VEZUVI DHE POMPEI- NGA MAL BERISHA

Krateri i Vezuvit

VEZUVI DHE POMPEI

Atje lart, krater – tymosur, rri Vezuvi i menduar,
Sheh Pompein nën’ vete, anë e mbanë hi – mbuluar.
Nuk e di valle a të jetë: I merzitur, i penduar,
Apo roje i viktimes, dhe të ndjehet i gëzuar?

Shekuj luftrash e rrënime,
Prapë do t’zhduknin dhe Pompeun,
Porsi Trojen dhe qytete,
Që e mbushnin mbarë Egjeun.

Thërret Pompei: O Vezuv!
A do duhej t’më varrosje, kaq të bukur si qytet?
Dhe të mbaje poshtë hirit,
Mrekullinë e botes vet?

I penduar, në tymnaje, flet Vezuvi hijerëndë:
E mjerë ishte ajo ditë, e tmerruar vaj e gjëmë.
Unë të gjalle vetëm dy mije, vërtetë poshtë i varrosa,
Por milionat nëpër luftëra n’ato kohë i griu kosa.

Dhe u zhduken tërësisht, pa një shenje e pa një dokë,
Veç ca shkrime, tretur mbetur, mezi gjetur nënë’ tokë.
Ndersa ti Pompe i dashur, dole paq nën’ hi, pa tym,
Që të sillje deri sot, te paprishur preun tim.

Ajo ditë, zjarr e llavë, zllap prej flake të pushtoi
Me teatro, me statuja gjithçka hiri e mbuloi.
Për të ardhur te kjo ditë, pas aq shekujsh krejt harruar
Një qytet kaq’ i bukur, per njerzimin tash’ zbuluar.

Vërtetë tmerr sa shumë të mbytur,
Të ngurosur, “ballsamosur”, poshtë atje rrinin nën’ hi,
Qindra vite krejt siç ishin, mbetur shtypur,
Ngrirë, vdekur, syrgjynosur, brenda territ pis te zi.

Duhet vallë që të ankohesh frymë-zënë o Pompe!?
Do shpëtoje vallë pa mua përmbi tokë’ a përmbi Dhe!?
Dy mijë jetë, te gjallë t’i mora dhe i mbajta peng ndër shekuj,
Por një ditë jashtë dolën: Të pa zhdukur të pa tretur.

Mjer’ ata që shkuan vanë, të varrosur në të gjallë!
Pa Vezuvin kësaj dite, do të ishin me ne vallë?
Jo se jo, kush ka jetuar në këtë botë përgjithmonë,
Tërë kane vdekur, një pas një: një më heret, një më vonë.

E tillë qenka historia: Njëri vret e tjetri pret,
Njeri t’ngre tjetri të ul, një të zhduk nga bota krejt,
Një të nxjerr nga dhe i zi, tjetri n’ dhe të fut’ gjithmonë
Tërë një fat do ta kemi: kush më heret, kush më vonë.

Eshtë Vezuvi shkatrrimtar, a nje lider çmendurak?
Që rrenon jetët e njerëzve pa ju dhimbsur hiç – aspak.
Strehë mbetet, e shkastisur, dëshmitare – historia,
Që mban mend edhe i shkruan – krejt të tyret marrëzira.

________________
27 korrik 2016
Maja e Vezuvit – Pompeii – Itali

Teatri Gjigand i Pompeit i mbuluar per 17 shekuj nga viti 79 eres se re deri ne vitin 1748