NGA MAL BERISHA
“Këtu, ushtria më e madhe e krishterë që ishte sjellë ndonjëherë në fushë-betejë në Europë, e përbërë prej pesëqind mijë burrash nën Despotin Llazar të Serbisë, luftoi kundër forcave të Muratit të Parë dhe humbi.”
Eduard Brown-i, mendohet se mund të jetë i pari britanik, i cili ka shkelur në Shqipëri, në vitin 1669. Po kush ishte ky njeri që guxoi të shkelte në viset shqiptare në atë kohë?
Eduard Brown-i ka lindur në vitin 1644 dhe ka vdekur në vitin 1708. Ishte mjek dhe udhëtar anglez i shquar, i cili ka kaluar nëpër shumë toka europiane. Ai ka udhëtuar dhe në Shkup edhe në Kosovë. Njihet për librin e tij të quajtur “Një vlerësim i shkurtër i disa udhëtimeve në pjesë të ndryshme të Europës”[1], botuar në Londër në vitin 1673. Në shkrimet e tij na jep një pamje të këtij qyteti me tregti të madhe, flet për Shkupin si një qytet me punishte lëkure dhe me shtatëqind regjës të tyre, të cilët furnizojnë pjesët e tjera me këtë mall. Aty ai përshkruan monumente të shumta veçanërisht një ujësjellës të gjatë që lidhte dy malet. Po ashtu në shkrimin e tij “Një udhëtim nëpërmjet Shkupit dhe Kosovës”, ai flet për romakun Regillianus dhe betejat e tij të fituara siç i tregon Trebellius Pollio në Shkup. Më pas përshkruan historinë e Betejës së Kosovës, ku mbetën të vrarë Car Llazari dhe Sulltan Murati. Ai përshkruan edhe Kaçanikun, Bjellacerkën ose Kurshumlinë dhe po ashtu Prishtinën. Ja se si e përshkruan Betejën e Fushë – Kosovës:
“Këtu, ushtria më e madhe e krishterë (vini re, jo ushtria serbe – MB) që ishte sjellë ndonjëherë në fushë-betejë në Europë, e përbërë prej pesëqind mijë burrash nën Despotin Llazar të Serbisë, luftoi kundër forcave të Muratit të Parë dhe humbi. Në atë betejë Llazari u vra ndërsa Murati, tek vizitonte trupat e vdekur u godit me thikë prej Milosh Kopiliçit, një ushtar i krishterë i pandehur si i vdekur në fushë. Murati ka në ato fusha një monument përkujtimor edhe sot e kësaj dite. Dhe kjo pjesë është quajtur fusha e varrit (sepulcher), në të njëjtën fushë ku ishte bërë edhe beteja e jashtëzakonshme midis Huniadit dhe Muhametit, për tri ditë rresht; kur Huniadi, duke patur forca krejt të pabarabarta, më në fund u mund”.
Kështu shkruan ky udhëtar për trevat shqiptare në shënimet e tij.
[1] Edward Brown, A Brief Account of Some Travels in Divers Parts of Europe, viz. Hungaria, Servia, Bulgaria, Macedonia, Thessaly, Austria, Styria, etc. London: Benj. Tooke, 1687.