“Shqiptarët, lisa mbi truallin ilir”, një testament shqiptarie

tonews1

“Shqiptarët, lisa mbi truallin ilir”, një testament shqiptarie

Marjana-Bulku-4-300x300Nga Marjana Bulku Zeneli

TIRANA OBSERVER,01/08/2016

Nëpër ditët tona të vështira,pikërisht atëherë kur e ardhmja tronditet e i trembet së nesërmes, ekzistojnë alternativa ku krenaritë jetojnë jo vetëm nëpër fjalë, por edhe në vepra që kryevepra i bën koha kur na serviren, mesazhet që ato përcjellin dhe efektet që shkaktojnë ndër ne. Tranzicionet e njëpasnjëshme shqiptare kanë zbehur, zhbërë dhe zvetënuar historinë tonë nëpër limite durimi duke na zbehur besimin e rritur veç dyshime e dyjëzime se kush jemi, nga vijmë dhe ku shkojmë. Nëpër faqet e pafundme informative ku tragjizmi me pasoja fizike e psikologjike aktron në jetën e përditshme duke dhunuar çdo embrion shprese e ku e vetmja portë është ikja, ca faqe libri bëhen edhe hit patriotizmi ku teksti tejkalon kontekstin duke zgjeruar kufijtë kohor dhe hapësinor e duke u shndërruar në hit krenarie e atdhedashurie gjithashtu, kaq i domosdoshëm që ia risjell vetes si refren.

shqip“Shqiptarët, lisa mbi truallin ilir” nga Edualba me autor Mal Berisha, një shekull vlerësimesh të shtypit amerikan për shqiptarët dhe Shqipërinë, është botimi që më shoqëroi teksa lija Shqipërinë atë verë 11, nën peshën e pamasë të dashurive për atë vend dhe nën barrën e rëndë të brengave të ikjes prej nga aty. Përmes tij do t’ju jepja përgjigje enigmave të djemve të mi për vendin amë që do të rriteshin papritmas larg tij, për ato paradokse e bukuri natyrore keqshfrytëzuar, për çudinë bunker e çmendurinë- diktaturë 50-vjeçare që nuk e konceptojnë dot as fqinjët tanë kosovarë të lirë të udhëtonin ngado përveçse në Shqipërinë amë,për qytetet tona aq të lashta rrethuar nga gërmadha kalash dëshmitare humbjesh por edhe fitoresh, për burimet natyrore e perspektivat e mohuara, për kostumet e lashta shqiptare plot larmi, për epikën e rrallë dhe atë ashpërsi që malet hijerëndë i kanë dhënë shqiptarit që komunikon me shqiptarin edhe me piskamë diku në veriun e lartë.

Një material teorik dhe i ilustruar ,i organizuar falë fakteve të dokumentuara nga revista National Geographic një koleksion kronologjia e të cilit ndërpritet duke e zhdukur Shqipërinë nga faqet e saj deri në vitin 1981. Izolimi fshihte Shqipërinë duke lënë në errësirë jetët njerëzore që do të ishin viktima por edhe heronj. Viktima të një regjimi të padrejtë, heronj që do ngriheshin mbi padrejtësi për ti çelur shtigje të drejtës.

Errësira që na ndau, përçau, dhunoi, internoi, vrau, griset në ‘90-ën duke shpalosur një realitet ku liria e munguar e ka të vështirë të orientohet dhe të orientojë njeriun që komunizmi nuk e shndërroi dot në “të ri” me citate , vepra të ndaluara, kufij me gjemba, mendim të burgosur, ëndrra të kontrolluara dhe varfëri me tollon. Liria nuk mundet të konceptohet kur asaj i është mohuar ama, miqtë, idealistët, mendimtarët, ëndërrimtarët, ata që të drejtën e kanë frymëzim dhe orientim.

Revista National Gjeoraphic që botohet në një vend demokratik siç është Amerika fokusohet edhe në universitetet shqiptare, ne këto vatra ku rriten elitat, substancën që zhvillohet aty e ku çuditërisht E DREJTA nuk studiohej dhe sistemi nuk kishte avokatë, ministria e Drejtësisë zhdukej nga administrata me urdhër enverian dhe “shteti është zoti gjithçkaje” (fq 208).

Një “zot” që vrau çdo zot, por që nuk shkuli dot nga rrënjët historinë tonë, atë që nuk fillon në vitin 1944, as 1945, por është shumë më e thellë se kaq edhe pse shifrat marramendëse të të burgosurve, ekzekutuarve, , të internuarve dëshmojnë aneminë kërcënuese që zbeh vitalitetin, shqiptarët pulsojnë falë miqve perëndimorë që historinë e kanë pasuri, madje falë tyre historia jonë gjallon duke u dokumentuar korrektësisht.

E di që kureshtja e tim biri insiston të më pyesë nëse janë patriotë sa duhet shqiptarët duke u nisur nga shifrat e ikjes varg. Ndalem dhe mendueshëm i them se patriotizmit i duhet gjetur ama e prej aty ti e ndjek me sy, mendim, studim edhe të botimeve si ky testament i patriotizmit dhe atdhedashurisë sepse të duash atdheun do të thotë t’ia duash të gjitha vitet, ditët, orët, çastet, kudo ku je,të mos ndalesh së dashuri edhe kur të ndalojnë a ta mohojnë. Patriotizmit amen, nëpër çdo histori e dritëhije te saj!

SOURCE: http://www.tiranaobserver.al/shqiptaret-lisa-mbi-truallin-ilir-nje-testament-shqiptarie/