Meditime mbi këngën “Toka e Zjarrit” të Selami Kolonjës

Mal Berisha
Ka vepra arti që nuk harrohen kurrë. Ato nuk jetojnë vetëm gjatë kohës kur interpretohen apo shfaqen, por vazhdojnë të jetojnë në kujtesën dhe ndërgjegjen e njerëzve, sepse prekin diçka shumë më të thellë se emocionin e çastit.
Këtë ndjesi përjetova këto ditë, kur dëgjova këngën “Toka e Zjarrit” të kantautorit të njohur Selami Kolonja.
Që në vargjet e para, kënga të rrëmben me një ndjenjë të thellë dashurie për tokën shqiptare. Ajo nuk i drejtohet atdheut si një nocion thjesht gjeografik, por si një trashëgimi shpirtërore që bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë.
Sa i madh është vendi im,
Një zemër të madhe mban përbrenda;
I gjerë, i lashtë, me plot kufij,
Me një mijë halle, një mijë ëndrra.
Pa retorikë, pa britma dhe pa slogane, Selami Kolonja arrin të ndërtojë një baladë që buron natyrshëm nga dashuria për vendin, kujtesa historike dhe krenaria kombëtare.
Në këtë këngë, toka shqiptare është toka e bedenave, e Besës, e sakrificës, e kujtesës dhe e identitetit. Është ajo tokë ku historia nuk mbetet vetëm në librat e së kaluarës, por vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e çdo shqiptari.
Sa i ëmbël dheu im,
Mjaltë prej shpirtit del nga kënga;
Se çdo ditë e çdo natë,
Për ty, shqipe, më rreh zemra.
Edhe nga ana muzikore, kënga dëshmon një pjekuri artistike të admirueshme. Melodia është e ëmbël, e shtrirë dhe e qetë, duke përcjellë ndjenja fisnikërie dhe dinjiteti. Orkestracioni është profesional dhe nuk konkurron me tekstin, por e mbështet atë me finesë. Interpretimi është i ngrohtë, i natyrshëm dhe plot emocion të përmbajtur, çka është shumë më e vështirë se një interpretim i mbështetur te efekti teatral.
Selami Kolonja është ndër ata kantautorë që nuk e përdorin muzikën vetëm për të argëtuar. Ai e përdor atë për të kujtuar, për të edukuar dhe për të bashkuar, duke e bërë dëgjuesin të ndihet krenar për identitetin e vet.
Teksa e dëgjoja këtë këngë, nuk mund të mos kthehesha pas në kohë.
Ajo ma solli menjëherë ndër mend një nga përjetimet më të fuqishme artistike të rinisë sime: dramën “Toka e Ndezur”, të shkruar nga shkrimtari i ri i asaj kohe, Fahri Balliu.
Janë dy epoka të ndryshme, dy gjini të ndryshme artistike, por i njëjti emocion dhe i njëjti ideal: dashuria për tokën shqiptare.
Drama, aso kohe u vu në skenë nga trupa teatrore amatore e Mamurrasit, nën drejtimin e mjeshtërve Kadri Roshi dhe Lazër Filipi, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.
Në ato vite, kur ngjarjet në Kosovë kishin tronditur mbarë kombin shqiptar, ajo nuk ishte thjesht një shfaqje teatrore. Ishte një mesazh i fuqishëm solidariteti, dhimbjeje dhe ndërgjegjeje kombëtare.
Nuk mund ta harroj kurrë momentin kur personazhi kryesor, i dëbuar nga trojet e veta, nisej për gurbet dhe dëgjonte thirrjen rrëqethëse:
“Po ku po shkon, bre Bacë! Po a e din se po e lë këtë tokë arbnore që, po ta shtrydhësh, pikon gjak shqiptari?”
Në sallë mbretëronte një heshtje e rëndë, thuajse shpërthyese.
Në fund të shfaqjes, gjatë Olimpiadës Kombëtare të Teatrove Amatore të asaj kohe, një malësor shtatlartë, me plis të bardhë në kokë, u ngrit në këmbë me lot në sy dhe me zërin kumbues por që i dridhej tha:
“Na e copëtuat zemrën sonte! Ju kërkojmë që, kur ta shfaqni përsëri këtë dramë, t’i keni armët gati dhe ne të nisemi drejt Kosovës për t’i shpëtuar vëllezërit tanë.”
Asnjë kritik arti nuk do të mund ta vlerësonte më mirë forcën emocionale të asaj vepre dramatike sesa ai reagim i çiltër dhe spontan.
*****
Pikërisht atë ndjenjë ma riktheu kënga “Toka e Zjarrit”.
Edhe pse i përkasin dy kohëve dhe dy gjinive të ndryshme artistike, të dyja veprat dalin nga i njëjti burim shpirtëror.
Drama “Toka e Ndezur” lindi kur Kosova ishte ende nën pushtim dhe shqiptarët jetonin dhimbjen e robërisë.
Kënga “Toka e Zjarrit” lindi në një kohë tjetër, kur shqiptarët jetojnë në shtete të ndryshme, të konsideruara si demokratike, por ende të ndarë nga kufij politikë.
Megjithatë, mesazhi mbetet i pandryshuar.
Atdheu nuk matet me kufij. Ai matet me zemër.
Prandaj, kënga e Selami Kolonjës nuk mbetet vetëm një krijim i bukur muzikor. Ajo bëhet një testament artistik i dashurisë për tokën shqiptare, për kujtesën historike dhe për identitetin kombëtar.
“Toka e Ndezur” u fliste shqiptarëve të një kohe kur liria mungonte.
“Toka e Zjarrit” u kujton shqiptarëve të sotëm se liria nuk ka kuptim pa kujtesën, pa identitetin dhe pa dashurinë për tokën e të parëve dhe se ajo duhet ruajtur dhe mbrojtur çdo ditë.
Nga “Toka e Ndezur” e viteve të dhimbjes deri te “Toka e Zjarrit” e ditëve tona, arti shqiptar vazhdon të na kujtojë se toka nuk është vetëm një hapësirë gjeografike. Ajo është kujtesë, identitet, sakrificë dhe amanet.
Kur një vepër artistike arrin ta zgjojë këtë ndjenjë, ajo fiton të drejtën të mbetet gjatë në kujtesën e një kombi.
Pikërisht këtë arrin kënga e Selami Kolonjës.
Për këtë dhuratë të çmuar që i ka bërë kulturës shqiptare, ai meriton admirimin dhe mirënjohjen tonë.

