KU MUND TË MËSOJË TURISTI SE KUSH JEMI NE SHQIPTARËT?
NGA MAL BERISHA
ÇFARË SHEH NJË TURIST NË TIRANËN TONË KUR NUK SHEH:
1. MUZEUN KOMBËTAR, që ndodhet në qendër të Tiranës – i mbyllur prej vitesh nën pretendimin e një rinovimi. Publiku nuk di asgjë për këtë.
2. GALERINË E ARTEVE (Luvri ynë, me “Mona Lizën” tonë – Motra Tone), e cila prej 12 vitesh është mbuluar me thasë të shëmtuar në mënyrë të pafalshme. Sot, “Galeria jonë e arteve” është vendosur thjesht në një apartament të vogël, me dy dhoma e një kuzhinë, në rrugën e Kavajës.
3. SAHATI I TIRANËS (i ngritur në vitin 1822) – më i vjetër historikisht se Big Beni i Londrës (i ngritur në vitin 1859) – sot është mbuluar nga kullat e betonit, pa asnjë shije, dhe tashmë nuk vizitohet më.
4. TEATRIN KOMBËTAR, i cili është shembur. Punimet për rindërtimin e tij do të zgjasin me vite, derisa të përfundojnë kullat dhe dyqanet përreth. Ndërkohë, qyteti nuk ka një teatër të mirëfilltë, por vetëm një objekt të adaptuar.
Dhe cfarë nuk duhet të shohin?
5. RRUGËN FUSHË-KRUJË – KRUJË, ndoshta më të mjerueshmen e vendit tonë, e cila të çon drejt muzeut më të bukur historik kombëtar – MUZEUT TË GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT.
Sado pak përgjegjësi të ketë njeriu, edhe kur pensionohet, ka disa gjëra që nuk e lënë kurrë “rehat”: pas familjes dhe të afërmve vjen vendi i tij – atdheu, dhe malli për profesionin.
Si shumë intelektualë, edhe mua më mban gjallë kjo ndjenjë edhe sot, edhe pse askush nuk ma kërkon më këtë.
Sot, besoj se ka pak shqiptarë që nuk kanë dalë jashtë shtetit.
Natyrisht, kur shkon në Romë, viziton MUZEUN E VATIKANIT, MUZEUN CAPITOLINI, MUZEUN KOMBËTAR ROMAK – PALAZZO MASSIMO, PANTEONIN, KOLOSEUN, FONTANËN E TREVIT, dhe aq shumë mrekulli të tjera të artit e historisë romake e italiane.
Po të shkosh në Paris, gjëja e parë që të vjen në mend është LUVRI dhe thesaret që ruan ai, pa përmendur KULLËN EIFEL, MUSÉE D’ORSAY, NOTRE DAME, FONTAINEBLEAU, e shumë të tjera.
Po të shkosh në Londër, nuk mund të mos vizitosh BRITISH MUSEUM, VICTORIA & ALBERT MUSEUM (V&A), NATURAL HISTORY MUSEUM, SCIENCE MUSEUM, NATIONAL GALLERY, ROYAL OPERA HOUSE.
Por le të flasim për vende të vogla pranë nesh, që kanë të njëjtën popullsi apo edhe më pak.
Po të shkosh në Bosnja e Hercegovina, për shembull, ka në Sarajevë Galerinë Kombëtare të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe Galerinë e Arteve, të cilat janë tërësisht të vizitueshme.
Le të shkojmë edhe më afër – në Malin e Zi ku vizitohet Muzeu Kombëtar i Malit të Zi dhe Muzeun Artistik të Malit të Zi.
Kudo që të shkosh, ka gjithmonë tre ose katër vende që, nëse nuk i ke vizituar, është më mirë të mos thuash se ke qenë në ato qytete.
UNË JAM NGA ATA NJERËZ QË GËZOHEM KUR SHOH TURISTË TË HUAJ QË VIZITOJNË SHQIPËRINË. E di se janë pikërisht të huajt ata që e kanë promovuar më bukur Shqipërinë sesa ne vetë shqiptarët, dhe për këtë mund të numëroj jo më pak se 100 libra, guida e përshtypje udhëtimi – nga NATIONAL GEOGRAPHIC MAGAZINE deri tek LONELY PLANET, nga EDWARD BROWN (1669) deri tek SIR NOEL MALCOLM – të cilat i kam lexuar, dhe shumë prej tyre edhe i kam përkthyer.
Pyetja ime është:
Si mund të heshtim kështu – të paktën ne që i kemi kushtuar jetën promovimit të bukurive dhe vlerave shqiptare – kur shohim sesi këto institucione mbahen të mbyllura me justifikime të pafund dhe lihen të pavizitueshme, si për rininë shqiptare ashtu edhe për vizitorët e huaj per vite te tera!? Për “habinë” tonë të gjitha këto janë mbyllor njëkohësisht!?
Unë mendoj se njerëzit e kulturës në vendin tonë, pa marrë parasysh se nga cila krahinë vijnë, cilës përkatësi politike apo fetare i takojnë, duhet të ndjejnë se mbyllja e këtyre qendrave kaq të rëndësishme dhe kjo neglizhencë nuk kanë ndodhur rastësisht, as pa një qëllim të caktuar.
Ndaj këtij fenomeni duhet të ndalemi dhe të qëndrojmë të gjithë, nëse e duam këtë vend.
Identiteti ynë kombëtar nuk është thjesht qebap apo pasta, por histori dhe kulturë e lashtë!
Mos heshtni!
SI DHE KU MUND TË MËSOJË TURISTI SE KUSH JEMI NE SHQIPTARËT?