KUR PËR LIRINË SHKRUHEJ FSHEHURAZI
Një vlerësim për dokumentarin “Disidentët Shqiptarë – Zërat e së Vërtetës”

Vepër e gazetares, libretistes dhe producentes së njohur Beti Njuma
Shkruar nga Mal Berisha

Para pak kohësh, gazetarja, libretistja dhe producentja e njohur Beti Njuma solli para audiencës shqiptare një dokumentar televiziv, i cili plotëson një nga boshllëqet më të mëdha të krijuara në jetën tonë kulturore gjatë periudhës pas vitit 1990.
Bëhet fjalë për filmin dokumentar “Disidentët Shqiptarë – Zërat e së Vërtetës”.
Kjo vepër televizive vë përballë me mjeshtëri elemente që janë në thelb të papajtueshme me njëra-tjetrën, por që në këtë dokumentar bashkëudhëtojnë për të zbuluar kontrastin e thellë që ekziston midis tyre: artin, letërsinë dhe poezinë, nga njëra anë, dhe dramën e persekutimit, frikës, diktaturës, burgut dhe ekzekutimit të shkrimtarëve e poetëve, nga ana tjetër. Pikërisht këta të fundit kanë qenë dhe mbeten ndër përfaqësuesit më të shquar të elitës shpirtërore të çdo kombi.
Dokumentari trajton një nga kapitujt më tragjikë dhe njëherazi më pak të njohur të historisë së kulturës shqiptare: fatin e shkrimtarëve, të veprës së tyre dhe të intelektualëve që refuzuan t’i nënshtroheshin diktaturës komuniste. Të ndaluar të botonin, të përjashtuar nga jeta kulturore, të censuruar, të internuar, të burgosur, madje edhe të pushkatuar apo të varur, ata mbrojtën, me çmimin e lirisë e, jo rrallë, edhe të jetës, lirinë e mendimit dhe dinjitetin e krijuesit.
Përmes dëshmive të shkrimtarëve të mbijetuar, studiuesve, historianëve bashkëkohorë, familjarëve dhe dorëshkrimeve të shpëtuara, dokumentari ngre pyetje themelore mbi ekzistencën e disidencës letrare shqiptare, veçantinë e saj dhe vendin që zë sot trashëgimia e krijuar në burgje, internime dhe në atë që është quajtur “letërsia e sirtarit”.
Dokumentari i kushtohet disidencës shqiptare – herë të heshtur, herë ulëritëse. E heshtur në vetminë e “letërsisë së sirtarit”, por ulëritëse në qëndresën e hapur të shkrimtarëve që sfiduan diktaturën edhe përballë gjyqeve politike. Simbol i këtij guximi mbetet poeti Trifon Xhagjika, i cili, gjatë procesit të montuar politik kundër tij, pati kurajën t’i thoshte gjykatës komuniste: “Më jepni një top, ta qëlloj udhëheqjen tuaj.”
Në historinë e disidencës shqiptare, një vend të veçantë zë Pjetër Arbnori, simboli i shkrimtarit që pagoi me burg besnikërinë ndaj fjalës së lirë. Sentenca e tij e njohur:
“Në burg, në diktaturë, mendimi nuk mund të ndalohet dot; përkundrazi, nxitet edhe më tepër… ndërsa shkrimi është një provë materiale në bazë të së cilës mund të dënohesh për të dytën herë.”
Kjo sentencë përmbledh tragjedinë e krijuesit shqiptar nën diktaturën komuniste. Në një farë kuptimi, ajo mund të konsiderohet edhe esenca e vetë këtij dokumentari.
Nuk është rastësi që dokumentari e nis udhëtimin e tij filozofik me mendimin e disidentit të madh çek, Václav Havel, i cili e përkufizon me thellësi misionin e disidentit:
“Disidenti nuk vepron aspak në fushën e pushtetit të vërtetë.
Ai nuk kërkon pushtet.
Nuk ka dëshirë për poste dhe nuk mbledh vota.
Nuk përpiqet të mahnisë publikun,
nuk ofron asgjë dhe nuk premton asgjë.
Ai mund të ofrojë vetëm një gjë: qenien e tij,
sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër
për të thënë të vërtetën për të cilën lufton.”
Midis përvojës së Pjetër Arbnorit dhe mendimit filozofik të Václav Havelit ekziston një përputhje e jashtëzakonshme. Arbnori e jetoi disidencën në mënyrën më të dhimbshme, duke paguar me një jetë të tërë burgimi çmimin e së vërtetës dhe të fjalës së lirë. Kjo përvojë përputhet në mënyrë të përkryer me filozofinë universale të disidencës të formuluar nga Haveli.
Përmes analizës së saj, autorja argumenton se mungesa e samizdatit – botimeve klandestine që karakterizuan disidencën në Bashkimin Sovjetik, Poloni apo Çekosllovaki – nuk mund të merret si provë e mungesës së disidencës në Shqipëri. Përkundrazi, ajo e përkufizon me saktësi veçantinë e rastit shqiptar kur shprehet:
“Mungesa e formave si samizdati sovjetik nuk nënkupton mungesë të plotë të shkrimit me prirje disidence. Përkundrazi, në kushtet e censurës së skajshme, ky lloj shkrimi u zhvendos në heshtje, në sirtar, në qarkullim të ngushtë ose në pritje të lexuesit të ardhshëm.”
Ky konstatim përmbledh një nga tezat themelore të dokumentarit: disidenca shqiptare nuk mungoi. Ajo mori një formë krejt të veçantë. Në mungesë të samizdatit dhe të çdo mundësie për botim klandestin, ajo mbijetoi në dorëshkrime të fshehura, në burgje, internime dhe në “letërsinë e sirtarit”, duke pritur ditën kur fjala e lirë do të mund të dilte në dritë.
Disidenca shqiptare nuk duhet gjykuar nga ajo që nuk pati mundësi të bëhej, por nga ajo që pati forcën dhe guximin të mbijetonte. Pikërisht për këtë arsye, “letërsia e sirtarit” nuk përfaqëson mungesën e disidencës, por formën e saj më autentike dhe më fisnike në Shqipërinë komuniste.”
Këtë e përkufizon me shumë saktësi edhe shkrimtari dhe studiuesi Stefan Çapaliku, kur thotë:
“Ishte disidencë pasive; nuk mund të ishte aktive… por kjo nuk na lejon ta deheroizojmë atë që rezistoi.”
Në këtë pohim përmblidhet një nga mesazhet më të rëndësishme të dokumentarit: disidenca shqiptare, edhe e heshtur, mbeti një akt i vërtetë rezistence.
Shkrimtari jo-konformist shqiptar – viktimë e dyfishtë e diktaturës
Në çdo regjim totalitar, shkrimtari përndiqet, sepse arma e tij është mendimi i lirë. Por në Shqipërinë komuniste ai u bë viktimë e dyfishtë: si krijues, u privua nga e drejta për të botuar dhe për të komunikuar me lexuesin, për pasojë, e pësoi edhe si qytetar, duke u përballur me përjashtimin nga jeta shoqërore, internimin, burgosjen, përndjekjen dhe, në raste të caktuara, edhe me ekzekutimin. Regjimi nuk synonte vetëm të kontrollonte librin, por të nënshtronte vetë ndërgjegjen krijuese.
I mbijetuari i burgjeve të komunizmit dhe një nga zërat më përfaqësues të kësaj përvoje, shkrimtari Visar Zhiti, e përkufizon me saktësi natyrën e kësaj rezistence kur thotë:
“Nuk ka pasur disidencë të organizuar, nuk ka pasur disidencë të lejuar, por ka pasur disidencë të fshehtë individuale.”
Nën frikën e censurës dhe të ndëshkimit, çdo dorëshkrim mund të kthehej në provë akuze. Megjithatë, pikërisht në këtë klimë terrori lindi fenomeni më fisnik i kulturës shqiptare – “letërsia e sirtarit”. Ajo nuk ishte një rrymë letrare, por një akt i qëndresës morale. Këta autorë nuk shkruanin për lavdi, karrierë apo botim. Ata shkruanin për të mos tradhtuar të vërtetën, lirinë e ndërgjegjes dhe dinjitetin e krijuesit.
Dokumentari e bën këtë dramë të prekshme përmes fateve të një plejade shkrimtarësh e poetësh antikonformistë, disidentë ose të heshtur me dhunë nga diktatura.
Është e pamundur të shkruhet sot historia e letërsisë moderne shqiptare pa emra si Muhamet Ademi, Pjetër Arbnori, Anton Çefa, Astrit Delvina, Kim Dushi, Sander Gera, Mustafa Greblleshi, Ethem Haxhiademi, Mihal Hanxhari, Simon Jubani, Genc Leka, Fatos Lubonja, Havzi Nela, Arshi Pipa, At Zef Plumi, Ernest Përdoda, Robert Prifti, Primo Shllaku, Pano Taçi, Kasëm Trebeshina, Maks Velo, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Visar Zhiti dhe Zef Zorba. Është pikërisht kjo letërsi e dhimbjes, e kujtesës dhe e dinjitetit njerëzor që sot përbën një nga kapitujt më të fuqishëm të letërsisë moderne shqiptare.
Ata vazhduan të shkruanin edhe kur e dinin se veprat e tyre mund të mos lexoheshin kurrë. Madje, ishin plotësisht të vetëdijshëm se vetë akti i të shkruarit mund t’u kushtonte lirinë ose jetën, siç ndodhi me disa prej tyre. Ata nuk shkruan për bashkëkohësit e tyre, por për të ardhmen, me besimin se një ditë Shqipëria do të ishte e lirë dhe se fjala e tyre do të dilte nga errësira për të dëshmuar të vërtetën.
Paradoksi i madh i diktaturës ishte se, ndërsa kërkoi të vriste letërsinë e lirë, pa dashur “krijoi” një nga faqet më fisnike të saj. Dorëshkrimet e fshehura në sirtarë, arka e vende të sigurta nuk ishin vetëm vepra letrare. Ato u bënë dokumente të ndërgjegjes kombëtare dhe dëshmi të pathyeshme të lirisë së shpirtit njerëzor.
Pikërisht për këtë arsye, “letërsia e sirtarit” nuk përfaqëson një kapitull anësor të historisë sonë letrare, por dëshminë më të lartë të heroizmit intelektual në Shqipërinë e shekullit XX dhe triumfin moral të shkrimtarit mbi diktaturën.
Këtë të vërtetë e përmbledh në mënyrë të shkëlqyer Visar Zhiti, kur shprehet:
“Shqipëria pati nderin e madh të jetë një komb që diti t’i përgjigjet së keqes edhe me poezi, edhe me letërsi.”
Këtë realitet e dëshmon në mënyrë prekëse shkrimtari Primo Shllaku, i cili sjell një nga episodet më rrëqethëse të dokumentarit. Ai rrëfen:
“…Edhe unë s’e kam ditur që baba im shkruante. Kur më tha: ‘Tani i kam këto gjana dhe po t’i lë ty’, desha të dilja nga kjo zgafellë. Kur dola, babai im filloi të botonte nga një libër dhe vetëm atëherë u mor vesh. As ai s’e kishte ditur për mua, as unë për të.”
Ky rrëfim zbulon një nga dimensionet më tragjike të diktaturës komuniste. Gjatë atyre viteve, edhe Primo Shllaku, edhe i ati, Lec Shllaku, shkruanin në kundërshtim me “rregullat” e kohës, por pa e ditur se edhe tjetri bënte të njëjtën gjë. Frika ishte aq e madhe, sa edhe brenda së njëjtës familje mbizotëronte heshtja. Pikërisht nga kjo përvojë buron edhe një nga përkufizimet më të fuqishme morale të dokumentarit, të shprehur nga vetë Primo Shllaku:
“Me jetue për një çështje asht shumë ma e vështirë se me vdekë për të.”
Këtë të vërtetë e thekson edhe studiuesi, kritiku letrar dhe profesori Ardian Ndreca, i cili, duke analizuar fatin e letërsisë shqiptare nën diktaturë, shprehet me një fjali që përmbledh gjithë dramën e saj:
“…Asht dëshmi tronditëse fakti se letërsia, pa liri, e ka shumë të vështirë me lulëzue…”
Duke krahasuar përvojën shqiptare me atë të vendeve të tjera të Evropës Lindore, Prof. Ardian Ndreca vëren se në Bashkimin Sovjetik dhe në Çekosllovaki dorëshkrimet e autorëve si Mihail Bulgakov dhe Václav Havel qarkullonin fshehurazi përmes samizdatit. Herë-herë ato arrinin t’u shpëtonin ndjekjeve, herë-herë autorët arrestoheshin, dorëshkrimet konfiskoheshin, digjeshin ose zhdukeshin. Megjithatë, ato shumëfishoheshin me dorë dhe kalonin nga një lexues te tjetri, me synimin për t’u treguar njerëzve se, përtej mendimit zyrtar, ekzistonin edhe zëra të tjerë që mendonin dhe shkruanin ndryshe.
Sipas Prof. Ardian Ndrecës, pikërisht kjo formë e qarkullimit klandestin nuk mundi të zhvillohej në Shqipëri për shkak të terrorit ekstrem të regjimit komunist. Megjithatë, mungesa e samizdatit nuk do të thotë mungesë e disidencës, por dëshmon veçantinë e saj shqiptare: një letërsi që mbijetoi në heshtje, në burgje, internime dhe në dorëshkrimet e fshehura të “letërsisë së sirtarit”.
Mjafton të kujtojmë rastin e Pjetër Arbnorit, i cili, gjatë viteve të burgut, shkroi fshehurazi një roman prej rreth 800 faqesh në fletë cigaresh. Vetë fakti që një vepër e tillë u krijua në kushte çnjerëzore dëshmon se diktatura mund ta burgoste njeriun, por nuk mund ta burgoste mendimin dhe krijimtarinë e tij.
Me ndjeshmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi historike, Beti Njuma i sjell këta zëra para syve dhe veshëve tanë, duke ua rikthyer vendin që meritojnë në kujtesën kombëtare. Për këtë arsye, dokumentari i tejkalon kufijtë e një realizimi të zakonshëm televiziv. Ai shndërrohet në një arkiv të gjallë të kujtesës sonë kulturore, ku ruhen zëra, dëshmi dhe reflektime, që do të mbeten burime të çmuara për studiuesit, historianët e letërsisë dhe brezat e ardhshëm.
Një trashëgimi për kujtesën kombëtare
Një nga zërat më bindës të dokumentarit, profesorja dhe studiuesja e letërsisë Viola Isufaj, rrëzon idenë e gabuar se mungesa e një disidence të organizuar nënkuptonte mungesën e vetë disidencës, kur shprehet:
“Disidenca ekzistonte, megjithëse në formë të kufizuar dhe shumë të heshtur.”
Ky vlerësim përmbledh një nga përfundimet më të rëndësishme të dokumentarit. Në vijim të këtij reflektimi, profesorja Isufaj shton:
“‘Letërsia e sirtarit’ mund të mos shihte kurrë dritën e botimit, por ja që ekziston sot dhe rrezaton gjithë bukurinë e saj.”
Në një kohë kur dëshmitarët e drejtpërdrejtë të asaj epoke po pakësohen, çdo dëshmi e regjistruar fiton vlerën e një dokumenti historik. Këtë e shpreh me shumë saktësi edhe profesorja e Universitetit të Nottingham-it, Blerina Këllezi, kur thekson:
“Kjo letërsi e fshehur ka ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme atë që ndodhi në diktaturë.”
Ky vlerësim shkon përtej një analize letrare. Ai e përkufizon “letërsinë e sirtarit” si një arkiv të gjallë të kujtesës kombëtare, ku nuk ruhen vetëm vepra artistike, por edhe e vërteta historike, përvoja njerëzore dhe dinjiteti i një brezi krijuesish që refuzuan t’i nënshtroheshin diktaturës.
Për këtë arsye, dokumentari tejkalon kufijtë e një realizimi televiziv dhe bëhet pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.
Një rast krejt i veçantë është ai i Robert Priftit, i cili, në heshtjen e diktaturës, shkroi fshehurazi në gjuhën italiane. Pas vitit 1990, dorëshkrimet e tij u dërguan në Itali nga i biri, ku u pritën me vlerësim të lartë, duke dëshmuar se talenti i vërtetë nuk njeh kufij dhe nuk mund të mbetet përgjithmonë i burgosur.
Por, sipas dëshmisë së pedagoges së Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Drita Isufaj, censura shkonte edhe më tej. Kur fjal a ishte për përkthimet në gjuhën shqipe, ajo shprehet:
“Çdo vepër e letërsisë botërore që është përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe nuk ka kaluar pa u prekur nga gërshërët redaktorialë të shtëpisë botuese.”
Kujtesa është garancia e lirisë
Në fund të këtij rrugëtimi, “Disidentët Shqiptarë – Zërat e së Vërtetës” na vë përballë një pyetjeje themelore:
“A dimë t’i nderojmë ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë e fjalës?”
Historia na mëson se diktaturat nuk kanë frikë vetëm nga armët, por edhe nga kujtesa. Prandaj ato përpiqen të zhdukin jo vetëm njerëzit, por edhe veprën, emrin dhe gjurmët e tyre. Një popull që harron martirët e mendimit të lirë rrezikon të humbasë kujtesën e vet dhe, siç na mëson historia, ajo që harrohet ka prirjen të përsëritet.
Sot, detyrimi ynë nuk është vetëm t’i admirojmë, por edhe t’i kujtojmë, t’i studiojmë në shkolla e universitete dhe t’ua përcjellim brezave që vijnë. Sepse një komb nuk nderohet vetëm nga ata që mbrojtën atdheun me armë, por edhe nga ata që mbrojtën të vërtetën me penë.
Prandaj, siç thotë Visar Zhiti, ajo letërsi që u shkrua në kohën e “pandemisë ideologjike” duhet njohur dhe kujtuar si një vepër që meriton të zërë vend në panteonin e lirisë dhe të letërsisë shqiptare.
Kjo është arsyeja pse ky dokumentar është më shumë se një film: ai është një monument i kujtesës sonë kombëtare. Sepse liria nuk mbijeton vetëm falë atyre që e fitojnë, por edhe falë atyre që e ruajnë në kujtesë dhe ua përcjellin atë brezave që vijnë.
Personazhet e dokumentarit
Personazhet e dokumentarit përbëjnë një polifoni zërash që rrëfen të vërtetën. Merita e autores qëndron në ekuilibrin me të cilin harmonizon këta zëra, duke i shkrirë në një tërësi organike dhe bindëse.
Intervistat me pasardhësit e martirëve dhe të shkrimtarëve të “sirtarit” e bëjnë dokumentarin edhe më emocional. Veçanërisht prekëse janë dëshmitë e Elenës dhe Lucias, vajzave të Zef Zorbës; të Azylkës, vajzës së Mustafa Greblleshit; të Edgarit, djalit të Robert Priftit; si edhe dëshmia e Brikena Çabejt. Përmes tyre, drama e persekutimit nuk mbetet vetëm një fakt historik, por shndërrohet në një përvojë njerëzore që prek drejtpërdrejt shikuesin.
Dokumentet, analizat shkencore dhe përvojat personale ndërthuren natyrshëm, duke i dhënë veprës besueshmëri, thellësi dhe autoritet moral.
Në fund, shikuesi nuk ndjek thjesht një seri intervistash, por bëhet pjesë e një simpoziumi kombëtar mbi disidencën shqiptare, ku historia rindërtohet përmes bashkimit të shumë zërave. Pikërisht kjo e bën dokumentarin një vepër me vlerë të qëndrueshme historike, shkencore, kulturore dhe njerëzore.
Paradoksi i kohës sonë: Disidentët dhe antidisidentët
Mbetet, megjithatë, një paradoks që vazhdon të rëndojë mbi ndërgjegjen tonë, si kulturore, ashtu edhe njerëzore. Edhe pse pas vitit 1990 letërsia disidente ka filluar të zërë vendin që meriton, shoqëria shqiptare ende nuk është shkëputur plotësisht nga trashëgimia e së kaluarës. Nuk është e rrallë që në juritë, institucionet dhe tribunat e vlerësimit të letërsisë, qoftë të asaj të periudhës së censurës komuniste, qoftë të letërsisë së sotme, të vazhdojnë të kenë rol, madje edhe të nderohen, individë që dikur ishin censorë, persekutorë, dëshmitarë ose hartues të raporteve e analizave ideologjike, të cilat çuan në ndalimin e veprave, në dënimin, burgosjen e deri në ekzekutimin e autorëve të tyre.
Ky është një paradoks moral që kërkon reflektim. Një shoqëri nuk mund të ndërtojë një kulturë të drejtë të kujtesës pa rivlerësuar me ndershmëri jo vetëm viktimat, por edhe përgjegjësitë e atyre që u bënë instrumente të persekutimit të mendimit të lirë. Pranimi i atij akti kriminal meriton, së paku, heshtjen e tyre dhe injorimin e plotë nga publiku.
Përfundim
Në fund, ky dokumentar na kujton një të vërtetë të thjeshtë, por të përjetshme: diktaturat mund të burgosin shkrimtarët, mund të ndalojnë librat, madje mund të marrin edhe jetët e tyre, por nuk mund ta vrasin të vërtetën. Ajo mbijeton në kujtesë, në letërsi dhe në ndërgjegjen e një kombi. Për këtë arsye, “Disidentët Shqiptarë – Zërat e së Vërtetës” është një vepër që meriton të shihet, të studiohet dhe të ruhet si pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare.