“MOJ FUSHA E KORABIT” – Liri Rasha:
“KY VEND DO TË SHPËTOJË”- Aurela Gaçe:
Mal Berisha
Ka këngë që, kur i dëgjon, të kthejnë te kujtimet e bukura, por ka edhe këngë që të prekin bash aty ku i dhimb kombit.
Kur dëgjoj këngët “Moj fusha e Korabit”, kënduar nga Liri Rasha, dhe “Ky vend do të shpëtojë”, kënduar nga Aurela Gaçe, më duket sikur dëgjoj zërin e të njëjtës nënë shqiptare që vajton në dy kohë të largëta, por krejt të ngjashme.
E para në kohën e osmanëve, ndërsa e dyta në ditët e sotme.
Edhe tema është e njëjtë: Plaga e Kurbetit.
Kanë ndryshuar vetëm armiqtë: Njëri është i Huaj ndërsa tjetri Vendas, por të dy bëjnë të njëjtën punë të keqe: Shpopullojnë Shqipërinë.
Kanë ndryshuar rrugët e mërgimit, por zëri i nënave shqiptare ka mbetur i njëjtë. Njëra vajton për djalin në kurbet, të detyruar nga pushtuesi të largohet nga atdheu, dhe pret përgjigjen e tij, ndërsa tjetra vajton e mbetur “me duar në gji” prej atij që vetë e ka zgjedhur.
“Shkove, u harrove”,
Një letër s’ma çove.”
Vajton nëna në këngën e Liri Rashës.
Në këto pak fjalë shprehet një jetë e tërë pritjeje. Nëna nuk di ku është djali, nëse është shëndoshë, nëse ka bukë, nëse e kujton shtëpinë. Një letër do t’ia lehtësonte shpirtin dhe do t’i tregonte se largësia ende nuk ia kishte marrë të birin përgjithmonë.
Ndërsa kënga e Aurela Gaçes sjell një tjetër vajtim të ditës së sotme:
“Pse rënkon e pse vajton?
Pse loton e më s’pushon?
Ikën djemtë e vajzat ikën,
Ikën e nuk vijnë dot, eee!
Ikën se nuk rrojnë të lirë,
Ikin se nuk kanë ku rrinë.
Janë të huaj në atdhe…”
Tashmë shtëpia zbrazet nga të gjithë. Nëna mbetet në ballkon, me sytë nga rruga ku përcolli fëmijët. Sot mund t’ua dëgjojë zërin në telefon, mund t’ua shohë fytyrën në ekran, por nuk mund t’i përqafojë. Asnjë ekran nuk e mbush vendin bosh në sofrën e saj.
Në kujtesën që na sjell kënga e vjetër, “Fusha e Korabit” mbetet vendi i ndarjes, prej nga niseshin ata që merrnin udhën drejt Turqisë. Pas tyre mbeteshin shtëpitë, gurrat, nënat. Përpara hapej një botë e panjohur dhe një largësi që mund të zgjaste sa vetë jeta.
“Prapë na çeli Grama,
Te gurra t’pret nana.”
Sa e thjeshtë kjo thirrje dhe sa e rëndë! Nëna e vendos pritjen pranë gurrës, aty ku djali e njeh çdo gur, çdo shteg, çdo kujtim të fëmijërisë. Ajo ia ruan vendin në shtëpi dhe në jetën e saj. Beson se një ditë do ta shohë përsëri tek afrohet.
Në këngën e sotme, kjo pritje merr një dhimbje tjetër:
“Me trup andej, me zemrën këtu.”
Fëmijët emigrojnë larg. Të paktë janë ata që mbeten në shtëpinë prindërore, por edhe ata kthehen, si ata që ikin kthehen në skllevër.
“Pse rënkon, o shpirt, o xhan?
Ç’të kanë bërë, mos të kanë vrarë?
Andej skllav e këndej skllav…”
Me çdo largim, prindërit rëndohen nga mosha dhe presin me frikën se mos nuk do të ketë më një përqafim tjetër…si ai i ndarjes!?
“Merr pare me fajde!
“Mos harro e hajde!”
Ajo e di se kthimi kushton. E di se varfëria mund ta mbajë të birin peng matanë maleve e deteve. Megjithatë, i kërkon të marrë borxh, vetëm të vijë, të vijë…!! Në atë lutje kuptohet sa pak vlerë kanë paratë përballë nevojës për ta parë fëmijën në derë.
Sot, kjo lutje dëgjohet në një Shqipëri që duhej t’u jepte të rinjve mundësinë për të jetuar e punuar në vendin e tyre. Por kënga e Aurela Gaçes na vë përballë një vargu që dhemb:
“Janë të huaj në atdhe.”
Të ndihesh i huaj aty ku ke lindur është një plagë që dhemb foort! Të kesh gjuhën, familjen, kujtimet dhe varret e të parëve në atë tokë, por të mos gjesh aty mundësinë për një jetë me dinjitet!?
Të mësosh, të punosh e të përpiqesh dhe përsëri ta shohësh ikjen si të vetmen rrugë mbijetese!? Sot nuk nisesh nga Fusha e Korabit drejt Turqisë, por nga fusha e Aeroplanëve “Nënë Tereza” në Rinas!
“Me avion tutje do t’humb!”
Dhe kënga vazhdon:
“Si duron e si nuk plas…
Kokën ulur pse ma mban…
Pse vajton, i ziu vatan?”
Dhe këtë nuk ta bën armiku i jashtëm, tradicional e historik, që lufton kombin shqiptar.
Këtë e thotë me dhimbje e zemërim Aurela Gaçe:
“Tani, mbase s’ka më pushtues,
Se ata nga jashtë më nuk vijnë,
Se ju kemi ju këtu,
MË BARBARË SE VETË ARMIQTË.”
Këtu vajtimi bëhet akuzë ndaj politikës së sotme shqiptare. Është qeveria që duhet të japë llogari kur të rinjtë humbin besimin se mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në atdhe. Duhet të japë llogari për padrejtësinë, për korrupsionin, për papunësinë, për gjendjen e arsimit dhe të shëndetësisë, për shkeljen flagrante të Kushtetutës dhe të ligjeve, për krimin që ka zënë çdo hallkë të shtetit dhe i detyron ata të emigrojnë!
Shqiptarët kanë përjetuar pushtime, luftëra dhe diktaturë. Kanë njohur edhe më parë shpërngulje e ndarje të dhimbshme. Kur dëgjoj këto dy këngë, më dhemb shpirti që nëna shqiptare vazhdon t’i lutet fëmijës të kthehet, ndërsa ata që qeverisin vazhdojnë ta shtyjnë të largohet me gjithçka që kanë në dorë!
Liri Rasha na përcjell lutjen e nënës.
Aurela Gaçe i shton asaj edhe zemërimin e grumbulluar ndaj atyre që mbajnë përgjegjësi.
Por kënga e Aurelës, edhe pse mbështetet në motivet e vajtueseve labe, nuk mbyllet pa shpresë. Shpëtimin e sheh tek ajo pikë gjaku që do të bëhet lumë e do të marrë përpara shkaktarët e kësaj fatkeqësie kombëtare:
“Por një pikë gjaku paska ngelur,
Ja këtu, akoma në deje.
Bëhet lumë e ju merr me vete.
Po, po, bëhet lumë e ju merr me vete!”
Përballë kësaj tragjedie kombëtare, të shkaktuar nga armiku që ka gjakun tonë, në fund të këngës ngrihet një shpresë që dua ta besoj edhe unë:
“KY VEND DO TË SHPËTOJË!”
Që kjo të ndodhë, duhet të ngrihemi të gjithë për ta shpëtuar!
Që kthimi të bëhet një zgjedhje e mundshme!
Që nëna ta presë fëmijën për drekë dhe ta dijë se në mbrëmje ai do të jetë përsëri aty!
Deri atëherë, nga kënga e vjetër vazhdon të na vijë thirrja e Liri Rashës:
“Merr rrugën e hajde, oh e mjera uno…!”
Ndërsa kënga e Aurela Gaçes përcjell një ton optimist:
“KY VEND DO TË SHPËTOJË!”
Në atë thirrje dëgjoj vetë Shqipërinë.
Aurela Gace Youtube:
KY VEND DO TË SHPËTOJË
https://www.youtube.com/watch?v=C5rS1JRiCGU&list=RDC5rS1JRiCGU&start_radio=1
Liri Rasha Youtube
Fusha e Korabit
https://www.youtube.com/watch?v=eyY51jdyaQA&list=RDeyY51jdyaQA&start_radio=1


