Promovimi i Shqipërisë, mbetet një ndër objektivat më të rëndësishme të punës së Ambasadës së Shqipërisë në Londër.
Për Ambasadorin shqiptar në Britani, Mal Berisha, këtë më mirë se askush e bëjnë artistët tanë të mëdhenj që interpretojnë kudo nëpër skenat botërore.
Pas aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, Salla e Teatrit Kings Place, Londër është pushtuar fuqishëm mbrëmjen e djeshme nga dy artistë shqiptarë, emrat e të cilëve janë të vlerësuar dhe të duartrokitur në shumë skena prestigjoze.
Interpretimi i sopranos tonë të mrekullueshme Inva Mula e shoqëruar në piano nga virtuozi tashmë Genc Tukiçi në një program ku spikatën edhe interpretimet e Marjela Cingos, Elion Vejsiut, Melina Karajanit, dhe violinistit virtuoz anglez, Peter Sheppard Skerved e mbajtën audiencën thuajse pa frymë për mëse një orë e gjysëm.
Në këtë evenimet të rëndësishëm të shqiptarëve në Britani, ishin të pranishëm Ambasadorë, Lordë, Parlamentarë, Lord Mayer of City of Westminster, muzikantë anglezë, publik i thjeshtë si dhe shqiptarë me banim në Britaninë e Madhe.
Në program spikati vëçanërisht poezia shqipe e De Radës, Naim Frashërit dhe Ismail Kadaresë, përkthyer në gjuhën angleze dhe intepretuar nga Robert Wilton.
Në këtë koncert recital në prag të festave të nëntorit, pjesë e repertorit ishin vepra shqiptare por edhe të huaja.
“Një mbrëmje e mrekullueshme shqiptare në Londër – aspak më pak se një triumf”, e ka cilësuar ambasadori ynë në Londër.
‘Notes on Albania”-Shënime mbi Shqipërinë, është i dyti edicion që organizohet me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe britanikë që këtë vit u drejtua nga sopranoja jonë me famë botërore, Inva Mula.Shiko Koncertin. Kliko ketu…