Vdes një prej korifejve dashamirës të popullit shqiptar

KOHA JONE –  02/10/2017 

Mal Berisha:  Jam tejet i prekur nga vdekja Robert Elsit miqësinë me të cilin e kam konsideruar si gjërat më të veçanta të jetës time. Në takimin e fundit me të në Londër, qershor 2015 ai nuk mund të largohej pa bërë një fotografi tek busti i Skënderbut. Ai mban Medaljen e Mirënjohes akorduar nga Presidenti I Republikës së Shqpirëise z Bujar Nishani në vitin 2013. 

Amaneti i tij i fundit: “Më varrosni ose në Shqipëri ose në Kosovë”!

Nga Mal Berisha

Të dielën, papritmas ndërroi jetë njëri prej njerëzve më të dashur të popullit shqiptar, studiuesi dhe historiani i kulturës tonë, Profesor Robert Elsie. Ai ka sjellë në vëmendjen e lexuesve në gjuhën angleze dhe gjermane materiale të shkruara nga njerëzit më të shquar të botës, për në shqiptarët. Puna e tij ka filluar që në vitin 1975.
Robert Elsie do të meritonte një nekrologji ku t’i thuheshin ato që ka bërë për ne shqiptarët. Por në vend të saj, më mirë se kushdo flet uebfaqja e tij në internet aty ku çdo shqiptar dhe i huaj do të gjejë materiale me vlera të jashtëzakonëshme.
Interesi i këtij studjuesi për disa dekada ka qenë kultura, letërsia dhe historia shqiptare. Shumica e botimeve të tij janë pikërisht nga këto fusha. Çdo material i tij është i vendosur në faqen e tij të internetit dhe i përkushtohet fushave të veçanta të historisë, gjuhës, letërsisë dhe fotografisë së hershme.
Tek “Arti shqiptar” ai ia ka kushtuar punën e tij artit në Shqipëri në kuptimin më të gjerë të fjalës përfshirë përpjekjet e artistëve shqiptarë që në fillimet e veta si dhe punëve të artistëve të huaj të lidhur me Shqipërinë e shqiptarët. Ajo paraqet historinë gjithëpërfshirëse të artit shqiptar dhe tregon aspekte dhe fenomene që janë me interes për vëzhguesin e huaj dhe në shqiptarët po ashtu.
Në “Tekste dhe dokumente të historisë shqiptare” gjëndet një përmbledhje e teksteve që hedhin dritë mbi vendin tonë dhe që siç thotë autori, “shpesh injorohet nga historianët dhe dijetarët”. Ato nuk janë hartuar si një Histori e Shqipërisë apo e shqiptarëve, por janë dhënë si një përmbledhje kronologjike e teksteve historike të rëndësive të ndryshme që nga shekulli i XI – të deri në shekullin XXI, shumica prej të cilave të papërkthyera më parë.

“Gjuha shqipe” e studjuar nga Robert Elsie është e lidhur më rregjistrime në audio për të folmen tonë. Tek “Dialektet Shqiptare” ne mund të dëgjojmë të folmen dialektale rajonale të shqipes dhe mënyra sesi flitet gjuha shqipe në pjesë dhe krahina të ndryshme të botës shqipfolëse.
“Letërsia Shqiptare në Përkthim” përmban përzgjedhjen më të madhe të letërsisë tonë që është paraqitur ndonjëherë e përkthyer në gjuhën angleze. Ajo përfshin një gamë të gjerë autorësh nga e kaluara dhe e tashmja dhe përfshin shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora Shqiptare. Ka prej tyre që janë publikuar, por shumica paraqiten para lexuesit për herë të parë.
Në “Fotografi të hershme në Shqipëri” Rebert Elsie paraqet koleksione të hershme të fotografive të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kryesisht nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë, e cila, në fakt ofron pamje të mrekullueshme të së kaluarës së popullit shqiptar.
Vdekja e tij është një humbje e madhe për kulturën dhe historinë e vendit tonë. Se sa e donte ai popullin shqiptar, më mirë se çdo gjë flet amaneti tij i fundit.
Ky nuk është rasti i parë. Edhe Harry Hodgkinson gazetar dhe shkrimtar famshëm anglez, mik i shqiptarëve, para vdekjes në vitin 1994 la amanet: “Të varrosej me arkivolin e mbuluar me flamurin shqiptar”.
Jam tejet i prekur nga vdekja Robert Elsit miqësinë me të cilin e kam konsideruar si gjërat më të veçanta të jetës time. Në takimin e fundit me të në Londër, qershor 2015 ai nuk mund të largohej pa bërë një fotografi tek busti I Skënderbut. Ai mban Medaljen e Mirënjohes akorduar nga Presidenti I Republikës së Shqpirëise z Bujar Nishani në vitin 2013.
U preftë në Paqë!


Source: http://www.kohajone.com/2017/10/02/vdes-nje-prej-korifejve-dashamires-te-popullit-shqiptar/