Më datën 27 qershor 2013, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të Letrave Kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut, Sh.T. Z. Mal Berisha, Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II.
Ambasadori Mal Berisha u prit ngrohtë dhe në mënyrë mjaft miqësore nga Mbretëresha Elizabeth II, në selinë e saj mbretërore, Buckingham Palace. Ambasadori u shoqërua për në takim nga Z. Charles Gray, Marshall i Trupit Diplomatik, të akredituar në Londër, përfaqësues i Mbretëreshës Elizabeth II. Ambasadori dhe stafi i ambasadës u morën nga selia e Ambasadës Shqiptare në një tur me karrocat mbretërore sipas ritualit të Mbretërisë dhe u përcollën nga Pallati Mbretëror tek ndërtesa ku u organizua edhe pritja për nder të kësaj ngjarjeje. I pranishëm në takimin me Mbretëreshën ishte Sir Simon Fraiser, Zv. Ministër dhe Kreu i Shërbimit Diplomatik në Foreign Office.
Në takim u bisedua mbi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona, bashkëpunimin e ngushtë në nivel dypalësh si dhe në aleanca të ngushta në nivel ndërkombëtar.
Ambasadori i Shqipërisë, Z. Mal Berisha i përcolli Madhërisë e Saj përshëndetjet më të ngrohta të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T Z. Bujar Nishani dhe e falenderoi për ndihmën që qeveria e Saj i ka dhënë Shqipërisë, për ndihmën e dhënë shqiptarëve në Ballkan dhe veçanërisht për ndihmën e dhënë për çlirimin e Kosovës si dhe emigrantëve shqiptarë në vendin e Saj të cilët janë pritur me aq bujari. Biseda u përqëndrua veçanërisht rreth marrëdhënieve shumëdimensionale historike, kulturore dhe ekonomike. Më pas u bisedua për zhvillimet demokratike dhe integrimin europian të Shqipërisë. Z. Berisha u shpreh se shtypi britanik ka qenë shumë pozitiv kur e ka vlerësuar Shqipërinë si vendi i fundit i pazbuluar në Europë.
Ambasadori Mal Berisha shoqërohej në këtë ceremoni nga stafi diplomatik i Ambasadës, për të cilin ishte rezervuar gjithashtu një takim i shkurtër kortezie me Mbretëreshën Elisabeth II.
Pas takimit me Mbretëreshën Elisabeth II, sipas traditës së Trupit Diplomatik në Londër, Ambasadori Mal Berisha dha një pritje vin d’honneur. Në pritje merrnin pjesë përfaqësues nga Protokolli i Mbretëreshës, Protokolli i Foreign Office, Drejtori për Zgjerimin e BE-së dhe Ballkanin perëndimor, Z. Owen Jenkins dhe diplomatë të tjerë ngaForeign Office që mbulojnë çështjet e integrimit në BE dhe çështjet e Ballkanit, ambasadorë të shumë vendeve mike, përfaqësues të trupit diplomatik në Londër, lordë dhe deputetë të Parlamentit Britanik, përfaqësues të pushtetit lokal në Londër, Presidenti dhe Kryetari i Shoqatës Anglo-Shqiptare, Z. Noel Malcolm dhe Z. Stephen Nash, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër si dhe miq e dashamirës të Shqipërisë.
Dy të përditshmet britanike The Times dhe Daily Telegraph e kane pasqyruar këtë ngjarje në faqet e tyre rreth veprimtarisë së Pallatit Mbretëror.
Me datë 10 tetor 2013, Ambasadori i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë, jorezident, i Republikës së Shqipërisë në Irlandë, z. Mal Berisha paraqiti letrat kredenciale tek Presidenti i Irlandës, Sh.T. i. Michael D. Higgins. Ceremonia u zhvillua në Dublin, në Pallatin e Presidencës Áras an Uachtárain, në praninë e Ministrit Alex White, me përfaqësues të qeverisë irlandeze dhe zyrtarëve të lartë të Presidencës e Ministrisë së Punëve Jashtme.
Paraqitja e kredencialeve u shoqërua nga një ceremonial i plotë shtetëror protokollar, me ekzekutimin e himnit kombëtar shqipëtar nga Banda Ushtarake, me paradë ushtarake dhe parakalim truproje nderi si dhe me një audiencë të veçantë private që Presidenti i dha Ambasadorit.
Ambasadori Berisha i shprehu Presidentit irlandez ndjenjat e forta të miqësisë që i karakterizon të dy popujt si dhe e falenderoi për ndihmën që qeveria dhe populli irlandez i kanë ofruar popullit shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Në fjalën e tij Presidenti nënvizoi faktin se ne jemi dy popuj të lashtë, që përmendemi në skriptet e lashta. Ai pastaj u ndal tek roli i Presidencës së kaluar irlandeze të Bashkimit Europian si dhe qëndrimet pozitive të Irlandës ndaj proçesit të integrimit të Shqipërisë drejt Europës. Si një mik i shqiptarëve, theksoi ai, kam qenë pranë tyre në qytetin Galway dhe kam ndihmuar në mbarëvajtjen e shoqatës Irish Friends of Albania, duke nënvizuar punën e mrekullueshme të bërë nga kjo shoqatë në Shqipëri dhe në Kosovë për tu shërbyer njerëzve në nevojë të thellë.
Ambasadori Berisha e falenderoi Presidentin për qëndrimet e tij dhe të qeverisë së tij dhe i përcolli po ashtu urimet më të mira të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani për mbarëvajtjen dhe mirëqënien e tij personale dhe të Irlandës. Po ashtu ai theksoi dëshirën për të shkëmbyer vizita zyrtare midis dy presidentëve. Presidenti Higgins premtoi se do ta konsideronte seriozisht një vizitë zyrtare në Tiranë, në rastin më të parë të mundshëm.
Ambasadori Berisha i dhuroi Presidentit një libërth poezishë, të përgatitura enkas për këtë rast, të shkruara prej vetë Presidentit Higgins dhe të përkthyera në gjuhën shqipe nga poeti shqiptaro-irlandez me banim në qytetin Galway, i. Ndrek Gjini. Vjershat ishin botuar më parë në shtypin shqiptar. Presidenti e mirëpriti këtë dhuratë duke e konsideruar një vlerë të çmuar që i shtohet përkthimeve të veprave të tij në gjuhë të ndryshme të botës.
Me 26 prill 2013, diplomatët e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë morën pjesë në një meshë të veçantë ceremoniale në Kishën italiane të Shën Pietrit në Londër të cilën e mbajti Eminenca e Tij, Kardinal Renato Raffaele Martino, Priori i Madh i Urdhrit të Shenjtë Konstantinian të Shën Gjergjit, Presidenti Emeritus i Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe Paqes dhe Këshillit Papnor për Migrantët, një nga figurat më të shquara të Vatikanit. Kjo meshë organizohej nga Delegacioni i Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës i Urdhrit Kostantinian të Shën Gjergjit, i kryesuar nga z. Anthony Bailey OBE, me rastin e ditës së Saint George, shenjtorit protektor të Anglisë.
Gjatë kësaj ceremonie u dekoruan me tituj nderi disa figura të shquara që kanë kontribute e merita të veçanta në jetën civile ose fetare të Anglisë. Ambasadorit të Shqipërisë z. Mal Berisha iu dorëzua nga Kardinal Martino titulli “Commendatore” i Urdhrit Mbretëror të Franceskut I dhe dekorata kalorsiake përkatëse. Ky titull, i dyti në hierarkinë e Urdhrit të themeluar në 1829 nga Mbreti i Dy Sicilive Francesku I, nderon individë me merita në jetën publike, shkencore, artistike, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare dhe kombëtare.
Në Britaninë e Madhe janë dekoruar në të kaluarën nga Urdhri Mbretëror Francesku I figura si Baronesha Thatcher, Sir Gavin Arthur, ish-Lord Mayor i City of London, ish-Arqipeshkvi i Canterbury-it Dr Rowan Williams, Duka i Westminsterit, etj.
Ky dekorim vjen pas shumë veprimtarishë të spikatura që Ambasada Shqiptare në Londër ka organizuar duke e bërë të njohur Shqipërinë në këtë vend si dhe duke shtuar një interes më të gjërë rreth vendit tonë.
Ajo përbën gjithashtu një vlerësim për vetë diplomatët dhe punën e Ambasadës aq sa edhe për progresin që Shqipëria ka bërë në të gjitha fushat, e veçanërisht për historinë e saj unike të tolerencës fetare midis qytetarëve të saj me besime të ndryshme.