DY LIBRA PËR DY AMERIKANËT QË NA DONIN ME SHPIRT
Nga Miho Gjini
Thuajse e kisha harruar fare Malin, ish studentin tim të Institutit të Arteve, tek ai qëndroi para meje në njerën nga rrugët e Tiranës dhe me përqafoi përzemërsisht, sikur asgjë nuk më kishte ndodhur. Dhe as që e dija që ai, sapo ishte kthyer nga Britania e Madhe, ku që ngarkuar me detyrën e Ambasadorit tonë, po njëlloj si dhe Mevlani në Suedi e Zefi në Vatikan.. Me një tufë librash të shkruara atje si dhe unë me ca të tilla, të shkruara nëpër rrugët e Greqisë, pas “fërtunave“të së djeshmes…Më uli në një kafene lluksoze, nga më të rejat që kishte kryeqyteti ynë dhe, midis 7 librave e përkthimeve të tij më pëlqyen të zgjidhja dy syresh që flisnin për dy amerikanët e hershëm: Erickonin e Bernsteinin, që me të vërtetë e donin Shqipërinë, që në kërcyell të shekullit të kaluar, me shpirt e që mbetën këtu, më shqiptarë se vetë shqiptarët! Do të mbetesha edhe unë brenda këtyre librave, ku “fshiheshin” dy jetë të jashtëzakonshme njerëzish që errdhën e mbetën këtu nga kontinenti i largët , tok me dashurinë e tyre sublime: Charles Telford Erickson (1867-1966) që jetoi e shërbeu 30 vite në Shqipëri dhe Herman Bernstein (1867-1935) që shërbeu në vëndin tënë gjatë kohës së Mbretërisë së Zogut, nga vitit 1930 – 1933.
Qysh kur erdhi në Korçë, më 8 shtator 1908, nga ana e Manastirit, ai kishte thirruar: “Tu ngjatë jeta Shqipëri!”, pasi kishte udhëtuar me det, me tokë, me makina të tipit të vjetër, me karroca me kuaj dhe do të mbetej këtu 32 vjet me rradhë, i dashuruar me këtë vënd, me popullin e saj, me privacionet e luftërat, me gjithçka që ishte shqiptare, duke lënë këtu edhe shpirtin e vet. Bëmat e tij janë të jashtëzakonshme, sikundër edhe vuajtjet, bashkë me familjen, në çdo cep të Shqipërisë ku u shkeli këmba.. Për të shpërndarë dritë, arsim e “fanarët” e lirisë. E do të mbetej një vepër kryesisht e tiij: Shkolla Bujqësore e Kavajës (për djem e vajza),e themeluar në vitin 1925,si një nga monumentet e para të arsimit profesional tonin, në nxjerrjen e bujqësisë nga prapambeja e trashëguar. “Këtu,-i shkruante ai një miku të tij në Amerikë,-ka një egërsi e një liri që na rrethon, e cila e bën këtë vënd të ndryshëm nga krejt bota, e veçanërish nga jeta konvecionale në atdheun tonë”.
Rrallë mund të ketë ndodhur që udhëtarë të huaj, turistë, njerëz gjithfarësh të të gjitha sferave, të jenë shprehur në trajta superlative për vëndin tonë të rraskapitur nga luftërat e pandërprera, në krahasim me atdhen e tyre. Dhe që më pastaj, t’a ndanin jetën e tyre, kafshatën e bukës, vuajtjen, ëndrrat dha vdekjet, me popullin tënë e të “bëheshin shqiptarë”, deri në palcën e trupit. Se Ericksoni ngjan me një personazh tragjik, pasi i pranoi të njëjtat rrethana dramatike, të njësuara me ne. Përballë lakmive turke, serbe, malazeze, italiane e greke, duke e pranuar urinë e tmerrshme, torturën, burgimin, sëmundjen, vdekjen e të birit e arratisjen në male, si edhe marrosjen e së shoqes nga kushtet e vështira të jetesës. Një subjekt dramatik libri real, brënda kolizioneve të tragjedisë së një kombi, të një individi të huaj që vetsakrifikohet familjarisht! Dhe, kur diplomatët e vëndit të tij kërkonin mbrojtjen e personalitetit të tij si qytetar amerikan, do të merrnin këtë përgjigje nga autoritetet turke: “Ai është shqiptar, flet e vuan si shqiptar!”E do të jetë deri në fund të jetës së tij si i tillë, një amerikano-shqiptarë, që hyjnizon shpirtin, virtytet, krenarinë e sakrificat e shenjtëruara të shqiptarëve si komb i lirë dhe krenarë me miqtë e vërtetë!.
Qysh në vitin 1911, Ericksoni, si e mësoi gjuhën shqipe, kërkonte që të vendosej ajo si gjuhë zyrtare në vilajetet e Shkodrës, Korçës, Manastirit e Janinës, “të cilat,-nënvizonte ai, përbëheshin në shumicën absolute nga shqiptarë…”. Të njëjtat ideale do të vazhdonte të forconte 20 e ca vite më mbrapa në Shqipëri Bernsteini, duke vendosur po në të njëjtin rrafsh Amerikën, Izraelin dhe Shqipërinë, shpirtërisht e politikisht,- gjë për të cilën do ta anatemonin ashpër qarqet e huaja fashiste se “po i tejkalonte kufijtë e punës së një ambasadori!…”.
Ky amerikan, Ericksoni,nëpërmjet hulumtimeve të diplomatit tonë Mal Berisha, do të sjellë përpara opinionit publik shqiptar e atij botëror edhe qëndrimin e Mbretit Zog ndaj kësaj çështjeje të përjetshme, me intonacione teatrale absurde se, që më 17 korrik të vitit 1930, ai do të deklarohej “për një bashkim shteti europian, (që) vështirë se mund ta merrnin si çështje serioze…(dhe që) për një kohë të gjatë do të mbetet veçse një ëndërr, një ideal i largët!”
Ky burr stoik si qëmoti, i paepur si karakter, është dekoruar në vitin 1931 me “Urdhrin e Skënderbeut” dhe qe mik nderi i Mbretit ZOG, qe delegati zyrtar i “Vatrës” në Amerikë, në Konferencën e San Françiskos në vitin 1945, shkroi 5 vepra për Shqipërinë me titull “Shqipëria, ENIGMA E BALLKANIT” dhe, kur do të largohej për në “botën e përtejme”, patrioti shqiptaro-amerikan Qerim Panariti, do të shkruante:”Erickoni ishte një burrë gjenial, i shumanshëm, predikues, misionar, diplomat, edukator dhe poet, i cili i’a kushtoi jetën Shqipërisë dhe popullit të saj…
Ky ishte personaliteti tjetër i shquar Amerikan në ditë të vështira për Shqipërinë, kur gjitonët e fuqi të tjera më të mëdha ‘’donin ta shqyenin e coptonin” nga faqja e dheut e do të mbetet ambasadori më i shquar i SHBA në vëndin tonë. Hebre nga origjina, i lindur në Lituani dhe i natyralizuar si shtetas amerikan, ai zotëronte 7 gjuhë të huaja, ishte shkrimtar, poet e kritik letrar, autor i 14 veprave origjinale dhe i shumë studimeve për Leon Tolstoin, Çehovin, Andrejevin, Bernard Shoun dhe, mbi gjithë të tjerat,- mik i afërt i tre personaliteteve, presidentëve të Amerikës dhe i shkenctarit më të shquar të botës, Albert Ajnshtajn. Ai përktheu nga Gjermanishtja në anglisht dramën e Alaksandër Moisiut “I burgosuri”, kushtuar Napoleon Bonopartit. Ai vërtetë ndënji në truallin shqiptar vetëm tre vite, po ato mbëten në kujtesë sa për tre shekuj të tërë!
Bernsteini, që ishte edhe shkrimtar, sodiste me kërshëri rrugicat e Tiranës, endej nëpër pazarin e vjetër e vajti me këmbë deri në Shijon, nga rruga e Qafë Krrabës, për të dëgjuar një meshë në kishën e Shën Gjon Vladimirit. “Kam patur kënaqësinë,- shkruante ai,- të udhëtoj shumë në vëndin tuaj të bukur dhe kam parë me sytë e mi edhe gëzimin, edhe keqardhjen. Kam parë njerëz të padjallëzuar, të thjeshtë, shumë punëtorë, paqësorë, dashamirës dhe të këndshëm, të pajisur me tipare dhe karaktere fisnike…”.Ai do të ndjejë edhe fisnikërinë shqiptare në mbrojtje të njerëzve të besimit të vet, të atyre hebrenjve që po persekutoheshin barbarisht nëpër Evropë, por që gjetën strehë e mbrojtje në vëndin tonë…Prania e këtij diplomati amerikanë me prejardhje hebraike është akoma një dëshmi e bujarisë shqiptare, kur Prof. Scarlet Epstein, edhe ajo hebreje, shkruante se “Unë jam gjallë në sajë të bujarisë shqiptare!”
Kur Ericksoni do të themelonte Shkollën Bujqësore të Kavajës, ishte pikërisht Bernstein ai që do të përshëndeste këtë ngjarje të madhe për arsimin tonë. Ai do të bëhej mik i afërt i Mbretit Zog e do të jetonte, punonte e do të shkruante për të studimin më adekuat, do të lidhej menjëhrë me personalitete të tjera të Shqipërisë, si me At Gjergj Fishtën, Nolin, Konicën, Lef Nosin e do të kishte korrespondencë të vazhdueshme me Aleksandër Moisiun. Do të gëzonte edhe ai prej Mbretit Zog “Urdhrin e Skëndërbeut”. Kemi prej tij një studim të thelluar për Skënderbeun, një dramë origjinale të përkthyer të Moisiut dhe bëhet avokat i madh i popullit tonë në shumë forume ndërkombëtare. Autori shkruan se Bernstein “ishte njeri universal…dhe se emri i tij u fsheh për 46 vjet të sundimit të egër komunist në Shqipëri, por ai përfaqësoi këtu popullim amerikan e personalisht miqësinë e pakursyer të tre presidentëve të shquar amerikanë: Rosvelt, Wilson e Hoover, të cilët ishin miqtë e tij personal.
NËPËR DYERT E MIQËVE E TË KANCELERIVE TË LARTA…
Që të dy këta emisarë të lirisë, kishin të njëjtin ideal, në kohë krejt të ndryshme: se shqiptarizma mund të fuqizohej, brënda e jashtë këtij trualli, përmes përhapjes së dijes dhe shkollës shqipe, kundër errësirës, prapambetjes feudale e përçarjeve të huaja, duke sensibilizuar kudo forcat progresive në Shqipëri e kudo në botë.. Ericksoni njihet e forcon miqësinë me Lef Nosin e Gjon Koliakën në Elbasan e Kavajë, me motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi në Korçë, me Kristo Dakon në Durrës dhe me Luigj Gurakuqin e Sotir Pecin e sapo kthyer nga jashtë. Si misionarë të mrekullueshm bënë rrugë të pafundme nëpër Shqipëri, udhë e pa udhë, në mot të keq të natyrës, ditën dhe natën, si dy martirë që nuk i trëmbi as vdekja, ngado që të vinte ajo. Ericksoni njohu edhe “udhën universale të zëmrave të shqiptarëve”, po edhe vuajtjet e kolerës. I ndodhte që “ta merrte udhën” edhe i vetëm, me këmbë, kur papritur shqiptari i ofronte edhe kalin e vetëm që të udhëtonte i qetë, rrugëve me gropa… E, kur do t’i vdiste fëmija nga e njëjta sëmundje e mallkuar, do t’i vinte për ta ngushëlluar i gjithë qyteti i Elbasanit, për t’i lehtësuar dhimbjen…
Dhe kështu, që të dy këta amerikanë, do të ndesheshin edhe me çështjen më paradoksale të të gjitha kohrave, se vëndi më i lashtë i Europës, do të qëndronte artificialisht jasht saj! Një absurditet, që do t’ia kalonte çdo hamëndjeje e që do të vazhdonte realisht deri në ditët e sotme…Ishte ky Erickson, që në vitin 1913, në një gazetë Londineze, do të shkruante se si “ një popull superior, ishte paraqitur mbapsht, në mënyrën më të qëllimshme dhe të padrejtë, në pjesën tjetër të Evropës…”, duke u shprehur më tej kundër “Traktatit të fshehtë të Londrës”, së toku edhe me Zonjën Edith Durham, do t’i përkushtoheshin çështjes shqiptare kundër pretendimeve territoriale të serbëve, bullgarëve, malazezëve, grekëve, italianëve etj., dhe të propogandës së tyre shoviniste të asaj kohe, se “shqiptarët janë gjysmë të egër!”
Dhe historia zhgënjyese me Evropën do të zgjaste më shumë se një shekull, si një ëndërr e mirë dhe e keqe bashkë. Mandej kishte edhe një sharje për të, me fjalë që“si ngrë kandari”!Prandaj, edhe vet populli do t’ia merrte këngës me krenari:”Mbahu nënë, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”!
Ndajë edhe Amerikani Erickson, që e nuhati dredhinë që në vitin 1908 “jepte e merrte me Amerikën, jo vetëm me bijtë e Shqipërisë atje, po edhe me qeveritarët e atjeshm, deri tek presidentët saj. Po kështu bëri edhe amerikani tjetër Berbstein që “s’la gur pa lëvizur, që Shqipëria të mos kolonizohej, përkundër idesë se “shqiptarët janë dele pa çoban!” dhe rrezikut të coptimit të mëtejshëm, me një shtet të pavarur, ata këmbëngulnin e kërkonin pranë kancelarisë së vëndit të tyre të madh për ta shpëtuar Shqipërinë e vogël, nga kaosi, para e pas luftërave ballkanike dhe botërore. Nëpër faqet e këtyre librave do të gjënden episode rrëqethëse, kur fati i vëndit tonë do të “varej në fije të perit”, por që do të shfaqej në horizont një President Amerikan, si Willson, cili më 1919,-n, do të thoshte në Konferencën e Paqes në Paris:”Të bëjmë një luftë për t’i dhënë fund luftës!” Dhe , kur Ai do të mësonte prej mikut e të dërguarit të tij në Shqipëri se çfarë po ndodhte aty, për ta”shqyer si qentë”atë, do të thoshte botërisht: “As unë, as populli amerikan, kurrë nuk do të pranojmë që populli shqiptar, i cili ka luftuar dy mijë vjet për lirinë e tij, të sakrifikohet për hir të ambicieve politike të fqinjëve të vet”. Edhe diplomati tjetër, Bernstein, edhe pse nuk qëndroi më tepër se tre vite në Shqipëri, intensiteti i veprimtarive të tij jashtë saj, vazhdoi ngado e kudo ku i shkonte fjala, deri sa dha frymën e fundit. Një gazetar i asaj periudhe shkruante se “prapa emrit të Bernsteinit fshihej e gjithë Amerika”. Njëherësh, si shprehet edhe autori i këtyre librave:”Një avokat i madh i vëndit tonë të vogë!”…“Shqipëra,-shkruante që në atë kohë Herman Bernstein,-kjo tokë e panjohur evropiane,..cep i fundit i pazbuluar i Evropës Juglindore…i banuar prej një race të lashtë e të guximshme…me toleranca fetare…,një popull tragjik, por një racë heroike…tokë e harruar e Europës!”
MIDIS LETËRSISË E PUBLIÇISTIKËS
Në libra të tillë, që qëndrojnë fort bukur midis letërsisë dhe publiçistikës,si politika bashkëkohore, ashtu edhe diplomacia, thuajse “burojnë” pastër. Bindshëm, në trajtat më tërheqëse dhe me kompetencën që ka vlera e diplomacisë dhe ajo e politikës. Ndofta është hulumtimi i thelluar e i shumëanshëm i dokumentacioneve arkivore, ndofta vërtetësia e forca bindëse e figurave që përshkruan në korelacion me kohën, vetë jeta e njerëzve të këtyre “sferave” krejt të veçanta, por edhe stili i të shprehurit gjuhësor, largë frazeologjisë stereotipe.
Ato janë edhe libra krejt të ndryshëm: Ai për Ericksonin i ngjan më tepër një romani, ku figura kryesore ka pamjen e një heroi origjinal që niset për të vuajtur, midis një populli, sa të varfër, aq edhe luftarak, duke u shndërruar vetiu në një personazh tragjik, bile në një hero të dimensioneve të mëdha humane, me shpirt të madh e stoik, që del nga vetja e u përket të gjithëve.
Ndersa libri për Berstenin është i ndarë në dy pjesë dhe ku fryma letrare, do t’ia lerë vëndin analizave të diplomacisë e të politikës, brënda e jashtë…
Autori Mal Berisha, është këtu brënda fushës së tij të diplomacisë, por është edhe brënda vetes, si njeri, po edhe si krijues (që u tejshkon pozicioneve zyrtare dhe “kornizave” të politikës e të diplomacisë!), duke shprehur kështu harmoninë e këtyre njerëzve që dalin edhe jashtë kohës së tyre, për vlerat gjeniale, të të dy popujve miq, të Amerikës e Shqipërisë, duke rezonuar njësoj…Si ta themi më mirë, në ngritjen e “urave të shpirtit” midis dy popujve…
Miho Gjini
Athinë, qeshor 2023