1804 – WILLIAM MARTIN LEAKE Një dashamirës i pashoq i popullit shqiptar

1804 – WILLIAM MARTIN LEAKE

Një dashamirës i pashoq i popullit shqiptar


NGA MAL BERISHA


“Nuk është aq e lehtë të shpjegosh se përse shtetet nganjëherë veprojnë bazuar thjesht në interesat e veta, edhe pse ballafaqohemi me luftëra mizore, edhe pse politika jonë e tashme është e tillë që të mbështesë perandorinë turke”.

Një ndër udhëtarët më të famshëm britanikë dhe ndoshta edhe nga më dashamirësit ndaj shqiptarëve është William Martin – Leake.

Ai ka qenë një topograf dhe diplomat (1777-1860). Vepra e tij në katër vëllime “Udhëtime në Greqinë Veriore[1] botuar në Londër në vitin 1835 tregon për udhëtimet e tij në Jug të Shqipërisë. Udhëtimi i tij i parë në Shqipëri na shpie në vitin 1804 kur ai vizitoi Vlorën, Kaninën, Sarandën, Delvinën, Gjirokastrën, Tepelenën, Kardhiqin, Finiqin, Himarën dhe Ksamilin. Së dyti ai e vizitoi Shqipërinë në vitin 1805, duke kaluar që nga Devolli deri në Apoloni, pastaj Këlcyrë e Përmet. Në kapitujt I, II, VII dhe VIII ai merret intensivisht me Shqipërinë.

Është për t’u theksuar përshkrimi që iu bën zonave të bregdetit tonë jugor që nga Vlora, deri në Himarë e Butrint. Veçanërisht ndalet tek betejat midis Pompeut, i cili arriti aty nga Kandavia në një kohë kur mund të mbronte vetëm Durrahiumin.

Më pas vijon me betejën e tij me Cezarin sipas autorit romak Appian. Ai i përshkruan me hollësi rrugët që nga Vlora në Palasë, Himarë e deri përballë Korfuzit në gjendjen e atëhershme, duke shënuar se Himara i jepte edhe emrin vargmalit të Akrokerauneve. Më pas përshkruan Porto Palermon, ashtu siç e përshkruan Strabo, si një gji në mes të maleve Keraune. Mjaft interesante janë përshkrimet për Sarandën ose Forty Saints (dyzet shenjtët) siç e cilëson autori.

Në mes të Sarandës dhe Porto Palermos viziton edhe Nivicën, Lukovën dhe Piqerasin prej nga nisen anije të vogla nga gjiri i Onhezonit në jug të Palermos, të përshkruara edhe nga Ptolemeu dhe Strabo, por që nën penën e tij kanë ngjyrime po kaq interesante. Ai pohon, duke iu referuar Ciceronit, se ky vend kishte një farë rëndësie në atë kohë. Përshkrimet e Martin – Leake-ut janë aq të sakta dhe të detajuara sa vetëm një njeri tepër i vëmendshëm mund të regjistrojë çdo gjë sikundër ka bërë ai.

Ai ka përshkuar me detaje tërë udhëtimin e tij në toskërinë shqiptare. Trashëgimia e tij e shkruar jep një pasqyrë të një momenti të rëndësishëm historik të procesit të islamizimit, përpjekjeve për t’i rezistuar pushtimit turk bashkë me veçoritë e natyrës, shoqërisë dhe mjedisit shqiptar.


[1]Leake, William Martin, ( 1777-1860 ), Travels in Northern Greece Publikuar nga London, J. Rodwell.