NGA FARAONI EGJIPTIAN TUTANKHAMUN NË HIGHCLERE CASTLE DHE PIXTON PARK – ANGLI, TEK SHQIPËRIA JONË E DASHUR
Një udhëtim në histori, kujtesë dhe miqësinë unike shqiptaro-britanike.
Frymëzuar nga historiania angleze Alice Loxton
Mal BERISHA
Prolog
Një mbrëmje, duke shfletuar internetin, hasa rastësisht në një video të shkurtër të historianes britanike Alice Loxton. E ndodhur në Luginën e Mbretërve, në Egjipt, ajo rrëfente me pasion një nga triumfet më të mëdha të arkeologjisë botërore – zbulimin e varrit të Tutankhamunit nga Howard Carter në nëntor të vitit 1922.

Alice Loxton
Ky rrëfim më kujtoi se kjo arritje e jashtëzakonshme ishte bërë e mundur falë mbështetjes së George Herbert, Kontit të Pestë të Carnarvonit, rezidenca stërgjyshore e të cilit ishte Highclere Castle.
Për miliona shikues, kjo ishte thjesht një histori magjepsëse nga Egjipti i lashtë.
Për mua, ajo u bë frymëzimi për të rrëfyer një histori tjetër.
Sapo u përmend Highclere Castle, mendja më shkoi menjëherë te një tjetër anëtar i familjes Herbert:
Kolonel Aubrey Herbert – diplomati, parlamentari, studiuesi dhe humanisti anglez, i cili u bë një nga miqtë më të mëdhenj britanikë që kombi shqiptar ka njohur ndonjëherë.
AMBASADOR NË MBRETËRINË E BASHKUAR
Videoja e Alice Loxton më riktheu te kujtimet e mia.
Gjatë viteve kur shërbeva si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, pata privilegjin të vizitoja Highclere Castle dhe Pixton Park, të njihesha me anëtarë të familjes Herbert dhe me njerëz të lidhur ngushtë me historinë e saj, të hulumtoja në arkiva në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe të shkruaja gjerësisht për Kolonel Aubrey Herbert, nënën e tij të jashtëzakonshme, Lady Carnarvon, bashkëshorten Mary Herbert, vëllanë e tij Mervyn Herbert, mbesën Mrs Mary Melotte, djalin e saj Kolonel Edward Melotte, si dhe për lidhjet e veçanta që kjo familje ka ruajtur me Shqipërinë ndër breza. Këto studime i kam paraqitur gjithashtu në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në universitete dhe institucione akademike në Vjenë, Gjenevë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera.
Teksa e dëgjoja Alice Loxton, kuptova se dy njerëz, që i përkisnin brezave dhe përvojave të ndryshme – një historiane britanike dhe një diplomat shqiptar – kishin mbërritur, në mënyrë krejt të pavarur, në të njëjtin destinacion. Ajo kishte mbërritur në Highclere Castle duke ndjekur gjurmët e Egjiptit. Unë kisha mbërritur aty duke ndjekur gjurmët e Shqipërisë.
Ky përkim më riktheu një pyetje që më kishte shoqëruar prej kohësh:
Sa prej vizitorëve që kalojnë portat e Highclere Castle e dinë se, krahas lidhjes së tij të famshme me Tutankhamunin, ky vend zë një vend nderi edhe në historinë moderne të Shqipërisë?
Ky shkrim është një përpjekje për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.
Në fakt nuk është as një biografi në kuptimin klasik të fjalës, as një përshkrim udhëtimesh. Është rrëfimi i një udhëtimi historik, i cili më çoi nga bibliotekat dhe arkivat në Highclere Castle, në Pixton Park dhe në shtëpitë e familjes Herbert, ku historia jeton jo vetëm në dokumente, por edhe në vende, kujtime dhe biseda.
Prej më shumë se tri dekadash, një pjesë të mirë të veprimtarisë sime ia kam kushtuar rikthimit në kujtesën historike të figurave të mëdha të huaja që i shërbyen Shqipërisë, si Richard Knolles, Edith Durham, Charles Telford Erickson, Herman Bernstein, Margaret Hasluck, Benjamin Disraeli, Rose Wilder Lane, Lord Byron, Edith Pierpont Stickney, Melville Chater, Sir Noel Malcolm dhe shumë të tjerë. Midis tyre, Aubrey Herbert ka zënë gjithmonë një vend të veçantë, jo vetëm për atë që bëri për Shqipërinë, por sepse miqësia e familjes së tij me kombin shqiptar vazhdoi edhe shumë kohë pas vdekjes së tij.
Ashtu si udhëtimi i Alice Loxton në historinë e Egjiptit, edhe ky rrëfim e ka pikënisjen në Highclere Castle.
Destinacioni i tij është Shqipëria.
Mbi të gjitha, është historia e një miqësie të jashtëzakonshme, të cilën historia e ka ruajtur dhe mirënjohja e shqiptarëve nuk e ka lejuar kurrë të zbehet.
DY VËLLEZËR HERBERT – GEORGE DHE AUBREY
DY TRASHËGIMI QË NDRIÇOJNË HISTORINË
Çdo familje e shquar lë pas më shumë se një trashëgimi. Familja Herbert është një shembull i shkëlqyer i kësaj të vërtete.
Për mbarë botën, emri Herbert lidhet pazgjidhshmërisht me George Edward Stanhope Molyneux Herbert, Kontin e Pestë të Carnarvonit, mbështetja bujare e të cilit i bëri të mundur Howard Carter-it zbulimin e varrit të Tutankhamunit. Ky zbulim i jashtëzakonshëm i siguroi atij një vend të nderuar në historinë e arkeologjisë botërore dhe e bëri Highclere Castle të njohur në mbarë globin.
Por familja Herbert i dha botës edhe një personalitet tjetër, trashëgimia e të cilit nuk lidhet me Egjiptin e lashtë, por me historinë moderne të Shqipërisë.
Kolonel Aubrey Nigel Henry Molyneux Herbert, gjysmëvëllai më i ri i Kontit të Carnarvonit, ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës çështjes shqiptare. Nëse njëri vëlla ndihmoi në zbulimin e thesareve të një qytetërimi të lashtë, tjetri vuri në shërbim të një kombi të ri inteligjencën, ndikimin, autoritetin moral dhe ndjenjat e tij njerëzore, në përpjekjen e Shqipërisë për të fituar pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare.
Kontrasti midis dy vëllezërve është sa domethënës, aq edhe i bukur:
Njëri ndihmoi të zbulohej e kaluara. Tjetri ndihmoi të ndërtohej e ardhmja. Të dy i shërbyen njerëzimit, secili në mënyrën e vet.
I rritur në një familje ku shërbimi publik konsiderohej njëkohësisht privilegj dhe detyrim, Aubrey Herbert trashëgoi një ndjenjë të thellë përgjegjësie. I talentuar për gjuhët e huaja, udhëtar i palodhur dhe studiues me kulturë të gjerë, ai zhvilloi një aftësi të rrallë për të kuptuar popujt përtej kufijve të Britanisë. Gjatë udhëtimeve të tij në Ballkan, ai u njoh me shqiptarët dhe mbeti thellësisht i impresionuar nga trimëria, mikpritja dhe dashuria e tyre e palëkundur për lirinë.
Ajo që fillimisht ishte thjesht kureshtje, shumë shpejt u shndërrua në bindje. Aubrey Herbert udhëtoi nëpër Shqipëri, mësoi gjuhën shqipe, u takua si me drejtues politikë, ashtu edhe me njerëz të thjeshtë, dhe krijoi gjykimet e tij mbi përvojën e drejtpërdrejtë, e jo mbi raportet e hartuara në kancelaritë e largëta evropiane. Mbështetja e tij për çështjen shqiptare mbështetej në njohje të thellë, përvojë personale dhe miqësi të sinqertë.
Në vitet vendimtare që paraprinë dhe pasuan shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ai u bë një nga zërat më të fuqishëm në Britaninë e Madhe në mbrojtje të kombit shqiptar. Përmes veprimtarisë së tij parlamentare, angazhimit publik, themelimit të Komitetit Shqiptar në vitin 1912 dhe, së bashku me Edith Durham, krijimit të Shoqatës Anglo-Shqiptare në vitin 1918, e cila ende vepron në Londër, ai ndihmoi që zëri i një kombi të vogël të dëgjohej në një nga momentet më vendimtare të historisë së tij.
Nëse George Herbert kujtohet në mbarë botën për kontributin e tij në arkeologji, Aubrey Herbert meriton të kujtohet për një trashëgimi tjetër, po aq të rëndësishme: miqësinë e tij të përjetshme me Shqipërinë.
Rrëfimi që pason është historia e këtij anglezi të jashtëzakonshëm dhe e lidhjes së qëndrueshme që ai dhe familja e tij krijuan ndërmjet Britanisë së Madhe dhe kombit shqiptar.
NË GJURMËT E AUBREY HERBERTIT
Gjatë viteve kur shërbeva si Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, detyrimet diplomatike zinin pjesën më të madhe të kohës sime. Megjithatë, kam besuar gjithmonë se misioni i një ambasadori nuk përfundon me përfaqësimin zyrtar të vendit të tij. Ai duhet të njohë edhe historinë, kulturën dhe njerëzit e vendit ku shërben, sepse vetëm kështu mund të ndërtojë ura mirëkuptimi dhe miqësie ndërmjet dy kombeve.
Sa herë që angazhimet e mia zyrtare ma lejonin, udhëtoja drejt vendeve që lidhen me jetën dhe veprën e miqve të mëdhenj britanikë të Shqipërisë.
Dalëngadalë, dy vende morën një kuptim të veçantë për mua: Highclere Castle, ku lindi Aubrey Herbert, dhe Pixton Park, ku u mbyll jeta e tij e jashtëzakonshme.
Ato nuk ishin thjesht dy pika në hartën e Anglisë. Për mua, ato u shndërruan në dy stacione të një udhëtimi historik, në kërkim të njeriut që, më shumë se një shekull më parë, kishte lidhur fatin e tij me fatin e Shqipërisë.
VIZITA IME NË HIGHCLERE CASTLE VENDLINDJA E KOLENL AUBREY HERBERT
Vizita ime në Highclere Castle nuk ishte pjesë e ndonjë programi zyrtar. Ajo lindi nga ndjenja ime e mirënjohjes si shqiptar. Nëse Aubrey Herbert i kishte kushtuar një pjesë kaq të madhe të jetës së tij njohjes dhe mbrojtjes së vendit tim, ndieja se edhe unë duhej të bëja çdo përpjekje për të njohur botën që kishte formuar karakterin e tij.
Përpara se të nisesha, iu ktheva edhe një herë biografisë së tij, shënimeve të mia kërkimore dhe studimit të vyer të Bejtullah Destanit dhe Jason Toms, Albania’s Greatest Friend. Dëshiroja që kjo vizitë të ishte një vazhdim i kërkimeve të mia dhe jo thjesht një ndalesë në një nga rezidencat më madhështore të Anglisë.
Nuk prisja të zbuloja dokumente të panjohura apo të bëja ndonjë zbulim sensacional. Qëllimi im ishte shumë më i thjeshtë dhe, njëkohësisht, më i rëndësishëm: të kuptoja mjedisin që kishte formuar atë zotëri të jashtëzakonshëm anglez.
Sot e kuptoj se ajo vizitë ishte vetëm fillimi. Ajo më çoi më pas në Pixton Park, ku Aubrey Herbert kaloi vitet e fundit të jetës; në Somerset, ku pata privilegjin të takohesha me pasardhës të familjes Herbert; si edhe në arkiva që hodhën dritë mbi një nga kapitujt më të bukur të historisë së miqësisë anglo-shqiptare.
Rruga drejt Highclere Castle kalon përmes peizazhit të qetë të Hampshire-it, me pyjet e tij shekullore, fshatrat plot hijeshi dhe arat e punuara me kujdes, ku duket sikur e kaluara dhe e tashmja jetojnë në harmoni të plotë.
Kur kullat e kështjellës u shfaqën mbi kurorat e pemëve, pata ndjesinë se nuk po afrohesha thjesht drejt një prej rezidencave më të njohura aristokratike të Britanisë. Po afrohesha drejt vendlindjes së Kolonel Aubrey Herbertit, i lindur aty më 3 prill 1880, njeriut që do ta lidhte përgjithmonë jetën e tij me fatin e Shqipërisë.
Ka një ndryshim të madh midis leximit për një vend dhe qëndrimit brenda tij.
Teksa kalova pragun e sallës së hyrjes, ndalova për një çast. Përfytyrova brezat e familjes Herbert që kishin ecur nëpër të njëjtat korridore: burra shteti, studiues, ushtarakë dhe udhëtarë, të bashkuar nga një ndjenjë e thellë shërbimi ndaj vendit të tyre. Midis tyre ishte edhe Aubrey Herbert.
Ndërsa vizitoja kështjellën, vëmendja ime nuk përqendrohej aq te sallonet madhështore, mobiliet e rralla apo veprat e artit. Më shumë më interesonte të kuptoja botën që kishte formuar karakterin e Aubrey Herbertit.
Çfarë vlerash kishte marrë ai në këtë mjedis?
Çfarë e shtyu një aristokrat anglez, të lindur në mes privilegjeve, t’ia kushtonte një pjesë kaq të madhe të jetës së tij një kombi të vogël ballkanik, prej të cilit nuk priste asgjë në këmbim?
Sot, nën kujdesin e Lady Fiona Carnarvon, Highclere Castle është e njohur në mbarë botën, veçanërisht falë lidhjes së saj me zbulimin e varrit të Tutankhamunit dhe serialit Downton Abbey. Por ajo meriton të kujtohet edhe si vendlindja e një njeriu, ndikimi i të cilit u shtri nga Konferenca e Londrës te Lidhja e Kombeve dhe te lufta e Shqipërisë për pavarësi.
Kur u largova nga Highclere Castle, kuptova se kisha njohur vendin ku kishte filluar jeta e Aubrey Herbertit, por ende nuk e kisha njohur plotësisht vetë njeriun.
Ndërsa kërkimet e mia vazhdonin, ato morën një karakter gjithnjë e më personal. Një ndihmë të çmuar më dha Mary Melotte, pasardhëse e familjes Herbert, e cila me bujarinë dhe ngrohtësinë e saj ndau me mua kujtime të vyera familjare. Falë bisedave me të dhe kërkimeve të mëtejshme, kuptova gjithnjë e më qartë se përkushtimi i Aubrey Herbertit ndaj Shqipërisë buronte nga forca e karakterit të tij. Ai besonte se çdo komb, sado i vogël të ishte, meritonte dinjitet dhe respekt. Ai dëgjonte para se të gjykonte, dhe angazhimi i tij mbështetej mbi njohjen, miqësinë dhe besimin.
Në vitin 1923, shkrimet e Charles Telford Ericksonit, një tjetër mik i madh amerikan i Shqipërisë, e përforcuan këtë bindje. Ato shpjegonin pse shqiptarët kishin krijuar një besim kaq të jashtëzakonshëm te Aubrey Herbert — një besim që arriti deri te propozimi i pazakontë që ai të bëhej Mbret i Shqipërisë. Pavarësisht nëse kjo ishte apo jo një mundësi reale politike, vetë propozimi dëshmonte respektin e thellë që ai kishte fituar me ndershmërinë, integritetin dhe shërbimin e tij vetëmohues.
Në atë çast e kuptova se udhëtimi im ishte ende larg përfundimit.
Për ta njohur plotësisht Aubrey Herbertin, duhej ta ndiqja përtej Highclere Castle, drejt Pixton Park, aty ku do të shkruhej kapitulli i fundit i jetës së tij.
VIZITA IME NË PIXTON PARK, SOMERSET BENDI KU NDËRROI JETE KOLONEL AUBREY HERBERT
Aubrey Herbert dhe Kurora Shqiptare
Nëse Highclere Castle më ndihmoi të kuptoja fillimin e jetës së Aubrey Herbertit, Pixton Park shënoi një etapë të re në kërkimet e mia.
Ndryshe nga Highclere, Pixton Park nuk është një vend që tërheq vëmendjen e publikut të gjerë. Megjithatë, për këdo që dëshiron të njohë Aubrey Herbertin, ai është ndoshta vendi edhe më domethënës. Pikërisht aty ai kaloi vitet e fundit të jetës së tij, larg angazhimeve të jetës publike, i rrethuar nga familjarët dhe miqtë më të afërt, me të cilët Shqipëria mbetej një temë e shpeshtë bisedash.
Gjatë vizitës sime në Somerset, së bashku me bashkëshorten time, Donika Berisha, dhe mikun tim, historianin dhe diplomatin Bejtullah Destani, u pritëm me një ngrohtësi të jashtëzakonshme nga Mary Melotte, mbesa e Aubrey Herbertit.
Mikpritja dhe bujaria e saj e shndërruan atë që kishte nisur si një kërkim historik në një përvojë thellësisht njerëzore. Ajo ndau me ne kujtime familjare dhe na njohu me dokumente të ruajtura në Bibliotekën e Somerset-it, të cilat vërtetonin ngjarje që deri atëherë njiheshin kryesisht përmes botimeve të ndryshme.
Ndër dokumentet më të rëndësishme ishte edhe materiali që mbështeste rrëfimin e Charles Telford Ericksonit lidhur me propozimin që Aubrey Herbert të bëhej Mbret i Shqipërisë. Ajo që për disa ishte dukur thjesht si një episod romantik i historisë shqiptare, doli të ishte një realitet i mbështetur në dokumente.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912, shteti shqiptar përballej me sfida të jashtëzakonshme. Udhëheqësit e tij kërkonin një monark kushtetues që të gëzonte besimin e shqiptarëve dhe respektin e Fuqive të Mëdha. Midis emrave të përmendur, askush nuk frymëzonte më shumë besim sesa Aubrey Herbert.
Ai nuk kërkoi kurrë pushtet dhe as lavdi. Autoriteti i tij buronte nga vite të tëra shërbimi të përkushtuar, nga miqësitë e sinqerta me shqiptarët dhe nga njohja e thellë që kishte fituar për vendin tonë përmes udhëtimeve, studimit dhe përvojës së drejtpërdrejtë.
Charles Telford Erickson, i cili njihte nga afër si Aubrey Herbertin, ashtu edhe udhëheqësit shqiptarë, i përshkroi këto zhvillime me autoritet të veçantë në dorëshkrimin e tij të pabotuar Little Kingdom, What Next? Dëshmia e tij tregon qartë se propozimi nuk ishte fryt i ndonjë ambicie politike, por shprehje e besimit të jashtëzakonshëm që shqiptarët kishin krijuar ndaj ndershmërisë, urtësisë dhe humanizmit të Aubrey Herbertit.
Të njëjtin besim ndante edhe Mehmet Konica, një nga diplomatët më të shquar shqiptarë, Ministër i Shqipërisë në Londër në vjeshtën e vitit 1923 dhe një nga miqtë më të afërt të Aubrey Herbertit. Së bashku me Ericksonin, ai bënte pjesë në atë rreth burrash që besonin se Shqipëria e meritonte vendin e saj të sigurt dhe të nderuar në familjen e kombeve evropiane.
Por Pixton Park më zbuloi edhe një kapitull tjetër, po aq prekës.
Sipas traditës së ruajtur në familje, kur Aubrey Herbert e ndjeu se fundi i jetës po afrohej, ai ia besoi nënës së tij vazhdimin e veprës humanitare për Shqipërinë, të cilën e kishte pasur aq shumë për zemër.
Ndoshta fjalët e tij nuk u ruajtën pikërisht ashtu siç u përcollën më vonë. Por kjo ka më pak rëndësi sesa ajo që ndodhi më pas.
LADY CARNARVON, ELIZABETH HERBERT
Nëna që përmbushi amanetin e të birit
Pas vdekjes së Aubrey Herbertit, Lady Carnarvon, Elizabeth Herbert, e vazhdoi me përkushtim misionin humanitar të të birit në Shqipëri.
Ajo themeloi Komitetin Britaniko-Shqiptar të Ndihmave dhe iu përkushtua veprimtarisë humanitare në mbarë vendin. Në Vlorë ngriti një mision shëndetësor për luftën kundër malaries, duke sjellë nga Anglia infermiere të përgatitura, ndër të cilat edhe Ruth Paddington. Me ndihmën e vëllait të saj, Sir Esme Howard, siguroi mbështetjen e Fondacionit Rockefeller në Nju Jork për këtë veprimtari.
Ndihma e saj nuk u kufizua vetëm te shëndetësia. Ajo u kujdes edhe për refugjatët shqiptarë të dëbuar nga Kosova prej autoriteteve serbe, themeloi Fshatin Herbert pranë Kavajës, ndërtoi shkollën fillore që vazhdon të qëndrojë ende sot dhe krijoi Bibliotekën Herbert, fondi i së cilës u bë më vonë një nga bërthamat e rëndësishme të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku ruhet edhe sot në Pavijonin “HERBERT” të qendrës “Sotir Kolea”.

Lady Carnarvon solli në Shqipëri edhe sportin e tenisit, duke sjellë fushën dhe pajisjet e para të këtij sporti në vendin tonë.
Pas vdekjes së saj në Portofino, në vitin 1929, kjo vepër fisnike nuk u ndërpre. Ajo u vazhdua nga bashkëshortja e Aubrey Herbertit, Mary Herbert, dhe nga vëllai i tij, Mervyn Herbert, duke ruajtur gjallë lidhjen e jashtëzakonshme të familjes Herbert me popullin shqiptar.
Në shenjë mirënjohjeje për veprën e saj të rrallë humanitare, gazeta shqiptare Laboremus e nderoi Lady Carnarvon me titullin “Nëna e Popullit Shqiptar” — ndoshta vlerësimi më i lartë që një komb mirënjohës mund t’i japë një mikeje të huaj.
Kur u largova nga Pixton Park, kuptova se nuk po ndiqja më vetëm jetën e një anglezi të shquar.
Po zbuloja historinë e një familjeje të jashtëzakonshme, miqësia e së cilës me Shqipërinë u trashëgua brez pas brezi.
Highclere Castle më kishte treguar fillimin e jetës së Aubrey Herbertit.
Pixton Park më zbuloi trashëgiminë e tij.
Një trashëgimi që mbetet një nga kapitujt më fisnikë në historinë e gjatë të miqësisë ndërmjet Britanisë së Madhe dhe kombit shqiptar.
TRASHËGIMIA E ARTË E FAMILJES HERBERT
Kolonel Edward Melotte
Historia, herë pas here, krijon vazhdimësi që duken thuajse të pabesueshme.
Kur Aubrey Herbert ndërroi jetë në vitin 1923, miqësia e tij me Shqipërinë nuk mori fund. Lady Carnarvon e vazhdoi misionin e tij humanitar, duke bërë që lidhja e familjes Herbert me popullin shqiptar të mbetej e gjallë. Askush nuk mund ta kishte përfytyruar se, më shumë se shtatëdhjetë e pesë vjet më vonë, një tjetër pasardhës i kësaj familjeje do të bëhej sërish pjesë e historisë shqiptare.
Ai çast erdhi më 12 qershor 1999, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë për t’i dhënë fund njërit prej kapitujve më të errët të historisë së Ballkanit. Ndër oficerët e parë britanikë që kaluan kufirin ishte edhe Kolonel Edward Melotte, pasardhës i familjes Herbert.
Për shqiptarët, kjo ishte shumë më tepër se një rastësi.
Gati një shekull pasi Aubrey Herbert kishte mbrojtur çështjen shqiptare me diplomaci, veprimtari publike dhe miqësi të sinqertë, një pasardhës i tij u rikthye në trojet shqiptare, këtë herë me uniformën e Ushtrisë Britanike, si pjesë e misionit ndërkombëtar që ndihmoi në rikthimin e paqes dhe lirisë në Kosovë. Më vonë, ai shërbeu edhe si Atashe Ushtarak në Ambasadën Britanike në Tiranë, duke forcuar edhe më tej lidhjet historike ndërmjet familjes Herbert dhe Shqipërisë.
Rrethanat kishin ndryshuar.
Vlerat kishin mbetur të njëjtat.
Në tre breza, familja Herbert dëshmoi një përkushtim të pandërprerë ndaj drejtësisë, shërbimit publik dhe dinjitetit njerëzor.
Aubrey Herbert i dha Shqipërisë zërin e tij.
Lady Carnarvon i kushtoi jetën veprës humanitare në shërbim të shqiptarëve.
Kolonel Edward Melotte u bë pjesë e përpjekjes ndërkombëtare që ndihmoi në mbrojtjen e lirisë së shqiptarëve të Kosovës.
Kjo është trashëgimia e artë e familjes Herbert.
Një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë dhe që meriton të zërë një vend nderi në historinë e përbashkët të Britanisë së Madhe dhe kombit shqiptar.
EPILOG
Rikthim në Highclere Castle
Kur pashë për herë të parë videon e shkurtër të Alice Loxton nga Lugina e Mbretërve në Egjipt, nuk mund ta kisha imagjinuar kurrë se ku do të më çonte ajo.
Historia që ajo rrëfente kremtonte një nga zbulimet më të mëdha të arkeologjisë botërore.
Historia që unë përfundova duke rrëfyer u bë historia e një prej miqësive më të bukura që Britania ka ndërtuar ndonjëherë me kombin shqiptar.
Të dy udhëtimet nisën në Highclere Castle.
Njëri të çonte te varri i Tutankhamunit.
Tjetri të çonte te jeta e Kolonel Aubrey Herbertit.
Sot, miliona vizitorë shkojnë në Highclere Castle për shkak të Lord Carnarvonit, serialit Downton Abbey dhe zbulimit të varrit të Tutankhamunit.
Shumë më pak njerëz e dinë se po ajo kështjellë i dha Britanisë një njeri që ia kushtoi jetën Shqipërisë; se nëna e tij, Lady Carnarvon, i shndërroi idealet e të birit në një mision të madh humanitar; dhe se miqësia e familjes Herbert me popullin shqiptar u bë një nga kapitujt më fisnikë në historinë e marrëdhënieve anglo-shqiptare.
Aubrey Herbert nuk la pas një maskë të artë, as një varr mbretëror dhe as thesare arkeologjike.
Ai la diçka shumë më të qëndrueshme:
Mirënjohjen e një kombi.
Ndoshta një ditë, ata që vizitojnë Highclere Castle do të kujtojnë jo vetëm thesaret e zbuluara nën rërën e Egjiptit, por edhe anglezin e jashtëzakonshëm, trashëgimia më e madhe e të cilit jeton në zemrat e shqiptarëve.
Nëse ky shkrim ndihmon, qoftë edhe sadopak, për ta rikthyer këtë kujtesë, atëherë udhëtimi i papritur që nisi me një video të shkurtër historike të Alice Loxton do ta ketë përmbushur misionin e vet.
Si ish-Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, nuk mund të gjej një përfundim më të përshtatshëm se ky:
“Miqësia e familjes Herbert me kombin shqiptar mbetet një nga thesaret më të çmuara në historinë e marrëdhënieve ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë.”
Mal Berisha
Montclair, New Jersey
11 korrik 2026
