje të territoreve shqiptare; bëhet komisioner i Shqipërisë në Uashington, pastaj diplomat amerikan në Tiranë, hap shkollën Bujqësore të Kavajës në vitin 1926. Në vitin 1937 dekorohet nga Mbreti Zog me Urdhërin e Skënderbut. Në vitin 1945 ishte delegat i VATRËS në Konferencën themeluese të Kombeve të Bashkuara dhe i shkruan Presidentit Truman për Shqipërinë. Më pas i kushton jetën Shqipërisë me shkrime në gazetat më prestigjoze të botës, Nju Jork Times, The Economist, etj. Ai vdes në vitin 1966 në moshën 99 vjeçare duke lënë të pabotuar një tekst historie për Shqipërinë me 56 kapituj si trashëgiminë më të mirë të tij. Ai tekst tashmë është botuar në gjuhën shqipe.
Një detyrim moral
Kështu e takova pasardhësen e drejtpërdrejtë të heroit tim(shpresoj të të gjithë shqiptarëve) Charles Telford Erickson me datën 26 marsi 2014. U largova prej atij azili me një dashuri dhe respekt të pafund, për të bijën e një njeriu që ia kishte falur Shqipërisë gjithçka deri edhe antarët e familjes së tij.
Jo vetëm veneracioni i pafund që ndjej për veprën e tij, por edhe roli që ai ka luajtur dhe luan në jetën time që kur u njoha me veprën e tij më shtyu drejt një takimi të tillë . Edhe i vdekur atje ku është, drita e shpirtit të tij është kthyer në një dritë edukimi, pastrimi shpirtëror, ndjenje të bukur humane, dhimbje për të varfërin, të voglin, të papërkrahurin qoftë ky individ apo edhe popull siç ishte populli shqiptar kur ai u njoh me të, në vitet e fundit të errësirës osmane që e kishte pllakosur. Dhe jo vetëm atëherë, por deri në fund te jetës së tij Shqipëria u shnderrua në qëllim,mision,detyre.
Roli i Grejs Johnson mund të duket i vogël apo i papërfillshëm por ajo është dëshmia e sakrificës së të jatit, që rezultoi në humbjen e vëllait dhe të nënës së saj të dashur për hir të dashurisë për Shqipërinë. Ajo u rrit me dado në vend të huaj pa praninë e babait dhe me nënën të paaftësuar thjesht dhe vetëm sepse babai i saj ja kushtoi jetën Shqipërisë. Asaj i mungoi luksi me i domosdoshem qe rrit dhe ushqen një fëmijë ;familja , atdheu i vet, jetesa me të cilën prindërit e saj ishin rritur,por që nuk mund tua siguronin fëmijëve të tyre në Shqipërinë e varfër.
Dhe ajo vetë e quan atë: “Një burrë të madh”.
Pajtim më të bukur sesa ky me bëmat nganjëherë tej-njerëzore të të jatit nuk mund të ketë. Prandaj e ndjeja si detyre morale të mos e humbja rastin për të takuar njeriun që mbarte drejtpërsëdrejti gjakun e Charles Telford Erickson që rridhte në damarët e dala të së bijës 103 vjeçare, Grejs .
Praktikisht takova vetë historinë e njërës nga segmentet më kuptimplote por fatkeqësisht më të panjohura të vendit tim – fillesën e ngjizjes së mardhënieve me mikun dhe aleatin më të madh të popullit shqiptar, SHBA.
E përqafova, i putha dorën, ia përkëdhela ato flokë të argjendta. Më pa embël. M’u duk se po më vështronte po me atë dashuri që i ati i kishte parë shqiptarët.
Dhe më pyeti:
-Kur të më pyesin miqtë e mij, se cilin takove sot, çfarë t’ju them?
-I thashë: -thuaju se takova ca njerëz të një familje shqiptare që e duan babain tim të ndjerë deri në adhurim dhe veneracion.
Nuk kisha një kartvizitë me një përcaktim të tillë. Prandaj i dhashë atë të punës time. Dhe ndjeva së sa shumë e kisha nderuar atë kartvizitë, atë ditë.
Epilog:
Pas takimit me Grejs , i biri Don Johnson më shkruajti këto fjalë:
Falemnderit për vizitën që i bëtë nënës time të dashur Grejs .
Shqipëria e kaliti Dad Erikun. Ai e nguliti Besën Shqiptare tek mama ime Grejs ndërsa Mama Grejs e nguliti atë tek ne fëmijët.
Falemnderit Shqipëri.
Dhe unë iu përgjigja:
Falemnderit Amerikë që i dhe Shqipërisë njerëz të tillë!
Boston 26 mars 2014