Vëllezërit Jimilian dhe Besmir Ismaili, yjet shqiptare të muzikës daneze

 

Botuar ne gazetën KOHA JONE  më 10 Korrik, 2018

Nga Mal Berisha 

Ne shqiptarët jemi mësuar tashmë të krenohemi me bijtë tanë që shkëlqejnë nëpër botë – në art, sport, shkencë, profesionistë të denjë që mjeshtërojnë në fushat e tyre dhe na ushqejnë me dinjitet dhe krenari. Këto ditë pamë yjet shqiptarë të futbollit të Zvicrës, të cilët na i çuan zemrat peshë. Në skenat më dinjitoze të botës, sopranot tona Ermonela Jaho, Inva Mula, Arlinda Morava, Blerta Zhegu, tenorët Saimir Pirgu, Riad Imeri, Gëzim Myshketa, këngëtarët e Festivalit Europian Ermal Meta, Eleni Fouriera për të ardhur tek ato më të famshmet, Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Era Istrefi, janë bërë emra të njohur për publikun në nivel global. Kjo e fundit madje pret të ketë audiencën më të madhe në histori, që kap 2.5 milijardë shikues, në natën finale të Kampionatit Botëror të futbollit. 


Këta janë vetëm disa, prej emrave shqiptarë të njohur nëpër botë, por si këta me emër në vendet ku janë vendosur, ka edhe shumë të tjerë. Të tillë janë edhe dy vëllezërit shqiptarë, Jimilian dhe Besmir Ismaili, të cilët janë sot midis artistëve më të preferuar të muzikës zbavitëse në Danimarkë.  Ata menaxhohen nga kompania më e madhe diskografike në botë, Sony Music dhe janë ndër muzikantët më të dashur të rinisë në programet e MTV – së Danimarkës. Suksesi i tyre është shumë i mirëpritur e i vlerësuar në atë vend dhe përbën një tjetër dëshmi sesi shqiptarëve të talentuar mjafton t’u krijohet mundësia për të zhvilluar prirjet e veta dhe ata shkëlqejnë duke shpërfaqur zotësi, integritet dhe genin që na bën krenarë të gjithëve.

Jimilian Ismaili, ky djalë i lindur në Laç në vitin 1994 është pjesë e atyre të rinjve shqiptarë që bëjnë lajmin e mirë nëpër botë. Po kush janë këta djem që na nderojnë në Danimarkë?


Retrospektivë…

Fill pas ngjarjeve të Mars – Prillit të vitit 1981 në Kosovë, përveç tragjedisë që pësuan vëllezërit tanë shqiptarë nën shtypjen serbe, i përndoqi edhe një ndërprerje e menjëhershme e shkëmbimeve kulturore me Shqipërinë. Grupi i fundit i atij viti, që vizitoi Shqipërinë ishte ai i Kastriotëve të Ferizajve, Mars 1981.

Në ato rrethana, kur muzika e bukur e krijuar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë dhe vise të tjera, letërsia, drama, e veçanërisht folklori, ishin izoluar si me perde hekuri, vëmendja u drejtua tek njëfarë krijimtarie që zhvillohej në Shqipëri. Ajo krijohej nga shqiptarë të Kosovës të zhvendosur në Shqipëri në periudha të ndryshme, (më së shumti në kohën e Mbretërisë) dhe që ndodheshin në disa rrethe, apo territore më përbashkuese. Të tillë ishin Mamurrasi dhe Laçi i Krujës, Rroshbuelli, Qerreti dhe Shën Vlashi në Durrës. Kishte të tillë edhe në Fier. Këta shqiptarë të Kosovës, ndonëse në grupe të vogla dhe të shkëputur prej shumë kohësh prej vendlindjes, mbartnin veti të rralla dhe karakteristike të krahinave prej nga vinin. Më i rëndësishmi prej tyre ishte Grupi i Kosovarëve të Durrësit të përfaqësuar nga legjendat e këngës kosovare Dervish Shaqa dhe Demush Neziri.

Në Mamurras të rretht të Krujës shkëlqeu edhe një trupë teatrale me djem e vajza kosovarësh, kur u vu në skenë drama e Fahri Balliut “Tokë e Ndezur” nën regjinë e artistit të madh Kadri Roshi. Ishte ndër realizmet më të bukura dhe më emocionale teatrale të kohës, jo vetëm në lëvizjen amatore por edhe në atë profesioniste me theks të fortë patriotik.

Ndërkohë në qytetin e Laçit ku banonte një bashkësi e vogël shqiptarësh nga trojet tona në ish Jugosllavi, u dalluan dy vëllezër binjakë, Enver dhe Sabah Ismaili. Ata ishin bijtë e një familjeje të zhvendosur nga shovinizmi serbo-malazez shumë kohë përpara, nga fshati Arzhenicë, afër Plavës e Gusijës, dikur i populluar nga shqiptarët, por sot pa asnjë banor të tillë aty.


Kush ishin Enver dhe Sabah Ismaili?

Vëllezërit binjakë Enver dhe Sabah Ismaili u shfaqën në skenën e Pallatit të Kulturës në Laç me një repertor të veçantë, me këngë me motive kosovare të kënduara me dy instrumenta, sharki dhe çifteli, mbartës të një tradite shumë të bukur folklorike. Motivet, mënyra e harmonizimit të zërave si një duet, ngjashmëria jo vetëm në pamje por edhe në zë, i bëri ata të spikasnin.

Vëllezërit Ismaili po mbanin gjallë, madje po ripërtërinin një traditë të mrekullueshme në kushtet e izolimit të jashtëzakonëshëm.  Kështu ata u bënë një zë i njohur në skenën e Festivalit të Gjirokastrës në vitet e tetëdhjeta dhe përpos ideollogjizimit të imponuar të kohës, arritën të bëheshin zëri i munguar i Kosovës në Shqipëri. Në vitin 1989, zëri i tyre i kishte kaluar kufijtë e Shqipërisë nëpërmjet të valëve të Radio Tiranës dhe kishte mbërritur në veshët e shqiptarëve nga Kosova në Perëndim e veçanërisht atyre në Zvicër.

Në përbërje të një grupi artistik të formatuar mirë nga Radio Shkodra, ata kaluan për herë të parë kufirin, për të dhënë një seri shfaqjesh në Zvicër. Aty u njohën me shumë shqiptarë, vëllezër dhe motra dhe korrën një sukses të jashtëzakonshëm.


Drejt Danimarkës: Një histori tipike emigrimi…

Në dhjetor të vitit 1996 njëri nga vëllëzërit Ismaili, Enveri, bashkë me familjen vendosi të shkonte në mërgim përgjithmonë. Në fillim u vendosën në Belgjikë. Aty i mbijetuan jetës së emigracionit për katër vjet rrjesht, pa mundur të merrnin ndonjë status qëndrimi. Prandaj vendosën ta provonin fatin në një vend tjetër. E tërë familja mori udhën nëpërmjet territorit gjerman, në një qytezë të quajtur Flensburg në kufirin me Danimarkën. Ishte natë e qetë, por pa hënë. Kufiri ishte i ruajtur në të dyja anët. Katër veta nisen ta kalojnë atë kufi në një zonë kënetore të rrezikshme. Ishte vend krejt i panjohur që duhej kaluar në një natë të errët. Enveri, zonja e tij Emrija, djemtë Besmiri 15 vjeç dhe Jimiliani 5 vjeç, hynë përmes një moçali mbuluar me xunkth, nëpër ujëra që nuk ia njihnin thellësinë, të mbuluara me gjethe, pa ditur se ku iu shkelte këmba nëpër terr. Rreziku më i parë ishte të ngecnin në baltë, të zhyteshin në ujë, apo të mbesnin të gjithë në një zonë të papopulluar. Një kalvar i tillë, ngjan me ato të qindra mijëra emigrantëve, të cilët lenë atdheun e tyre, kur jeta për ta, ishte e papërballueshme në vendin e vet. Pas disa orësh ecje, ata dolën në një rrugë, ku kishte një kabinë telefoni me germat DK, që do të thoshte se gjendeshin në tokën e Danimarkës. Me ato pak monedha që kishin, arritën të formojnë një numër telefoni taksie që ishte afishuar në trupin mbajtës të telefonit. Në anën tjetër u përgjigj një zë, në një gjuhë të panjohur. Me vetëm disa fjalë anglisht, që dinte Enveri, arritën të merren vesh. Taksia erdhi fill, ndërsa pas pak pyetjeve të këmbyera me shoferin e taksisë, 4 shqiptarët e drobitur dalluan disa makina policie me drita të ndezura, që po i shoqëronin.  Ata e ndaluan taksinë, e morën familjen shqiptare në një prej makinave të tyre dhe e dërguan në stacionin më të afërt. Pas rreth dy orësh intervistë, autoritet e emigracionit danez i morën dhe i vendosën në një hotel mjaft të mirë, i ushqyen dhe më pas i dërguan në një qendër azili në qytezën Sundholm të Danimarkës


Shqiptarët nga Laçi – Sot dy prej artistëve më të njohur në Danimarkë…

Pasi u vendosën aty, u dallua shpejt se fëmijët e Enverit trashëgonin talentin e babait të tyre. Në Danimarkën e lirë dhe mikpritëse, rruga për ta ishte e hapur, por jo krejt e shtruar. Tani pas 18 vitesh, ata janë dy prej artistëve më të njohur në këtë vend. Por si ndodhi?

Ka një aksiomë që thotë se as talenti pa punë dhe as puna pa talent nuk japin rezultate. Këta djem të rinj i kishin të dyja. Nga njëra anë, ata duket se trashëgonin në gen dëshirën për artin, talentin nga babai i tyre Enver por edhe guximin, trimërinë, shpirtin e sakrificës, vendosmërinë dhe gatishmërinë për t’u ballafaquar me sfidat e jetës, nga familja e tyre brez pas brezi.

Familja Ismaili vjen nga Arzhenica, një fshat dikur i populluar prej shqiptarësh, sot i mbetur në Mal të Zi. Lufta për të siguruar jetesën në atë vend shumë malor dhe gjithaq të bukur nga natyra, është shoqëruar gjithmonë edhe me luftën për mbrojtjen e atij trualli thellësisht shqiptar. Të parët e tyre u ndeshën me hordhitë pushtuese osmane dhe sllave të të gjitha kohërave, për të kulmuar në përpjekjet për mbrojtjen e trojeve shqiptare në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Por vendi i izoluar dhe shkëputja për shkak të copëtimit të vendit, pas shumë përpjekjesh dhe rezistence, i detyroi të merrnin rrugën drejt pjesës së brendshme të Shqipërisë dhe pikërisht në zonën e Fushë Milotit. Aty ata rritën breza të tjerë djemsh e vajzash të një familje të ndershme, punëtore dhe patriote.


Të bësh lajmin e mirë për vete dhe për vendin tend…

Ata me të arritur në Danimarkë, u futën në shkollë bashkë me moshatarët e tyre danezë.  Në pallatin ku ishin strehuar, kishin edhe një bodrum – katër me dy, gjithsej tetë metra katrore.  Ajo do të bëhej studioja e tyre e parë. E izoluan me sfungjerë, polisterol dhe përbërje amballazhesh të vezëve, që të mos bezdisnin askënd në atë vend të qetë. Aty filluan të bëjnë muzikë, ata që sot, janë yjet e muzikës zbavitëse daneze.

Në vitin 2006, kur Jimilian ishte 12 vjeç u radhit midis dhjetë artistëve më të mirë të Danimarkës. Vëllezërit punonin së bashku; Besmiri kompozonte mbi një sintetizator, i ndihmuar nga babai i tij Enveri, i cili iu ofronte motive të bukura veriore të muzikës shqptare. Muzika e tyre po bëhej gjithnjë e më e njohur në qytetin danez Maribor. Autoritetet lokale të qytetit të cilët administornin një qendër kulturore, u interesuan që djemtë të përfomonin në sallat e saj. Shpejt ata jo vetëm që u bënë edhe më të njohur, por u vunë në drejtim të asaj qendre kulturore. Që aty, të ndihmuar nga prindërit me gjithçka që mund të kishin dy prindër emigrantë, ata arritën që zërin e tyre ta bëjnë të njohur në tërë Danimarkën dhe më vonë edhe më tej në Skandinavi.

Kënga e Jimilianit  A’typisk – Vi En (Tipi në Një) numëron në youtube afro pesë milionë shikues; po aq ka edhe kënga Elsker (Dashuria), ndërsa Gjorde Som Vi Sagde (Ashtu siç e lamë) ka afro tetë milionë shikues.

Me studion e tyre, Flexmusic, këta artistë shqiptarë të Danimarkës, kanë trupëzuar mjeshtërisht në muzikën që bëjne, motive dhe tekste nga trashëgimia e pasur shqiptare. Psh në këngen “Ashtu siç e lamë” ata kanë futur motivin e këngës “Rreh si zemër ciftelia”. Kritikët danezë të artit, përpos që e kanë vënë re këtë, e kanë mirëpritur si një risi që pasuron kulturën e tyre.

Dy fëmijë emigrantësh shqiptarë, të rritur me halle, vuajtje dhe sfidat e mërgimit, u kthyen në yjet e vendit që i priti, e në modelin e rinisë daneze.  Besmiri dhe Jimiljani janë sot ndër artistët më popullorë në Danimarkën që njohim të gjithë – vendi i bukur i më pak së gjashtë milion banorëve mendjehapur e të kulturuar.

Vëllezërit Ismaili, dikur i dhanë publikut shqiptar këngët e bukura kosovare, në skena lokale dhe kombëtare folklorike.

Vëllezërit e rinj Ismaili, janë sot në avangardën e muzikës së një vendi nga më të zhvilluarit në Evropë. Ata janë si-vëllezërit e tyre shqiptarë në tërë botën, ku ka me dhjetra e qindra të tillë dhe që bëjnë lajmin e mirë si sfidë jo vetëm morale ndaj lajmeve të këqia që shpërndahen me shpejtësinë e dritës. 

Njohja, evidentimi, përkrahja morale, sfadisfaksioni për atë që bëjnë, është detyrë e diplomacisë së vendeve dhe qeverive tona. Janë pikërisht ata që e nderojnë shqiptarinë kudo që janë. T’i falenderosh ata është shumë pak. Ata meritojnë çdo nderim. Një ditë urojmë ti shohim tek performojnë në Tiranë dhe Prishtinë ashtu si artistët tjerë shqiptarë që u rritën skenave të mëdha të botës.

 

Source: http://www.kohajone.com/2018/07/10/vellezerit-jimilian-dhe-besmir-ismaili-dy-yjet-shqipetare-te-muzikes-daneze/