
TAKIMI I FEVE MONOTEISTE NË STAMBOLL VJESHTË 1993
Në vjeshtën e vitit 1993 në Stamboll u organizua një takim i krerëve të feve monoteiste. Aty do të merrnin pjesë drejtuesit e feve abrahamike që nga Kreu i Rabinatit të Israelit, pastaj Bartolomeu i I – rë, Kreu i Kishës Ortodokse të Stambollit, Kryemyftia i Turqisë ndërsa nga Selia e Shenjtë kishte ardhur Sekretari i Përgjithshëm i Vatikanit. Nga Shqipëria merrnin pjesë personalitetet kryesore të këtyre feve:
I pari ishte Hafiz Sabri Koçi, Kryemyftia i Shqipërisë. Pastaj vinte Imzot Rrok Mirdita, kreu i fesë Katolike shqiptare dhe Anastasios Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse shqiptare.
Bashkë me ta kishte ardhur edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Dede Reshat Bardhi.
Takimin e përshkoi një frymë e zymtë e natyrës fetare me shumë qetësi dhe përunjësi. Krerët e feve të vendeve të ndryshme takoheshin me njëri tjetrin, sidomos brenda feve të veta, por edhe në ndërveprim. Fetë e shqiptarëve ishin si të plagosura pas një periudhe të gjatë, që kishin kaluar në ateizëm, në shtetin e parë dhe të vetëm në botë, që ishte shpallur i tillë.
Hafiz Sabri Koçi, 72 vjeçar, vinte nga jeta e tij e gjatë prej 23 vitesh në burgim për shkak të besimit fetar. Ai ishte një teolog, martir i fesë, burrë shumë i ditur, shumë i shtruar dhe i kulturuar, shumë i urtë dhe i përunjur.
Dede Reshat Bardhi po ashtu kishte kaluar një kalvar vuajtjesh për shkak të besimit dhe e kishte ushtruar fenë tërësisht në mënyrë të fshehtë, por pa e lënë asnjëherë, pavarësisht nga rrjedhojat që pësonte.
Imzot Rrok Mirdita ishte drejtuesi i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës, i konsakruar nga Papa Gjon Pavli II. Ai e kishte filluar shërbimin ndaj Kishës Katolike në moshën 25-vjeçare. Shumë vite ai i kishte kaluar duke shërbyer në Kishën Katolike në Bronx në New York. Ai është nismëtari i ndërtimit të Katedrales së Shën Palit në Tiranë. Sipas idesë së tij, ajo ka tre kënde, të cilat simbolizojnë bashkëjetesën midis tre feve në Shqipëri, fesë islame, ortodokse dhe katolike.
Kryepeshkopi Anastasios Janullatos, i lindur në vitin 1929, ishte Krypeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë dhe Kreu i Sinodit të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ai mbante edhe shumë tituj si anëtar i disa akademive. Emri i tij përmendej me shumë skepticizëm si uzurpator i fronit të kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që dikur e pati themeluar Fan Noli dhe e mbajti gjallë Visarion Xhuvani.
Në atë takim u diskutuan shumë çështje që kishin të bënin me paqen fetare dhe mbarëvajtjen midis feve të ndryshme.
Në këtë rast u hap një diskutim, i cili e vlen të jetë i shënuar në këtë rrëfim. Krerët e feve shqiptare, edhe pse ato janë vetëm tre të tilla, në fakt ishin katër. Kjo bëri që dikush në atë takim të ngrinte problemin e përfaqësimit. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare tha se në Shqipëri ekzistojnë katër fé të ndryshme. Pas shumë diskutimesh u nënshkrua një rezolutë e përbashkët e feve monotesite. Sipas disa drejtuesve aty, shqiptarët duhej të nënshkruanin të katër. Por në të vërtetë ne kishim tre fé, jo katër, pavarësisht se Dede Reshat Bardhi përfaqësonte një sekt liberal të islamit – pra bektashizmin. Dikujt i interesonte të shtohej një fé tek shqiptarët. Kjo ishte një strategji që ndihmonte ata që përherë shqiptarët i kanë dashur të përçarë. Ky ishte rast i mirë për t’i konsideruar ata të ndarë në katër fé.
Imzot Rrok Mirdita kërkoi pushim për një konsultim. Ai na mblodhi, Hafiz Sabriun, Dede Reshatin dhe neve të dy të Konsullatës, zotni Orhan Zarshatin dhe mua. Ishte e vështirë situata, pasi kishim shumë merak se mos Dede Reshatit do t’i mbetej hatri, po të thuhej se shqiptarët islamë mund të jenë edhe bektashi, por bektashitë nuk mund të mos jenë islamë. Kështu që feja islame tek shqiptarët ishte një dhe jo dy. Imzot Mirdita e shpjegoi shumë bukur dhe me një frymë të vërtetë kombëtare dhe patriotike.
Pastaj Orhan beu u ndal tek historia e Kryegjyshatës dhe përse ajo, në vitin 1924 u zhvendos nga Stambolli dhe u vendos në Shqipëri. Tek e fundit tha ai, ndarja fetare midis shqiptarëve i shkon në favor armiqve të Shqipërisë. Dede Reshati menjëherë kërceu dhe tha:
“Ju jeni njerëz të mençëm të atdheut tim. Ju e dini këtë punë më mirë se unë. Unë kurrë nuk pranoj të bëhem pjesë e një veprimi, që e dëmton sadopak vendin tim. Unë jam bektashi, jam besimtar i fesë islame, por para së gjithash jam shqiptar”.
Kështu u shmang përmendja në Rezolutën e Stambollit të Shqipërisë si një vend me katër fé. Aty u shënua se Shqipëria ka Tre Fé Monoteiste.
“Dikush” ishte nismëtari i asaj teze antishqiptare në atë konferencë.
(Marrë nga faqet e librit tim “Ambasador i Pushtetit të Butë”)
Shënim: Ajo farë antishqiptare, e mbjellë në atë kohë, po i jep frytet e saj sot, me idenë
e krijimit të shtetit bektashi brenda territorit të shtetit shqiptar.
Kujdes!
Armiqtë duket sikur heshtin, por e nxjerrin kokën dhe nuk pushojnë kurrë.