“ALBULENA, PRITA – PRITA”


“ALBULENA, PRITA – PRITA”

Nga Mal Berisha

14 qershor 2026


Këto ditë, pjesëmarrësit e manifestimeve masive në Tiranë, por edhe në qendra të tjera të Shqipërisë, kanë pasur si një nga këngët e tyre frymëzuese këngën  e njohur “Albulena Prita – Prita”.

Si ka lindur kjo këngë?

Kënga “Albulena, prita-prita” i kushtohet drejtpërdrejt Betejës së Albulenës të vitit 1457, një prej fitoreve më të mëdha të Skënderbeut kundër ushtrive osmane, dhe është kënduar pikërisht nga artistë që kanë lindur dhe kanë jetuar në trevën ku është zhvilluar ajo betejë e lavdishme – Albulena e Kurbinit.

Pak histori.

Treva e Kurbinit ka qenë dhe mbetet jashtëzakonisht e pasur jo vetëm në traditat patriotike, por edhe në trashëgiminë folklorike dhe kulturore. Pikërisht për këtë arsye organizoheshin ekspedita të posaçme për mbledhjen e folklorit popullor. Këto ekspedita sollën një numër të madh materialesh artistike, të cilat më pas u bënë pjesë e programit të Grupit Folklorik të Rrethit të Krujës, ku përfshiheshin Laçi dhe e gjithë zona e Kurbinit, të cilat do të përfaqësoheshin në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1983.

Në Pallatin e Kulturës të Laçit, punuam për festivalin së bashku me drejtuesin muzikor, kompozitorin Ryzhdi Keraj, dhe drejtuesin artistik, regjisorin Agim Doda.

Në zonën që përfshinte disa fshatra me emrin “Albulena” vepronte një aktivist i pasionuar i kulturës popullore, mbledhës folklori dhe muzikant i njohur, Seit Lika. Ai ishte nga fshati Gjorëm, i njohur dikur me emrin e vjetër “Dardha e Gjonit”, një emërtim me rrënjë të qarta të traditës së krishterë shqiptare.

Kushdo që ka shkelur në fshatin Zhejë, në rrugën midis Ujit të Bardhë, Kodrës së Dashit, Kodrës së Bajrakut dhe Kishës së Shelburnit, e njeh mirë këtë trevë historike, të lidhur ngushtë me Betejën fitimtare të Albulenës.

Kjo këngë, e cila tanimë është bërë një hit, ka dy autorë, të cilëve duhet t’u njihet merita e madhe që kanë:

I pari është shkrimtari i njohur Kolë Jakova, autor i tekstit të këngës, ndërsa i dyti është Seit Lika, ai që solli motivin e këngës nga treva e vendlindjes së tij dhe nga fshati Zhejë.

Ai e kishte dëgjuar këtë motiv popullor që në fëmijëri, të kënduar brez pas brezi në trevën e tij. Motivi i këngës ruhej në kujtesën popullore pikërisht në zonën ku tradita vendase e lidh zhvillimin e Betejës së Albulenës, në rrethinat e Ujit të Bardhë, një burim uji termal shumë i njohur me këtë emër, buzë rrugës së vjetër nacionale Shkodër–Tiranë, në segmentin Laç–Mamurras.

Seit Lika e solli këtë motiv të vyer folklorik në grupin artistik. Më pas, me punën e përbashkët të muzikantëve, regjisorëve dhe këngëtarëve të kohës, ai mori formën artistike që njohim sot.

Ndër interpretuesit që kujtoj ishin: Seit Lika, Ali Halili, Ndoc Seferi, Kadri Lika, Gjergj Paçani, Bashkim Aliu dhe artistë të tjerë të talentuar të zonës.

Pas një pune intensive përgatitore në Laç, grupi u përfshi në Grupin Folklorik të Rrethit të Krujës, nën kujdesin e muzikantit Mehmet Llubani, dramaturgut dhe regjisorit të njohur Ibrahim Berdaku, si dhe të artistëve të tjerë krutanë.

Ishte pikërisht në këtë periudhë që kënga mori formën e saj përfundimtare artistike dhe u paraqit me sukses në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, duke mbetur deri më sot një nga krijimet më të bukura kushtuar Skënderbeut dhe lavdisë së qëndresës shqiptare.

Edhe sot, pas më shumë se katër dekadash, tingujt e saj vazhdojnë të zgjojnë emocione të forta patriotike dhe të kujtojnë se liria është vlera më e çmuar për të cilën kanë luftuar breza të tërë shqiptarësh.

Ja teksti origjinal i këngës:

ALBULENA PRITA – PRITA

Albulena, o mor prita-prita,
Ndal, sulltan-o se t’erdhi dita!
Skënderbeu’ o prej maje s’kalit,
Si rrufeja’ o po zbret prej malit.

Skënderbeu’ o ja bani bene:
Po të zura’ o në Albulene,
Asnjë i gjallë’ o nuk do t’shpëtoje,
Fushën gjaku’ o do ta mbuloje.
Asnjë i gjallë’ o nuk do t’shpëtoje,
Fushën gjaku’ o do ta mbuloje.

Mbarë ushtrinë’ o ç’e mori hika,
Evrenozin’ o mor ç’e zu frika.
Me vrap pashë’ o se t’zu rreziku,
Mjerë kush mbeti’ o mor lum kush iku!

Albulena’ o mor gropa-gropa,
Mbet ushtria’ o mor mish për korba.
Për vend’ tonë’ o mor për liri- e,
Albulenë’ o mor e bajmë Arbrine !

Njohja e historikut të kësaj kënge ka për mua një rëndësi të veçantë, për shkak të lidhjes që kam pasur me të që në zanafillën e saj, deri te interpretimi në Festivalin Folklorik Kombëtar në Kalanë e Gjirokastrës.

Më vonë, ajo është interpretuar nga shumë artistë të njohur, sidomos në Kosovë.

Në të vërtetë, “Albulena Pita Prita” është një këngë që zgjon emocione të fuqishme patriotike. Ajo i kushtohet një prej fitoreve më të mëdha të Skënderbeut dhe mishëron kujtesën historike të një populli që luftoi pareshtur për liri. Në këtë kuptim, ajo është pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe historike, ndër më të shquarat.

Jam shumë mirënjohës për atë ekip artistësh patriotë që i lanë muzikës sonë popullore një xhevahir të tillë, frymëzues në çdo betejë me të cilën ndeshemi në jetë.

Kjo është trashëgimia që na bashkon sot me të kaluarën tonë heroike.

Shënim: Kënga, siç është interpretuar në origjinal, gjendet në këtë link në internet me titullin:

https://www.facebook.com/watch/?v=1288230539688484


Foto 1 – Grupi i Burrave të Zhejës, Kurbin. Këngë kushtuar Betejës së Albulenës.

Foto 2 –3 – Me regjisorin Agim Doda në shkallët e Pallatit të Kulturës në Laç, 46 vjet pas asaj ngjarjeje kulturore dhe historike, ku u interpretua për herë të parë kënga “Albulena, Prita-Prita”.