DY VEPRA, DY EPOKA, I NJËJTI IDEAL
Mal Berisha

“TOKA E ZJARRIT” DHE “TOKA E NDEZUR”
Meditime mbi këngën “Toka e Zjarrit” të Selami Kolonjës
Ka vepra arti që nuk harrohen kurrë. Ato nuk jetojnë vetëm gjatë kohës kur interpretohen apo shfaqen, por vazhdojnë të jetojnë në kujtesën dhe ndërgjegjen e njerëzve, sepse prekin diçka shumë më të thellë se emocionin e çastit.
Këtë ndjesi përjetova këto ditë, kur dëgjova këngën “Toka e Zjarrit” të kantautorit të njohur Selami Kolonja.
Që në vargjet e para, kënga të rrëmben me një ndjenjë të thellë dashurie për tokën shqiptare. Ajo nuk i drejtohet atdheut si një nocion thjesht gjeografik, por si një trashëgimi shpirtërore që bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë.
Sa i madh është vendi im,
Një zemër të madhe mban përbrenda;
I gjerë, i lashtë, me plot kufij,
Me një mijë halle, një mijë ëndrra.
Pa retorikë, pa britma dhe pa slogane, Selami Kolonja arrin të ndërtojë një baladë që buron natyrshëm nga dashuria për vendin, kujtesa historike dhe krenaria kombëtare.
Në këtë këngë, toka shqiptare është toka e bedenave, e Besës, e sakrificës, e kujtesës dhe e identitetit. Është ajo tokë ku historia nuk mbetet vetëm në imazhet e së kaluarës, por vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e çdo shqiptari.
“Sa i ëmbël dheu im,
Mjaltë prej shpirtit del nga kënga;
Se çdo ditë e çdo natë,
Për ty, shqipe, më rreh zemra.”
Nga ana muzikore, kënga dëshmon një pjekuri artistike të admirueshme. Melodia është e ëmbël, e shtrirë dhe e qetë, dhe përcjell ndjenja fisnikërie dhe dinjiteti. Orkestracioni është profesional dhe nuk konkurron me tekstin, por e mbështet atë me finesë. Interpretimi është i ngrohtë, i natyrshëm dhe plot emocion të përmbajtur, çka është shumë më e vështirë se një interpretim i mbështetur te efekti teatral.
Selami Kolonja është ndër ata kantautorë që nuk krijojnë muzikë vetëm për të argëtuar. Ai e kompozon atë për të evokuar kujtesën, për të edukuar, për të frymëzuar dhe për t’i për-bashkuar shqiptarët emocionalisht, dhe e bën dëgjuesin të ndihet krenar për identitetin e vet kombëtar.
Kënga që po analizojmë është vazhdim i natyrshëm i traditës së tij krijuese dhe e rendit atë ndër artistët më të angazhuar të muzikës patriotike shqiptare.
* * * * *
Retrospektivë:
Teksa e dëgjoja këtë këngë, mendja m’u kthye menjëherë shumë vite pas, te një nga përjetimet e mia më të fuqishme artistike: Analiza letrare që i pata kushtuar dramës “Toka e Ndezur”, të shkruar nga shkrimtari i ri i asaj kohe, Fahri Balliu.
Në fakt, janë dy epoka të ndryshme, dy gjini të ndryshme artistike, por i njëjti emocion dhe i njëjti ideal: Dashuria për tokën shqiptare, qoftë ajo e Ndezur apo e Zjarrit, le ta quajmë si të duam.
Drama, aso kohe u vu në skenë menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, nga trupa teatrore amatore e Mamurrasit, nën drejtimin e mjeshtërve Kadri Roshi dhe Lazër Filipi,
Në ato vite, kur ngjarjet në Kosovë kishin tronditur mbarë kombin shqiptar, ajo nuk ishte thjesht një shfaqje teatrore. Më shumë se aq, ajo ishte një mesazh i fuqishëm solidariteti, dhimbjeje dhe ndërgjegjësimi kombëtar.
Nuk mund ta harroj kurrë momentin kur personazhi kryesor, i dëbuar nga trojet e veta nga hordhitë serbe, nisej për në gurbet. Në dalje të fshatit atij iu dëgjua thirrja rrëqethëse:
“Po ku po shkon, bre Bacë!? Po ku po e lë këtë tokë, që, po ta shtrydhësh, pikon gjak shqiptari?”
Në fund të njërës prej shfaqjeve të Olimpiadës Kombëtare të Teatrove Amatore të asaj kohe, një malësor shtatlartë, me plis të bardhë në kokë, u ngrit në këmbë. Me lot në sy dhe me një zë kumbues, të dridhur nga emocioni, tha:
“Na e copëtuat zemrën sonte! Ju kërkojmë që, kur ta shfaqni përsëri këtë dramë, t’i keni armët gati dhe ne të nisemi drejt Kosovës për t’i shpëtuar vëllezërit tanë.”
Asnjë kritik arti nuk do të mund ta vlerësonte më mirë forcën emocionale të asaj vepre dramatike sesa ai reagim i çiltër dhe spontan.
* * * * *
Kënga “Toka e Zjarrit” është krijuar në kohën tonë, kur ne shqiptarët edne vazhdojmë të jetojmë në disa shtete të ndryshme, të konsideruara si demokratike, të ndarë nga kufij politikë.
Por edhe sot fenomeni i largimit të shqiptarëve nga dheu i tyre, pavarësisht se në cilën anë të kufirit jetojnë, vazhdon të mbetet jo vetëm një plagë e rëndë sociale, por edhe një dramë e madhe kombëtare.
Prandaj, mesazhi mbetet i pandryshuar dhe merr vlerë universale:
Shtetet janë të ndara, por Atdheu nuk matet me kufij. Edhe kur “Toka e Zjarrit” është e parcelizuar, ajo ka vetëm një masë: zemrën.
Kënga e sotme dhe drama e djeshme na thërrasin:
Mos e lëshoni këtë vend të bukur, Atdheun!
Kështu, kënga e Selami Kolonjës nuk mbetet vetëm një krijim i bukur muzikor. Ajo shndërrohet në një testament artistik të dashurisë për tokën shqiptare. Këtë e përforcon edhe ilustrimi pamor që e shoqëron këngën, duke e fuqizuar këtë mesazh dhe duke i dhënë atij edhe më shumë forcë shprehëse.
Kur një vepër artistike arrin ta zgjojë këtë ndjenjë, ajo fiton të drejtën të mbetet gjatë në kujtesën e një kombi.
Pikërisht këtë arrin kënga e Selami Kolonjës.
Për këtë dhuratë të çmuar që i ka bërë kulturës shqiptare, ai, si dhe i gjithë grupi realizues, meritojnë admirimin, mirënjohjen dhe respektin tonë më të thellë.


