
27 qershor 2026
Sot kam kënaqësinë t’i shpreh urimet e mia më të përzemërta, me rastin e ditëlindjes, njërit prej personaliteteve më të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan, Presidentit të Nderit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA, zotit Agim Rexhaj.
Jeta dhe veprimtaria e tij janë një shembull i rrallë i përkushtimit ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Për më shumë se gjysmë shekulli, ai ka qenë dhe është një aktivist i palodhur, një patriot i përkushtuar dhe një nga donatorët më bujarë të veprimtarive kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Për gati dy dekada ai drejtoi me dinjitet, si zëvendëspresident, Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA, duke vazhduar traditën e ndritur të kësaj organizate historike që nga Noli e Konica. Si bashkëpunëtor i afërt dhe besnik i Presidentit të ndjerë të Vatrës, Dr. Agim Karagjozi, ai dha një kontribut të çmuar në forcimin e rolit të Vatrës në jetën kombëtare.
Zoti Rexhaj ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Gazetës Dielli, një donator i përhershëm i saj dhe një kontribuues i rëndësishëm për Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, Kishën Katolike të Zonjës së Këshillit të Mirë, xhaminë e shqiptarëve, si dhe për shumë nisma të tjera me karakter kombëtar, kulturor, fetar dhe humanitar.
Ai ka qenë mik i afërt i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe është mik i ish – Presidentit të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, duke qëndruar gjithmonë pranë tyre në përpjekjet për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Kontributi i tij në mobilizimin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në organizimin e veprimtarive për mbështetjen e çështjes së Kosovës, përfshirë bashkëpunimin me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, mbetet një kapitull i rëndësishëm në historinë e lobimit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Ai ka dhënë kontribut të veçantë edhe në themelimin e, më pas, mbarëvajtjen e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, të drejtuar nga ish-kongresmeni me origjinë arbëreshe, Joseph DioGuardi.
Si një patriot i vërtetë, ai ka vepruar në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ka dhënë kontribut me çdo mjet edhe për UÇK-në, duke dëshmuar se është një atdhetar i vërtetë, i udhëhequr vetëm nga interesat kombëtare dhe jo nga interesa parciale.
Ndihmat për të varfrit në Kosovë, e sidomos për ata që u dëmtuan rëndë nga regjimi i Millosheviqit, përbëjnë një faqe tjetër të ndritur të veprimtarisë së tij humanitare.
Veprat e njerëzve si Agim Rexhaj nuk maten me fjalë, por me gjurmët që lënë në historinë e kombit. Ai është një burrë që ia kushtoi jetën idealeve kombëtare, shërbimit ndaj bashkësisë shqiptaro-amerikane dhe ruajtjes së trashëgimisë së shenjtë të Vatrës.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës, VATRA, e ka pasur, e ka dhe duhet ta ketë përherë për nder që në krye të nderit të saj ka një burrë kaq modest, por me një kontribut krejtësisht të veçantë ndaj çështjes kombëtare shqiptare.
I dashur mik Agim!
Në këtë ditë të shënuar të jetës suaj, ju urojmë shëndet të plotë, jetë të gjatë, lumturi familjare dhe bekimet e Zotit. Urojmë që të gëzoni edhe për shumë vite respektin dhe mirënjohjen e bashkatdhetarëve tuaj, sepse e keni fituar atë me punë, sakrificë, ndershmëri dhe atdhedashuri.
Gëzuar ditëlindjen!
Me respekt dhe mirënjohje,
Juaji Mal Berisha
