VËSHTIRËSITË E JETËS E FORCOJNË NJERIUN


VËSHTIRËSITË E JETËS E FORCOJNË NJERIUN

 Kujtime nga gjimnazi ‘’Ismail Qemali” në Laç 1967-1971


Mal Berisha



Prolog

Është një kënaqësi e madhe të shkruash për kujtimet e katër  viteve të shkollës në  gjimnazin “Ismail Qemali” në Laç, 1967 – 1971, pra të maturës së parë të asaj shkolle, pjesë e të cilës ndodhi që të isha edhe unë.   Një gjë e tillë më ka shkaktuar një emocion të veçantë. Përveç të tjerash, kjo është edhe shprehje respekti për sakrificat e prindërve tanë, vlerësim për mësuesit që na edukuan me aq pasion e përkushtim, dashuri për bashkë – moshatarët dhe të njohurit tanë të asaj kohe.

Si u gjeta unë në Gjimnazin “Ismail Qemali” në Laç?

Në shtatorin e vitit 1966 familja ime u dëbua politikisht me forcë  dhe u vendos  në një fshat që kurrë nuk ia kisha dëgjuar emrin: “Shpërdhet”, diku në një brinjë midis Mamurrasit dhe Thumanës në rrethin e Krujës. Prej aty, në vitin shkollor 1966 – 1967 e mbarova klasën e tetë në shkollën 8 vjeçare “Migjeni”, në Mamurras, e cila ishte afro një orë larg nga shtëpia ku jetonim, në grykën e lumit Drojë.

Në fakt, sistemi i ri arsimor me klasë të tetë, pra tetë – vjeçarja, filloi pikërisht në atë vit, në atë brez, në të gjithë Shqipërinë.  Pas mbarimit të tetëvjeçares, nuk m’u dha mundësia që të vazhdoja ndonjë shkollë të ulët apo të mesme profesionale, ndërkohë që Mamurrasi i asaj kohe nuk kishte asnjë shkollë të tillë.

Pikërisht në atë kohë, ndodhi që të vinte tek neve në shtëpi, një djalë që ishte nip në familjen tonë i quajtur Ismet. Ai punonte si elektriçist në Ndërmarrjen Gjeologjike të Rubikut. Ai më mori me vete të më mësonte zanatin e vet. Aty pashë se si punohej dhe e mora me shumë dëshirë. Kalova ndoshta mëse dy muaj si nxënës, pa pagesë. Duke parë si punonte ai, ajo punë më hyri në zemër. Diku nga fundi i shtatorit të vitit 1967 babai im erdhi në Rubik dhe më tha:

“Ti do të kthehesh në shtëpi dhe do të fillosh mësimet në gjimnazin e sapohapur në Laç!”

            Unë e kundërshtova, aq sa mund të kundërshtonte një fëmijë i moshës dhe kushteve të mia, duke iu lutur të më linte në Rubik, pasi më pëlqente zanati. I thashë se gjimnazi nuk do më duhej gjë, pasi thjesht do të merrja ca dijeni por më në fund më priste ushtria dhe më pas do të isha thjesht një punëtor ferme.

Babai im ishte  largpamës nga natyra dhe arsimdashës nga prirjet pasi kishte qenë mësues përpara se bota “t’i shëmbej përpara këmbëvë” jo për fajin e vet… Ai kishte mbaruar Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe kishte marrë mësim nga pedagogë të shquar, ndër ta edhe Jup Kastrati. Pas shkollës ai  kishte dhënë mësim në Theth dhe në zona të thella  të Malësisë së Gjakovës.

 Pra ishte diku nga fundi i shtatorit të atij viti, kur u paraqita në gjimnazin “Ismail Qemali” në Laç. Ishte hera e parë që në atë qytet shtrihej arësimi i mesëm i përgjithshëm. Kjo ishte arësyeja përse klasa jonë do të ishte klasa me nxënësit më të rritur jo vetëm në atë vit shkollor por në të katër vitet shkollore të klasës tonë.

Bashkë me babain u paraqita tek drejtoresha e shkollës, mësuese Bedrie Bajraktari. I ndrojtur siç isha, u gjeta përpara një gruaje shumë të sjellshme, në moshë mesatare, serioze, e ambël në pamje, por autoritare në veprime. Këtë do ta shihja edhe më mirë gjatë kohës kur ajo do të na jepte lëndën e biologjisë. Pasi i paraqita dëftesën e klasës së tetë, ajo më përcolli tek sekretaria e shkollës dhe u rregjistrova. Gjëja më e mirë e asaj shkolle, në ato momente ishte se nuk kërkohej asnjë  dokument tjetër përveç dëftesës së shkollës tetë – vjeçare. Im atë iku sapo u sigurua që ditën tjetër unë do të filloja mësimin.

Ditët e para në gjimnazin “Ismail Qemali” në Laç

Më pas, i ndrojtur dhe i “huaj” në atë mjedis,  shkova dhe u futa në klasë. Isha i veshur shumë thjeshtë dhe shumë pastër. Kisha mbathur një palë atletike të bardha që m’i blenë prindërit për fillimin e  shkollës. Mbaj mend që nxënësit e klasës më pritën me buzëqeshje dhe dashamirësi. Ndoshta ishin Veronika, Izota, Azis Reçi, Caf Mera…që do t’i njihja më vonë.

Njëra nga vajzat, e bia e një mësuesi të quajtur Nesti, Ana, ishte si më e rritura dhe më e shkathëta. Kaloi dita e parë, mësuesit erdhën dhe ikën njëri pas tjetrit sipas lëndeve,  ndërkohë që unë isha krejt si i huaj. Kaluan nja dy ditë dhe unë ende nuk i kisha marrë librat.  Kujdestare ishte një mësuese e re, e cila shumë pak mund të dallonte nga vajzat e rritura të klasës. Duke mos e pas fiksuar ose pikasur mirë se cila ishte ajo, unë bëra “gabimin” e parë: Iu drejtova Ana Balltës,  duke e pandehur për mësuesen kujdestare dhe i thashë:

“Mësuese, kur do t’i marr librat unë?”

Ajo nuk më tha se nuk ishte mësuesja kujdestare por m’u përgjigj me ironi:

“T’i jep mësuesja librat ty!”

Fakti që unë e kisha ngatërruar  Anën me mësuese Verën, shkaktoi të qeshura të forta. Në atë çast unë u skuqa dhe u bëra flakë në fytyrë. Vajzat filluan të qeshnin dhe që nga ai çast më ngjitën nofkën:

 “Faqekuqi nga Mamurrasi.”

Të nesërmen erdhi mësuesja e matematikës, mësuesja e vërtetë, Vera Juka. Ajo ishte një vajzë e sapo dalë nga universiteti, timide, simpatike, e prerë, serioze,  autoritare,  kërkuese por edhe e dashur. U paisa me libra dhe fillova mësimin e rregullt në atë shkollë të re, me mësues të rinj dhe me shokë e shoqe të klasës, të gjithë të panjohur më parë për mua. Pjesa më e madhe e nxënësve të asaj klase kishin kaluar disa klasa të mëparshme bashkë në tetëvjeçaren e Laçit. Pra ata ishin të njohur dhe të shoqëruar qysh më parë. Ndërsa, unë dhe disa të tjerë që do t’i kujtoj në këtë shkrim u njohëm me njëri tjetrin gjatë ditëve dhe muajve të parë të asaj shkolle.



Mësuesja e matematikës Vera Juka


Kush ishte mësuese Vera?

Ajo sapo kishte mbaruar fakultetin. Ishte e qetë, serioze, si lënda që jepte – matematika, kërkuese për mësimin. Ajo shpjegonte me aq pasion, përkushtim, detaje sa ta “nguliste” mësimin në kokë “me zor”. Dukej të ishte shumë shpirtmirë. Gjatë dimrit kur shokët tanë që vinin nga larg, Gajushi, Miloti, Gurëzi, Fushë Kuqja, Gjormi, Zheja, Mamurrasi, futeshin në klasë me vonesë,  të lagur nga rrugëtimi dhe koha e keqe, ajo i ftonte të thaheshin pakëz tek soba me zjarr. Katër vitet me mësuese Verën ishin vitet kur njeriu njihet me një person të tillë që nuk e shkëput dot kurrë nga kujtesa. Me mësuese Verën, unë vetë, por me sa di unë edhe shumë nxënës të tjerë të klasës tonë, mbajmë lidhje, komunikojnë edhe sot e kësaj dite. Falë zotit, ajo gëzon shëndet edhe energji të admirueshme.

Në vitin 2022 kur përurova librin “Ambasador i Pushtetit të Butë”, në Teatrin Aleksandër Moisiu në Durrës, pata kënaqësinë dhe nderin e veçantë që mësuese Verën ta kisha në rradhën e parë të audiencës dhe t’i dhuroja një kopje të librit tim me dedikim. Ishte një moment shumë i ndërsjelltë emocional. Dikur më kishte edukuar dhe m’u duk sikur i ktheva një “resto” mirësie asaj zonje aq të nderuar që arësimin e deshi aq shumë dhe na dha aq shumë mësime për jetën tonë. Ajo vazhdon edhe sot dhe iu jep pa u lodhur matematikë  nxënësve të avancuar në qytetin e Durrësit.

“Kushëriri” im mësuesi pejan, Dedë Berisha

Diku nga viti i dytë, nëse nuk jam gabim, në klasën tonë erdhi për të na dhënë mësim në lëndët histori dhe gjeografi, mësues Deda. Ai ishte nga Peja e Kosovës. Ishte i pashëm. Flokët i rrinin përpjetë dhe i kishte shumë të dendura. Ai vinte në shkollën tonë si kampion i skive në Universitetin e Tiranës. Kishte ecje prej atleti. Tek mësues Deda, një i ri gjente gjithçka të bukur të kohës. Unë gjeja edhe diçka tjetër më shumë:

Mbiemrin e përbashkët: “Berisha”.

Në orën e parë të mësimit kur hyri ashtu krenar, kokëlartë, na përshëndeti dhe filloi të bënte apelin:

Agimi, Agimi, Alqi….Ludmilla… Kur erdhi tek numri 19, që ishte numri im në rregjistër, ai bëri një pauze dhe pyeti:  

“E kush qenka ky kushëriri im këtu?”

Në fakt unë mezi prisja që të futesha në ndonjë lloj lidhje me të, por nuk reagova.

E përsëriti:

“Kush qenka kushëriri im këtu?”

Danieli, shoku im i bankës më tha:

“Folë, se me ty e ka”.

Unë me ndrojtje e ngrita dorën.

Oh tha: “Shumë mirë, këtu paskam një kushëririn tim.”

Kujtimet për Dedë Berishën janë aq shumë sa do ta mbushja këtë libër me to. Por edhe sot e kësaj dite kur degjoj këngën “Kaçurrelja” të grupit muzikor kosovar pejanë të asaj kohe, më kujtohet melodia dhe teksti që na e mësoi profesor Deda:

“…Në lagjen tonë, është një shitore, ku shiten karramela,

Por më kryesorja është punëtorja, me flokët kacurrela…”

Prej mësues Dedës mësova shumë, madje shumë më shumë sesa dinin jo vetëm bashkëmoshatarët dhe bashkënxënësit e mi, por shumë më shumë se dinin edhe mësuesit. Për shëmbull, në biseda veçmas, ai më mësoi për teorinë famëkeqe të Vasa Çibruloviçit, me elaboratin e tij “Dëbimi i Shqiptarëve” që është plaltforma sllave e shfarosjes së kombit shqiptar, e paraqitur prej këtij akademiku famëkeq, shovinist serb në Klubin Serb të Sarajevës në Mars të vitit 1937. Po ashtu ai më tregonte për demonstratat e vitit 1968 të cilat neve ende nuk i kuptonim aq mirë në atë kohë.

Ai vetë bashkë me motrën Lezen kishin ikur nga Kosova dhe kishin ardhur në Shqipëri.

Në fakt ishte dashuria që ai më mëkoi për ato lëndë që jepte, që më bëri të shënoja degën Histori – Gjeografi në kërkesën që bëra për shkollën e lartë, pas mbarimit të gjimnazit. Edhe pse  nuk shkova dot atje, më vonë, u mora me shkrime historike të cilat gjithmonë më kujtojnë mësues Dedën dhe mësimet e tij.



Mësuesi ynë dijetar Sofokli Rrapi

Në vitet që pasuan na erdhën edhe dy mësues të rinj. Njëri ishte Sofokli Rrapi. Ai ishte një dijetar i vërtetë. Dinte aq shumë nga fizika dhe teoritë e sputnikëve sovjetikë, për Juri Gagarinin dhe udhëtimet kozmike. Mbaj mend se ai na spjegonte për uljen e njeriut të parë në Hënë, amerikanit Neil Armstrong, në korrik të vitit 1969.

Kur e vizitova bazën e lëshimit të raketave kozmike dhe pikërisht kapsulën e raketës Apollo 11 në bazën e tyre të lëshimit në NASA në Florida  të ShBA – së bashkë me djemtë e mi, iu fola atyre për atë që mësues Sofoja na kishte mësuar në ato kohëra të herëshme të fillimit të udhëtimeve të tilla.  Mësues Sofoja, dinte largësinë në kilometra midis Hënës dhe Tokës dhe fliste për të ardhmen e udhëtimeve në kozmos. Prej tij, në atë kohë kam dëgjuar për herë të parë se si njerëzimi bënte përpjekje për të komunikuar me lidhje telefonike jo-kabllore, që ishte koncepti i sotëm i telefonit celular.

 Ai na fliste për ekuilibrin ndërplanetar dhe për aq shumë kuriozitete shkencore sa edhe sot habitem ku i merrte vesh ai ato dijeni, në ato kohë!? Kam përshtypjen se ai lexonte nga ndonjë fond i veçantë bibliotekar. Mësues Sofoja u martua me njërën nga vajzat më të mira të gjimnazit, me Suzanën me të cilën kaluan jetë shumë të lumtur. Për fat të keq mësues Sofoja ndërroi jetë shpejt, shumë kohë  pasi kishim mbaruar neve shkollën.



Mësuesi i letërsisë Asllan Bami



Mësuesi tjetër që erdhi po në atë kohë ishte Asllan Bami. Mësues Asllani ishte pedant, i sjellshëm, qytetar krutanë, shumë i përgatitur. Ato që mësova prej tij për letërsinë më shoqëruan tërë jetën si një thesar i çmuar kulturor. Nëse edhe sot di të recitoj shumë poezi nga autorë shqiptarë, rusë dhe anglezë ajo është meritë e mësues Asllanit. Ai na e nguliti dashurinë për letërsinë e vëçanërisht për Shekspirin.

Kur e vizitova qytetin shekspirian, Stratford-upon-Avon, në Angli, ku gjënden statujat e Hamletit, Makbethit, Gertrudës, Otellos, etj, përpara Teatrit të Companisë Shekspiriane, apo  kur pashë operan Eugeny Oniegin në Balshoi Teatër në Moskë e cila filonte me fjalët:

“Po marr guximin që t’ju shkruaj,

Çdo  deshe më veç shpirtit tim ,

E di se është e drejta juaj,

Të më dënoni me përcmim!

Në mëndje më vinin mësimet e Profesor Asllanit, që na i spjegonte me aq shumë pasion e dashuri tragjeditë e tyre. Profesor Asllani jeton në Itali. Nganjëherë shkëmbejmë mesazhe dhe jam i lumtur që jeton një pleqëri të qetë dhe që më dha aq shumë dashuri për gjërat e bukura të kësaj jete dhe mbi të gjitha pasionin për majën botërore të letërsisë. Në Institutin e Arteve, ku stdujova pas gjimnhazit, letërsinë na e dhanë pedagogë të njohur të asaj kohe si Adriatik Kallulli, Razi Brahimi, Emine Oktrova ndërsa historinë e teatrit na e dha Miho Gjini, njëri nga emblemat e kësaj fushe në Shqipëri që vazhdon dhe shkruan edhe sot.

Mësuesi i kulturës fizike Ndue Tarazhi

E kujtoj me shumë respekt profesorin e edukimit fizik, Ndue Tarazhin. Shumë i përgatitur fizikisht, ishte gjithmonë në humor, por rëndësi të madhe i kushtonte edhe lëndës së tij. Ai kishte anëtarë të familjes Tarazhi në Mamurras, ndaj ne ishim pak si “patriotë”.

Mësuesja e rusishtes Perihan Guni

Për mua një nga mësueset më intersante ishte Perihan Guni. Ajo ishte një grua “hijerëndë” në pamje shumë autoritare dhe shumë e mbajtur. Mësuese Perihani ishte aq pedante se me atë nuk “bëhëj shaka”. Unë nuk kisha bërë gjuhë ruse në tëtëvjeçare dhe ndryshe nga nxënësit e tjerë nuk më kërkohej të mësoja rusisht as në gjimnaz. Por zyshe Perihani desh më rrëzoi në maturë. Ajo më dha t’i mësoja për mendësh 17 mësime në gjuhën ruse pikërisht në prag të provimeve të maturës. I mësova të gjitha, por jo fjalë për fjalë. I mësova fjali për fjali dhe kur ja thashë për mendësh më dha notë kaluese. Disa prej tyre i mbaj mend edhe sot siç është “Zgalemi”.

Mësuesit  tanë: Avni Fida, Sadik Lama, Vladimir Jorgji, Ferdinant Kopali, Pashko Camaj, Fatmira Pojani,  Llambi Kacori, Bujar Marika, Luiza Trebicka…



 Më kujtohet mësuesi i fillimit të asaj shkollë, Avni Fida. Edhe sot më kujtohet theksi i tij dibranë kur më thoshte: “Or Malë, pa hadje njiherë në dërrasën e zezë!” E kam takuar këto vitet e fundit bashkë me të shoqen, mësuese Lavdijen dhe të bijën, mjeken shumë të njohur e të nderuar Monika Fida. Edhe pse vitet kanë kaluar, mësues Avniu ishte i freskët në memorje dhe kujtonte me detaje ato vite të para të shkollës tonë.

Sadik Lama, ishte një mësues i mrekullueshëm krutanë. Më vonë unë e kisha edhe shef në seksionin e arësimit dhe të kulturës të rrethit të Krujës.

Vladimir Jorgji na dha mësimin e shkencave të sakta disa kohë dhe më vonë ai u caktua pedagog në Fakultetin e Inxhinierise së Ndërtimit. Aq i aftë ishte.  

Ferdinant Kopali ishte  një intelektual i mrekullueshëm që vinte nga Tirana. Ai nuk jeton më.

 Po ashtu patëm edhe një mësues shqiptar nga Mali i Zi me emrin Pashko Camaj. Ai ishte shumë nevrastenik dhe zihej me këdo që i dilte përpara. Një herë na u zu me një autoritet lokal të Laçit dhe e quajti “Vorio Epiriot.” Ishte hera e parë që e dëgjoja atë fjalë e cila vite më vonë u bë objekt i studimeve të mia gjeopolitike, madje botova edhe dy libra për këtë temë. Njëri është përkthim, i një libri të shkruar për “Shqipërinë e Jugut apo Epirin e Veriut”  nga amerikania Edith Pierpont Stickney e Universitetit Stanford të Kalifornisë. Me atë studim, ajo kishte marrë titullin Doktor i shkencave në Histori.

Mësuesja e anglishtes, Fatmira Pojani ose Makja siç e quanim neve, edhe ajo erdhi në klasën e tretë të gjimnazit. Ishte e sjellshme, e brishtë dhe e dashur.

 Ndersa Llambi Kacori ishte mësuesi prej të cilit nxënësi mund të priste gjithçka të mirë që ofron një intelektual: Njeri serioz, i përgatitur dhe i veçantë në sjelljet e tij.

 E për të mos u harruar është edhe Bujar Marika, mësuesi i vizatimit teknik. Prej atij mësuam rregullin, sistematikën, estetikën. Dhe stilin e të veshurit. Te gjitëve na pëlqente veshja e tij me xhaketa kadife të një  stili që ishte përpara kohës në modën e atherëshme.  Miqësia me të vazhdoi kur ai u bë piktori i Dhomës së Tregëtisë në Tiranë. Më pas u caktua në ambasadën shqiptare në Zvicër. Edhe ai ka ndërruar jetë.

Kujtimet më të mira edhe për mësuesen Luiza Trebicka.

Edmond Kokalari dhe vëllazëria e përherëshme me të.



Pas dy tre ditësh që kur kisha filluar shkollën, mësova se po ashtu, nga Mamurrasi vinin edhe dy nxënës të tjerë: Njëri ishte Edi Kokalari ndërsa tjetri Ndoc Prela.

Të tre vinim nga tre krahina të ndryshme. Edi ishte me origjinë nga Gjirokastra, i biri i Vaidit, një burri zotni, që punonte në mekanikën bujqësore në ofiçinën e fermës së Mamurrasit, ndërsa e ëma, Gjyle Kokalari ishte një supërzonjë, një grua e mençur e pashme dhe shumë bujare. Ajo ishte ekonomiste në fermën “Skënderbeg”. Ata jetonin relativisht mirë për standartin e kohës dhe gjëja që më bëntë më shumë përshtypje ishte se i ati i Edit mbante bletë dhe shtëpia e tyre kishte përhere mjaltë në tavolinë. Dashuria e atyre njerëzve më ka shoqëruar tërë jetën. Edi vetë ishte një djalë çapkën, i shkathët, kavaljer, kaçurrels simpatik, jo shumë i përqëndruar, bujar që të jepte shpirtin. Ishte i madhi i katër vëllëzërve dhe nuk kishin motër. I pëlqente të kërcente dhe na mësontë të gjithë çunave që na vinte “turp” të vallëzonim.

            Me Edin ndanim një rracion buke pesë lekëshe me një llokum, pas mësimit. Pas kësaj ose prisnim për ndonjë makinë që do të na merrte për Mamurras e që ndodhte shumë rrallë, ose të niseshim në këmbë që kërkonte fiks dy orë. Edi ishte po ashtu më i shetitur. Kishte kaluar një vit në Tiranë. Mbrëmjeve të vallëzimit kur të gjithë nxënësit e qytetit shkonin në shtëpi për të pushuar e pastaj për të ardhur në sallën e gjimnazit, neve me Edin e vrisnim kohën rrugëve të Laçit. Pastaj vinte mbrëmja. Familja Zorba, Astriti me vëllëzër ishin muzikantët e dashur të qytetit. Sapo kërciste akordi i parë muzikor, i pari ishte Edi që shkonte, pa asnjë kompleks, ndrojtje apo “turpi” dhe merrte damën që i pëlqente. Lirshmëira e tij ishte e admirushme. Na ndodhte që mbrëmjet e vallëzimit mbaronin vonë dhe neve ktheheshim në këmbë për në Mamurras. Një herë desh na shqyen qentë e Gjormit, pasi nuk ishim përgatitur për tu mbrojtur. Herët tjera përpara se të niseshim rrugëve të Gjormit merrnim nga një shkop me vete.

Të dy e kishim afër stacionin e trenit në Mamurras, por oraret nuk ishin të përshtatshme për orët tona të mësimit. Por kishte edhe një problem tjetër: Nuk kishim të paguanim për bileta. Këtu bëhej dallimi njerëzor midis faturinove të trenit. Kishte prej atyre që bënin një sy qorr dhe nuk na thoshnin gjë, madje na lejonin të hypnim në tren dhe bënin sikur na kontrollonin. Por kishte prej atyre që ishin vërtetë zemërzeza. Një herë më qëlloi që ishte ditë e tmerrshme me shi dhe nuk kisha mundësi ta bëja rrugën në këmbë. Shkova tek treni. Një nga fatorinot, nga Durrësi, që më dinte se isha pa biletë, ma përplasi  derën e vagonit në fytyrë  ndërkohë që treni po nisej. Unë isha kapur në dorezat e trenit. Librat i kisha në një çantë prej cohe dhe po mbahesha në dy hekurat mbajtës të derës së mbyllur të vagonit. I tërë uji i mbulesës së vagonit filloi të binte mbi kokën time. Dikur edhe librat më ranë nga duart se nuk i mbajta dot më. Zbrita në stacionin e Gjormit dhe u ktheva në këmbë nëpër trase. I gjeta librat të shpërndara dhe të lagura. E tillë ishte jeta!

Me Edi Kokalarin edhe sot kur takohemi i thërrasim njëri tjetrit Vëlla! Se të tillë u ndiem tërë jetën!

Ndoc Prela, ishte po ashtu një djalë që e filloi gjimnazin me neve, por nuk mbaj mend ta ketë përfunduar me neve.

 Pas nesh, erdhën edhe dy nxënës të tjerë në klasa pasardhëse. Njëra nga Mamurrasi ishte Adelina Berisha, vajza e Kolë Berishës, me origjinë nga Gjakova dhe tjetri Xhemal Xhafa, nga Thumana.

Agim Doda, nxënës, rregjisor dhe artist i qytetit Laç.



Agim Doda ishte për mua një shok i veçantë pasi me të u lidhëm shumë. Ai ishte nga Gjormi dhe banonte bash tek një kodër mbi fushën ku është zhvilluar Beteja e Albulenës e Skënderbeut. Familja e tij ishte  me origjinë nga Dibra dhe Hasi. U bëmë si vëllezër. Jo rrallëherë shkonim edhe tek shtëpiat e njëri tjetrit. Agimi ishte shumë i dhënë pas letërsisë. Ai shkruante poezi, tregime madje edhe drama. Kalonte shumë kohë me një rregjisor të qytetit të Lacit, Rifat Poga i cili e inkurajoi të merrej me teatrin. Jeta e solli që të ishim nxënës bashkë në gjimnaz në Laç, studentë në Tiranë, në Institutin e Larteve të Arteve dhe më vonë kolegë në punë, po në Laç. Pas shkollës ai u bë rregjisor i njohur dhe la gjurmë në traditën kulturore skenike të qytetit të Laçit.  Veprimtaria e tij krijuese dhe artistike, qoftë në Pallatin e Kulturës, qoftë në rrethin letrar të qytetit, qoftë në shtypin periodik të kohës, por edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka lënë gjurmë në njohjen e qytetit të Laçit. Edhe sot i mbajmë lidhjet edhe pse nga distanca të mëdha.

 

“Schulz-i”  i klasës tonë, Alqi Lango…

 

Në klasën tonë, gjenerata e së cilës ishtë katër vjet më e madhja, kishte shumë nxënës nga qyteti. Ndër ta ishte Alqi Lango, një djalë shumë i shkathët, shumë i mirë në mësime dhe me aftësi drejtuese. Luante futboll dhe ishte pjestar i ekipit të kategorisë së tretë me emër “Industriali” i Laçit. Neve e thërrisnim “Shultz” pasi ishte i bëshëm, bjond, hapa-këmb dhe na pëlqente ta thërrsinim “Shultz” sepse na ngjante me fotbollistin e famshëm të kombëtares gjermane, Willi Schulz fakeqësisht, me të u pamë në 50 vjetorin e gjimnazit, por më vonë ndërroi jetë.

Pjetër Mili, letrari model i klasës tonë

Midis shokëve që nuk harrohen ishin edhe Pjetër Mili, nga Gajushi i Zejmenit të Lezhës. Sot kur kaloj me makinë dhe shoh tabelën Gajush, afër Lezhës, them me vete:

“ O zot, po si vinte ky njeri në atë kohë deri në Laç me makina rasti apo me këmbë nëpër shi, erë e borë!?” Pastaj kujtoj se si të njejtën gjë bëja edhe vetë në anën e kundërt të qytetit të Laçit.

Pjetri mbaroi me rezultate të larta dhe u bë edhe vetë mësues i dalluar. Në 70 vjetorin e datëlindjes, vajza e tij, Eugena, më telefonoi dhe më kërkoi t’i bëja një përshëndetje me atë rast, me një video-mesazh – surprizë.  Shkova dhe e rregjistrova mesazhin përpara fasadës së shkollës tonë në Laç bash,aty ku kishim mësuar katër vite së bashku me Pjetrin. “Kameramane” ishte zonja ime Donika, e cila pasi e rregjistroi  atë fragment shumë kuptimplotë ndoshta tre minutësh, më tha:

 “Sa bukur është kur njerëzit nuk i harrojnë miqtë dhe shokët e fëmijërisë”  

Eugena e kishte shfaqur videon si surprizë tek i ati dhe të pranishmit dhe u ndjeva shumë mirë kur vajza e tij më tha se sa shumë ishte gëzuar Pjetri!

Një homazh për Kolë Dedën e ndjerë

Një ndër shokët tanë të asaj kohë ishte edhe i ndjeri Kolë Deda, të cilin në vitin e maturës, 1971 e zuri epidemia e fruthit. Ai u sëmur rëndë dhe u shtrua në spital në Tiranë. Kur shkuam ta shohim ai ishte enjtur dhe zverdhur. Kortizoni e kishte lodhur shumë. Prapëseprapë ishte me shumë humor. Ai fliste me një dialekt të fortë malësorësh të mbi – Shkodrës. Ishte pranverë dhe koha ishte e ngrohtë. U ulëm bashkë me Kolën tek një stol poshtë selvive të spitalit. Ai po na tregonte me humor si e kalonte kohën në spital.

Kolë Deda, ishte i vetmi nxënës i klasës tonë që vdiq pa e mbaruar shkollën. Në një nga fotot tona të klasës, me Kolën jam në foto me krahët hedhur njëri tjetrit. Ai mbetet në kujtimet e mia si një rast shumë i dhimbshëm për jetën e tij të që u fik në moshë aq të re.

Gegë dhe Kolë Piroli

Nxënës që vinin nga larg ishin edhe Gegë dhe Kolë Piroli. Ata ishin dy djem që për nga sakrificat mund të përbejnë një rast studimor. Sidomos Gega ishte nxënësi më i mirë i klasës në matematikë. Vinin që nga Zheja, një fshat i thellë buzë lumit që kalon pranë Gjormit. Jetonin plotësisht si në fshat pasi nuk kishin asnjë të ardhur nga ndonjë punë shteti. Nuk i lanë të shkolloheshin për arësye politike, sado që e meritonin.

Ngaqë mësonte mirë, nxënësi që i sillte përherë prindërit në mbledhjen e përbashkët të këshillit pedagogjik ishte Gega. Preçi, i ati vinte me tesha kombëtare katolike të Zhejës, dhe ishte shumë krenar për të birin. Kishte të drejtë. Shumë prej nesh nuk dëshironim që prindët tanë të vinin në mbledhje sepse…kuptohet do të dëgjonin gjëra që mund të mos iu pëlqenin për sjelljen dhe përparimin tonë në mësime.

Një herë kur ishim në zbor na bënë një ushtrim të rrezikshëm me kundragazë në dhoma të helmuara me koncentrat avulli të Klorpikrinës. Ushtrimi ishte i tillë: “Ushtari” duhej të futej në çadrën e helmuar, të mbante kundragazin në dorë dhe të mbyllte sytë. Pastaj duhej të veshte kondragazin dhe të mos merrte frymë 30 sekonda. Pas kësaj duhej të lëshonte frymën me forcë që të dilte ajri i helmët. Pastaj duhej të fillonte të merrte frymë i siguruar nga kundragazi. Disa prej nesh e kaluan me sukses provën. Por Kola, si duket mori frymë para kohe dhe kjo i shkaktoi helmim të menjëhershëm. Ai u shtri për tokë dhe filloi të nxirrte shkumë nga goja. Ishte çast dramatik por më shumë se për të gjithë ishte për Gegën pasi ishin si vëllëzër. Për fat Kola shpëtoi. Sot mesa di unë, Gega është bërë një sipërmarrës i suksesshëm. Të dy ishin njerëz me moral dhe integritet shumë të lartë. Ata janë modeli i sakrificës dhe intgritetit të banorëve të krishterë të asaj ane.



Daniel Kola, nga Fushë Miloti

Daniel Kola vinte nga Fushë Miloti. Një djalë fantastik, i gjallë dhe i shkathët. Pak ironik por shumë i dashur. Ai nuk arriti të shkonte në shkollë të lartë.

 U takuam shumë vite më vonë në kohën e demokracisë. Pata mundësinë që ta ndihmoja të merrte drejtimin e Postës së Policisë së qytetit Laç, për disa vite.  Pas aq shumë vitesh, patëm kënaqësinë që të pinim kafenë e mëngjesit në Laç, për një periudhë disa mujore.

Shoqet dhe shokët tjerë të klasës tonë

Është e vështirë të kujtohen të gjitha por mbaj mend që Liliana Lika ishte një ndër vajzat e shkathëta ndërsa Izota Katuçi, matjania e zgjuar ishte një ndër nxënëset më të mira të klasës.

U mrekullova kur pas mëse 44 vjetësh që kur kishim mbaruar gjimnazin bashkë me Izotën, më erdhi në zyrën time të Ambasadorit të Shqipërisë në Londër, një vajzë e bukur bashkë me të fejuarin. Ishte vajza e Lulzim Avdylit  dhe Izota Katuçit, shoqes time të klasës. E prita sikur të ishte vajza ime. Që atherë, herë pas here shkëmbejmë ndonjë mesazh.

 E tillë ishte edhe Veronika Buxhaku e cila u bë mësuese matematike. Veronika ishte zgjedhur edhe kujdestare e klasës dhe mbahet mend për rregullin dhe disiplinën që e karakterizonte.

Edhe djali i Veronikës Dorian Cfarku më gëzoi kur erdhi me të fejuarën në zyrën time në Londër dhe më tregoi se mami i kishte treguar se kush punonte  aty, prandaj donte të më takonte. I prita edhe ata me shumë dashuri.

Shoqe të tjera të klasës ishin edhe Vida Jakova, Rajmonda Nako, Irma Zavalani, Sanije Likdisha, Vjollca Muho, Feride Lika, Pashke Vathi, Ludmilla Muco, Adriana Bifsha, Leonora Goxhaj, Kozeta Lako, Zhuljeta Çakshiri.  Shokët tanë të mrekullueshëm ishin edhe Agim Shtylla, Përparim Shullazi, Gjin Zajzi, Syrja Zuna, Aziz Reci, Vasil Duro, Ali Kolollari, Ismail  Voka, Sander Doçi. Në fakt jo të gjithë e filluam dhe e mbaruam shkollën bashkë për shkak të trasnferimeve ose largimevë ose edhe ndërprerjes së shkollës prej disa nga shokët dhe shoqet tona. Mbase ndonjë nga shoqet dhe shokët e klasës mund t’i kenë shpëtuar kujtesës time dhe ju kërkoj ndjesë.

Një “incident” në fshatin Gorre më Ana Balltën

Vjeshtën e vitit të parë të shkollës, neve, nxënësit e klasës tonë na dërguan që të ndihmonim kooperativistët.  Aty do të punonim në bujqësi, të mblidhnim të lashtat e asaj vjeshte. Aty kishin ngritur një çadër mencë ndërsa flinim në shtëpitë e fshatarëve. Unë flija tek shtëpia e një vendasi me emër Prel Vata. Një ditë, në drekë tek po hanim, unë isha ulur me shpinë nga dera a çadrës – mencë, ndërsa Ana Ballta ishte përballë meje. Si “dreqkë” që ishte   më tha:

“Kush ashtë ai burri që të kërkon ty tek dera?”

Unë u ktheva, por nuk pashë njeri! Kur iu ktheva prapë drejt Anës pashë që ajo më kishte futur lugën në sahanin e alumintë të pilafit tim. Aty plasi një e qeshur që më bëri të mbetem “pa drekë” nga turpi.

Kjo situatë kaloi dhe miqësia dhe shoqëria me ata 30 nxënës u bë gjithnjë më e fortë dhe më e bukur.

Puna prodhuese në gjimnaz

Gjatë viteve të gjimnazit neve kishim një muaj punë prodhuese. Meqë Laçi ishte zonë industriale me zhvillim të shpejtë, praktikat tona mësimore i bënim në Uzinën e Superfosfatit. Aty mësuam të bënim analizat e acidit sulfurik i cili kontrollohej çdo 15 minuta për të ruajtur përqëndrimin e duhur. Pastaj mësuam të përdornim tornon dhe të bënim bullona. Është e pabesueshme ndoshta, por mësuam edhe se si të bënim kalandra të mëdhaja për ato gabaridet e uzinës. Në një farë aspekti secili prej nesh pas gjimnazit mund të gjente një punë në uzinë.

Pasditet e mia në Laç!

Pasditet e mia në gjimnaz ishn orët më të vështira. Duhej pritur për makinë rasti që të shkoja në shtëpi ose të udhëtoja plot 10 kilometra në këmbë. Makinat rrallë gjëndeshin, pastaj shoferat pak a shumë na njihnin dhe e dinim se ne nuk ju jepnim dot ndonjë gjë, e nuk na merrnin. Autobusat kalonin ose heret në mëngjes ose pasdite vonë për Fushë Krujë por në linja të kundërta. Edhe ata donin lekë. Nganjëherë bashkë me Edi Kokalarin e bënim kthimin deri në shtëpi në këmbë.  Kur vonoheshim,  mbetej të bëja “një pushim” tek një dyqan të cilin e doja shumë. Ishte reparti i riparimit të radiove që e mbante Jakupi. Ai ishte një teknik i shkëlqyer dhe nuk mërzitej me pyetjet e mia për llampat që përdoreshin atherë për radiot, bobinat, kabllot, valët radiofonike, antenat… Orë të tëra i kaloja aty, pastaj gjëndej ndonjë mënyrë që të shkoja në shtëpi…

Aksioni në tarracat e Jonufrës në  bregdet dhe rrëmbimi i avionit grek

Lezeti ynë më i madh ishte aksioni në terracat e bregdetit. Vajtja në Jonufrën dhe Lokovën e atëherëshmë ishte si të shkosh sot në Portofino të Italisë kur nuk ke dalë kurrë jashtë shtetit. Një vit vajtëm në Jonufër. Prej aty ndodhte që mbas – diteve dilnim në Vlorë. Qyteti në sytë tanë ishte i mrekullueshëm.

 Një ditë ndërsa po punonim në tarracat e brezareve të Jonufrës na u tërhoq vemendja kur pamë dhe dëgjuam se mbi kokat tona po vërtitej një aeroplan pasagjerësh. Ai bëri më shumë se 10 rrotullime dhe ne po i numëronim me kureshtjen e nxënësve që na bënte përshtypje çdo gjë që jo më që neve rrallë na ndodhte të shikonim ndonjë aeroplan. Pasi bëri disa rrotullime mbi Vlorë dhe rrethinë, pamë që diku vajti dhe u ul. Duhet të ketë qenë aeroporti i Vlorës.

 Ai ishte një avion pasagjerësh grekë i marrë peng nga një mjek i cili quhej Ciril e që  donte të arratisej nga Greqia në Shqipëri.  Më vonë u tha se ai kishte ardhur për të helmuar ujësjellsin e Tiranës. Sa e vërtetë ishte kjo, askush nuk e din.

Mbasdite neve vajtëm tek hoteli ku ishin pasagjërët e avionit të rrmëbyer. Me vete kishim Adriana Bifshën, shoqen e klasës nga Himara që fliste greqisht. Në hotel ishin ca gra greke të strehuara pas incidentit. Adriana na tregoi sesi ato ishin të shokuara nga ulja e detyruar e avonit në Vlorë pasi ishin nisur nga Janina për në Athinë për tek njerëzit e vet dhe kishin përfunduar në Vlorë.

Aksioni në Lukovë dhe vdekja e nxënëses korçare Lida Çollaku

Vitin tjetër na dërguan  në brezaret e Lukovës. Aty ishte një mrekulli për kohën. Gjetëm edhe studentë të Institutit të Lartë të Arteve. Mbrëmjen e parë e kaluam në një ballo vallëzimi me nxënës gjimnazistë nga Korça. Kërcyem bashkë edhe pse nuk e njihnim njëri tjetrin. Komandant i aksionit ishte një njeri që na bëntë përshtypje mbiemir i tij: Minella Gjenerari. Të nesërmen na lejuan të zbrisnim që të laheshim në plazhin e Lukovës bashkë me nxënësit nga gjimnazi i Korçës. Ishte mëngjes rreth orës 11.00 kur u futem në ujë. Papritmas pamë një trup vajze që po shakullisej nëpër ujë. Ne djemtë e Laçit qemë shumë afër dhe shpejtuam ta nxirnim në breg. Fatkeqësisht ishte e pa shpresë. Lida Çollaku, gjimnazistja korçare që e kishim takuar dhe vallëzuar  me të një natë më parë na vdiq nëpër duar.

Edhe sot e kujtoj atë moshatare tonën që pësoj sulm në zemër. E mbaja mend nga mbrëmja e natës së mëparshme kur vallzuam bashkë. E transportuam si mundëm deri në qëndër të fshatit, pastaj e nisën për Korçë, pa jetë. U tronditëm shumë.

Mbrëmja e Maturës dhe surprizat e asaj nate

Kaluan katër vite, po vinte mbarimi i shkollës dhe do të bëhej mbrëmja e maturës. Në atë kohë, punova ca ditë në vreshtat e Mamurrasit me një pompë spërkatje me koçifos, një helm shumë i fortë. Ai helm kishte vetinë që ta prishte lëkurën. Kur më thanë për foton e maturës isha krejt i rrjepur nga dielli dhe koçifosi. E bëra foton dhe, edhe pse isha 19 vjeç, më dukej vetja si një njeri i fishkur. Ajo foto është në polifoton e maturës, 1971.

Është e kuptueshme se sa modeste ishte ajo mbrëmje. Muzikë me fizarmonikën e Astrit Zorbës dhe vëllezërve të tij, një darkë shumë e thjeshtë, kërcim deri vonë dhe pastaj…do të ndaheshim!

Në atë mbrëmje ‘kushëriri im” mësuesi Dedë Berisha shpalli fejesën me Vera Gjokutajn, shoqe e klasës tonë. Ishte shumë e habitshme që askush prej nesh nuk kishte vënë rë që ata të dy mund të kishin ndonjë lidhje. Atë natë ajo lidhje u bë publike.  

Pranvera ishte modeli i vajzës me vetitë më të mira të asaj kohe dhe kjo lidhje ishte mëse e bekuar. Deda Ishte njeri shumë i dashur. Pas luftës u kthye në Pejë, por nuk jetoi gjatë. Vajza e tij Ani është po ashtu është një vajzë e mrekullueshme.



 Shkurt, pas mbarimit të gjimnazit…

            Më 10 Gusht 1971, në qytetet e Milotit, Laçit, Mamurrasit, Fushë Krujës dhe Krujës u afishuan listat e maturantëve të gjimnazeve dhe të nxanësve nga Rrethi i Krujës, që ishin aprovuar për të ndjekur shkollat e larta, në Universitetin e Tiranës ose nëpër Institute të ndryshme të vendit. Fatkeqësisht, emri im nuk figuronte në atë listë.

Megjithatë, falë këmbënguljes titanike të prindërve të mij  dhe një zixhiri rrethanash fatlume për mua, unë arrita që më datën 1 shtator të atij viti të ulesha në bankat e Degës së Kulturës në Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë.

Dijenitë e marra në gjimnaz dhe sigurisht ato në Institut u bënë bazë e shëndoshë për të ardhmen time të mëvonëshme në çdo sektor ku punova që nga Borizana, Laçi, Stambolli, New York – u, Prishtina, Londra dhe Tirana.

Nga dëbimi në Shpërdhet – tek Mbretëresha Elizabeth

Mbase do të më merret si mungesë modestie rrëfimi i mëposhtëm por e ndjej se djemtë dhe vajzat e breznive që do të vazhdojë të mbushin bangat e këtij gjimnazi dhe të shkruajnë historinë me punën dhe progresin e tyre, mund t’a marrin si një nxitje që njeriu duhet të punojë shumë dhe kurrë mos të thyhet sado e vështirë t’u duket jeta. Prandaj po shtoj këtë fragment që e kam botuar në librin tim “Ambasador i Pushtetit të Butë”. Është një çast meditativ, retrospektiv në ditën e dorëzimit të Letrave Kredenciale para Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar Elizabeth II në Buckingham Palace. Londër.

“…Agimi i datës 27 qershor i vitit 2013 do të ishte një ndër mëngjeset më të rëndësishme, më interesante dhe më të bukura të jetës time. Ishte dita kur do të paraqisja letrat kredenciale para monarkes më të vjetër në moshë dhe detyrë të botës, Madhërisë së Saj, Elizabetës së II – të, Mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

… Pasi hypëm në karrocën mbretërore, Marshalli i Mbretërisë, z. Charls Grey na shpiegoi disa gjëra interesante rreth ceremonisë, takimit me Mbretëreshën dhe vetë historisë së atyre karrocave me të cilat neve po udhëtonim. Ajo ishte prodhuar në vitin 1860, në kohën e Mbretëreshes Victoria. Udhëtimi do të zgjaste rreth një gjysëm ore nëpër rrugët e Londrës. Parakalimi ynë i asaj dite ishte një atraksion për mijërat e turistëve që mbushnin rrugët e atij qyteti në atë ditë të bukur vere dhe që na fotografonin me aparatet e tyre. Neve na shoqëronin tre karroca, një për çiftin ambasadorial, dhe dy të tjera për stafin e ambasadës. Në trokun e atyre kuajve unë ndjeva rrapullimën e viteve që kisha kaluar deri në ato çaste, ndërsa tani dua t’i kthehem shumë shkurt këtij rrëfimi aty ku e nisa:

“Ishte dita kur mendoja se si kalova nga “Dëbimi në Shpërdhet – tek Mbretëresha Elizabeth!?”

Pra, po  kaloja rrugëve të Londrës me barrën e kujtimeve të ngjarjeve që më kishin sjelle deri aty, me vështirësitë, sakrificat, arritjet dhe sukseset, pse jo ndonjëherë edhe dështimet. Pranë meje kisha njeriun tim që nuk më la asnjëhere të cedoja, sado e vështirë apo e bukur të kishte qenë jeta: Donika, me të cilën ishim lidhur që prej vitit 1977, kishim sjellë dy djem në jetë dhe kishim bërë gjithëçka për mbarëvajtjen dhe edukimin e tyre po aq sa edhe për ndërtimin e një jete të ndershme dhe të vlefshme jo vetëm për veten tonë, por edhe për vendin tonë, kudo që e përfaqësuam.

Epilog

Çfarëdo që të ndodhë në jetë, sado shumë njerëz të kemi njohur, asnjëherë nuk do të shlyhen nga memorja jonë ajo shoqëri, ato vite, ato sakrifica por edhe ato themele që i hodhëm të ardhmes tonë, falë atyre përpjekjeve të prindërve tanë, falë atyre mësuesve të mrekullueshëm, falë edhe asaj dashurie njerëzore që na mëkoi dhe na gatoi ajo kohë rinore.

Në pesëdhjetë vjetorin e shkollës neve u mblodhëm po me atë dashuri që na kishte karakterizuar në ato vite të gjimnazit. Ishin çaste të lumtura. 

Kurrë nuk kam dëgjuar që ndonjë prej shokëve dhe shoqeve të klasës tonë të jetë përfshirë në ndonjë akt të pamoralshëm, të paligjshëm, të papranueshëm për familjen dhe shoqërinë.

Kjo është arësyeja përse jemi kaq krenar për njëri tjetrin, kudo që jemi edhe sot e kësaj dite.

Nëse ndonjëherë, ndonjë nxënës i Gjimnazit të Laçit do t’i lexojë këto shënime le të mësojë se vështirësitë nuk janë një gjë e këndshme në jetë, por bazuar në përvojën time, dhe jo vetëm, iu them:

 “Ndoshta janë pikërisht vështirësitë që e forcojnë njeriun, pasi të mësojnë sesi t’ua dishë vlerën gjërave” Prandaj mos i merrni gjërat si të dhëna dhe të mirëqena!

Suksese Gjimnazit të Laçit!  Rroftë e përparoftë në shekuj!


Mal Berisha 

New York, USA 20 Maj 2024