TEORI DRAME – Disa mendime rreth këtij libri të ri të Akademikut Gjovalin Shkurtaj


TEORI DRAME

 Disa mendime rreth këtij libri të ri të Akademikut Gjovalin Shkurtaj


Nga MAL BERISHA


Jo rrallë më takon të ndaj kohën, përpara një kafje, me Akademikun Gjovalin Shkurtaj.

Bashkë na lidh një miqësi e herëshme që kur ai ishte pedagog dhe unë merresha me kulturën. Në atë kohë pata pasë rastin të organizoja veprimtari kulturore për ndjekësit e etur të qytetit të Laçit me emra shumë të njohur të letërsisë, pa përmendur teatrin, muzikën, komedinë, etj.

Kisha nderin që të mirëprisja, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Besnik Mustafajn, për të përmendur më të shquarit e asaj periudhe.

E midis tyre kam pasë nderin të pres edhe Prof. Gjovalin Shkurtaj me një audiencë të plotë dhe shumë të interesuar për me ditë rreth gjuhësisë dhe më gjërë.

Të dëgjoje në atë kohë profesorin e nderuar ishte një kënaqësi e rrallë. Ai të mahniste me dijenitë rreth Gjuhës Shqipe dhe Leksikologjinë.

Vitet kaluan dhe me profesorin e nderuar nuk i shkeputëm lidhjet asnjëherë edhe pse jetonim në distanca të mëdha. Tash, si dy pensionista, herë pas here takohemi dhe shkëmbëjmë mendime, i japim njëri tjetrit ndonjë libër që sapo e kemi lexuar apo botuar dhe natyrisht thellohemi në ato tema të cilat na preokupojnë më shumë siç janë: Ruajtja e pastërtisë së Gjuhës Shqipe, Identitetit tonë kombëtar, njohja e rinisë tonë me bukuritë e trashëgimisë tonë kombëtare, ose me atë që mua më pëlqen ta quaj “Pushteti ynë i Butë”.

Në fakt, ky është i vetmi “pushtet” që kemi ne njerëzit e moshës tonë: “Nderimi për traditën dhe trashëgiminë tonë”.

Por biseda me profesorin zgjerohet shumë kur sheh se ai nuk është fokusuar vetëm te Gjuha Shqipe, ose Leksiku i dialektit tonë të ambël, Gegë – Verior, prej nga vjen ai, por edhe tek tema të tjera shumë universale.

Një ndër to ishte biseda rreth librit të tij, të sapo botuar: “TEORI DRAME”.

Të flasësh për dramën në kohët e sotme kur teatri është rrënuar, aktorët janë arratisur dhe skenën e vërtetë e ka zënë një gjini tjetër… mund të duket pakëz si absurd.

Por me profesorin mund të flasësh me orë të tëra për tërë ata bagazh që ai e ka mbledhë në dijenitë e veta për t’u bërë profesori i Teorisë dhe Historisë së Teatrit, në Akademinë e Arteve.

Për disa orë, njeriu largohet nga zhurmat e pa përmbajtje, lajmet për krime dhe korrupsion, nga “aristokracia e re’ alla Big Brother dhe flet për Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Aristofanin, Shekspirin, Dideroin, Lesingun, Gëten, Shilerin, Hegelin, Ibsenin, Bernard Shoun, Stanislavskin, Arthur Miller, Bertold Brehtin, Tolsoin, Belinskin aq sa edhe për autorët tanë Çajupi, Konica, Fan Noli, Prifti, e sa e sa të tjerë dhe rolin që kanë luajtur ata në formësimin e ndërgjgjes estetike të njerëzimit.

Biseda me profesorin të nxit të lexosh librin e tij me përmbledhjen e atyre leksioneve me të cilat janë përgatitur breza aktorësh shqiptarë që nga mesi i viteve ’70 deri më sot.

Historia e Teatrit Botëror dhe pastaj e fokusuar tek ajo e Teatrit Shqiptar të ndjek në një trajektore të cilën ke dëshirë ta lexosh, ta nënvizosh, ta mësosh dhe t’i rikthehesh…

Në bisedë dhe më pas në libër kalojnë si në paradë emrat më të shquar që e kanë krijuar dramën shqiptare dhe po ashtu ata që e kanë interpretuar atë, si në skenë ashtu dhe në ekran.

Ajo që bie në sy tek libri i Profesorit Shkurtaj është se sa mirë ai ka arritur të ndajë veprën dramatike, si krijimtari letrare e një gjinie sublime, me ndërthurjen e saj me mjeshtërinë aktoreske, skenike të interpretimit dhe rolin që ajo luan në shoqërinë njerëzore në faza të ndryshme.

Do desha të sygjeroja studentëve të dramës dhe në përgjithësi shkollave të artit që përgatisin artistë të skenës ta kenë në bibliotekat e tyre këtë libër me shumë vlera. Shumë pjesë prej tij mund të bëhen edhe referenca në leksionet që zhvillohen sot.

Drama dhe teatri janë gjinitë që, pas skulpturës, kanë rezisatuar më shumë në trashëgiminë e njerëzimit.

Të koncentruar, vlerën dhe përmbajtjen e librit “TEORI TEATRI” lexuesi mund ta gjejë në thënjen e dikurshme të dramaturgut: Arthur Miller: “Teatri është kaq pafundësisht magjepsës, sepse është kaq i rastësishëm.

Ai ngjet si vetë jeta. Rëndësia e një drame nuk është domosdoshmërisht tek fakti se ajo argumenton mbi një çështje të caktuar ose sepse jep mësime për jetën, por se aty mishërohen paqartësirat, konfliktet, zgjidhjet, mundësira dhe ndjenjat më të forta të vetë jetës.” – Arthur Asher Miller.

Nderim për korifejtë e Teatrit dhe veprën e Akademikut Gjovalin Shkurtaj!

Proud to be Albanian!