Prishtinë, 7 dhjetor 2016 – Në organizim të Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, një bisedë rreth pushtetit të butë si instrument i diplomacisë publike u zhvillua sot në Prishtinë, marrë shkak nga promovimi i një publikimi të autorit Mal Berisha.
Koncept i krijuar nga profesori i Harvardit Joseph Naye, pushteti i butë shihet si aftësia për të tërhequr e bindur me qëllim ndryshimin e percepsioneve, për dallim nga pushteti i fortë që bashkëlidhet me përdorimin e masave shtrënguese. I rëndësishëm për të gjitha vendet – të vogla e të mëdha, të forta e të dobëta – vecanërisht pushteti i butë është shpeshherë qasja e vetme që vendet e vogla kanë për të realizuar agjendat e politikës së jashtme.
Audienca përbëhej nga ambasadorë të misioneve diplomatike në Kosovë e diplomatë karriere në MPJ-në e Kosovës, studentë të shkencave politike e marrëdhënieve ndërkombëtare, përfaqësues të shoqërisë civile, sektorit të biznesit dhe njerëz të medias – një prani e fortë individësh me lidhje me Britaninë e Madhe.
Libri ëshë frut i një pune kërkimore që evidenton britanikët që kanë dhënë kontribut për cështjen shqiptare si dhe shqiptarëve të cilët kanë dhënë kontribut në Britaninë e Madhe. “Realitete shqiptaro-britanike: shënimet e një diplomati”, është i shtati në serinë e një numri botimesh nga Mal Berisha. Me karakter historik, kulturor e letrar, libri evidenton njëherësh aktivitetet e natyrës kulturore dhe diplomatike të zhvilluara nga Ambasada e Shqipërisë gjatë 1358 ditëve të mandatit të ambasadorit Berisha.
Ish ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 2012-2015, z.Berisha ka shërbyer po ashtu si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll në vitet 1993-1997, e po ashtu edhe si drejtor i Departamentit për Cështje dhe Nisma Rajonale në MPJ-në e Shqipërisë përpara emërimit në Londër.
Ngjarja u moderua nga Ulpiana Lama, drejtoreshë e Departamentit për Organizata Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Marrë nga Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës (MPJ e Republikës së Kosovës)