IN MEMORIAM – DRITA IVANAJ (1933–2025)
BIJË E DENJË E NJË FAMILJEJE QË I DHA NDER DHE LAVDI KOMBIT SHQIPTAR
Më 31 korrik 2025, ndërroi jetë në Tiranë zonja Drita Ivanaj, e bija e patriotit dhe juristit të shquar Dr. Martin Ivanaj dhe mbesa e patriotit dhe Ministrit të jashtëzakonshëm të Arsimit Shqiptar, Mirash Ivanaj – dy nga figurat më të ndritura të kulturës dhe historisë shqiptare të shekullit XX.
Me largimin e saj, kombi humbi një zë të rrallë që ia kushtoi jetën ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë së familjes Ivanaj dhe vlerave të çmuara të kombit shqiptar.
Ajo ishte bijë e një martiri të dijes dhe drejtësisë shqiptare – Dr. Martin Ivanaj – i cili la pas një trashëgimi të rrallë në fushën e së drejtës zakonore. Në 100-vjetorin e mbrojtjes së doktoratës së tij në Romë (1921–2021), Drita botoi tezën e tij në tri gjuhë – shqip, anglisht dhe italisht – duke e bërë atë të qasshme për studiuesit dhe juristët e sotëm. Ky akt nuk ishte thjesht një botim: ishte një akt përkujtimor, akademik dhe patriotik – i denjë për të bijën e Martin Ivanajt.
Në hyrjen e atij botimi, ajo përshkroi me kujdes rrugëtimin jetësor të të atit, të gjyshit dhe të xhaxhait të saj – Mirashit, i cili u burgos dhe vdiq nën regjimin komunist, vetëm pse kishte qenë një zë i lirë dhe një patriot i devotshëm i Shqipërisë.
Drita Ivanaj ishte themeluese dhe Presidente e Fondacionit “Martin & Mirash Ivanaj”, një institucion kulturor dhe arsimor që, nën drejtimin e saj, u shndërrua në një qendër identitare, intelektuale dhe kombëtare – në zemër të Tiranës dhe në New York.
Nën drejtimin e saj, Fondacioni “Martin & Mirash Ivanaj” u bë jo thjesht një ndërtesë, por një akademi frymëzuese, ku përkujtohet historia, çmohet kultura, edukohen të rinjtë dhe nderohen figurat e ndritura të kombit tonë dhe ata që punuan për naltësimin e kombit tonë.
Unë dhe zonja ime, Donika, patëm nderin e veçantë të ishim miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj në disa prej veprimtarive të Fondacionit. Një nga momentet më të paharrueshme për ne ishte mbrëmja solemne e organizuar në sallën qendrore të Fondacionit, ku ajo vetë prezantoi, së bashku me ne, veprën kushtuar Charles Telford Ericksonit – mikut të shqiptarëve – një figurë që ndante të njëjtat ideale me Mirash Ivanajn, përpara një audience të përzgjedhur, të përbërë nga personalitete të fushave të ndryshme.
Kështu ndodhi edhe me rastin e 552-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kur Drita organizoi promovimin e novelës “Naltësimi i Iskanderit”, shkruar nga Benjamin Disraeli.
Ajo nuk harroi të përkujtonte as figurën e Herman Bernstein, ambasadorit amerikan që la një trashëgimi të çmuar në marrëdhëniet jo vetëm diplomatike, por edhe historike e kulturore midis dy vendeve tona mike.
Sot, Shqipëria humbi një rojëtare të kujtesës kombëtare.
Unë humba një mike të dashur, një intelektuale që më frymëzoi, një shqiptare që nuk lodhej së luftuari për të vërtetën, atdheun, dijen dhe nderin.
Vepra e saj, si një urë mes brezash, do të vazhdojë të jetojë.
Lamtumirë, Drita e dashur!
U prehsh në paqe, bashkë me prindërit Giuseppina dhe Martinin, si edhe me xhaxhain Mirash.
Me ndjenjë të thellë dhimbjeje dhe simpatie,
Tiranë, 31 korrik 2025