BESNIK MUSTAFAJ: MES REALITETIT TË DHIMBSHËM DHE MAGJISË SË LETËRSISË
Ky autor është një prej shkrimtarëve më të mirënjohur bashkë-kohorë të “Maleve të Gjigantëve”
Besnik Mustafaj është një shkrimtar, diplomat dhe politikan shqiptar, i njohur për kontributin e tij të gjerë në letërsinë bashkëkohore shqipe. Më poshtë është lista e disa nga veprat e tij të botuara:
• “Motive të gëzuara” (1978) – Përmbledhje me poezi.
• “Pragu i verës” (1985) – Përmbledhje me tregime.
• “Fytyrë burri” (1987) – Përmbledhje me tregime.
• “Bregu i lumit të kthjellët” (1986) – Përmbledhje me tregime.
• “Vera pa kthim” (1989) – Roman.
• “Midis krimeve dhe mirazheve” – Ese.
• “Një sagë e vogël” – Roman.
• “Daullja prej letre” – Roman.
• “Ditari i një ambasadori në Paris” – Ditari.
• “Boshi” – Roman.
• “Autoportret me teleskop” – Roman.
• “Bishti i kometës” – Ese.
• “Ëndrra e doktorit” (2016) – Roman.
• “Fati i marrë” – Roman.
• “Porta e ngushtë e Purgatorit”
• “Libri i Bletës”,
NJË VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM
Besnik Mustafaj, një penë e rrallë në letërsinë shqiptare, iu ka ofruar lexuesve një pasuri të jashtëzakonshme përmes krijimtarisë së tij, ku arti letrar ndërthuret në mënyrë të natyrshme me përvojën diplomatike, veprimtarinë shoqërore-politike, aftësinë rrëfyese dhe analitike, si dhe me emrin e tij të njohur si një gazetar par excellence. Si një tregimtar mjeshtër, Mustafaj ka ndërtuar një urë të fuqishme midis të shkuarës dhe të tashmes, duke pasqyruar gjallërisht shpirtin shqiptar.
Proza e tij është e gjallë në lexim, e thellë në përmbajtje dhe shpesh vetë-analitike, duke i ofruar lexuesit një univers ku historia kombëtare dhe ajo personale ndërthuren në një simfoni ndjenjash. Romanet e tij, si ‘Daullja prej letre,’ dëshmojnë aftësinë e tij për të eksploruar psikologjinë njerëzore dhe realitetet sociale me një penë që kombinon dhembshurinë me ironinë. Përmes ngjarjeve dhe personazheve që krijon, Mustafaj e fton lexuesin të reflektojë mbi jetën, idealet dhe raportin e njeriut me vendinm jetën, shoqërinë dhe historinë.
Në krijimtarinë e tij, autori spikat jo vetëm për mjeshtërinë e tregimit, por edhe për përdorimin e një gjuhe të pasur dhe figurative, që rrjedh natyrshëm, duke krijuar një botë letrare të mbushur me imazhe dhe simbole. Fjalitë e Mustafajt janë si një melodi e përpunuar: herë të qetësojnë, herë të ngacmojnë, herë të ngrejnë peshë, por gjithmonë të ftojnë të meditosh.
Konteksti diplomatik i karrierës së tij shton një shtresë të veçantë reflektimi në veprat e tij, duke i dhënë një zë universalisht të veçantë shqiptar dhe një dimension të gjërë ndërkombëtar. Aftësia për të sjellë përvoja nga udhëtimet dhe detyrat diplomatike e bën veprën e Mustafajt një dialog të vazhdueshëm midis kulturave dhe ideologjive. Duke iu referuar Fletoreve Zyrtare, mund të shohim modelin e diplomatit që alternon dhe përdor aftësinë e tij të të shkruarit, elokuencën dhe argumentin e fuqishëm e të shprehurit, për t’u paraqitur në atë mënyrë që unë pëlqej ta quaj SOFT POWER.”
Gjithashtu, kontributi i tij si gazetar dhe publicist dëshmon një shpirt kritik që nuk i shmanget temave dhe çështjeve të vështira. Artikujt dhe esetë e tij pasqyrojnë një mendimtar të thellë, i cili nuk mjaftohet me sipërfaqen, por depërton në thellësitë e problemeve shoqërore dhe politike.
MIDIS KRIMEVE DHE MIRAZHEVE
Ko vepër e tij, është si një udhëtim i jashtëzakonshëm në labirinthin e shpirtit njerëzor dhe të ndërgjegjes shoqërore, ku Besnik Mustafaj ndërthur mjeshtërisht elementet e një rrëfimi dhe përvoje personale me ato të një spektri të gjerë historik dhe politik. Ky roman përfaqëson një nga gurët kilometrikë të krijimtarisë së tij, në një kohë kur ai ende nuk e kishte arritur famën e sotme.
Ajo është gjithashtu një dëshmi e përkushtimit të tij për të zbuluar të vërtetat më të thella të ekzistencës dhe natyrës njerëzore. Në këtë vepër, autori na zhyt në një botë të trazuar, ku krimet dhe mirazhet nuk përfaqësojnë thjesht dy pole të kundërta, por forca që ndërthuren dhe përplasen, duke krijuar një tension dramatik që e mban lexuesin të magjepsur deri në faqen e fundit. Personazhi kryesor është vetë autori, një intelektual i angazhuar politikisht, por njëkohësisht i zhytur në dilema morale dhe shpirtërore. Ai është njëkohësisht ‘aktor’ i veprës së tij, por edhe analist i saj. Ai na udhëheq në një rrugëtim reflektimi, duke na bërë të përpiqemi të dallojmë se ku ndërthuren kufijtë midis së mirës dhe së keqes, së vërtetës dhe iluzionit, të cilat në këtë vepër shpeshherë mjegullohen.
TEMATIKA DHE SIMBOLIKA
“Midis Krimeve dhe Mirazheve” i kushtohet një periudhe të vështirë të historisë shqiptare, ku realiteti politik dhe social ndërthuret me jetën e individit. Mustafaj trajton tema si tirania, korrupsioni dhe humbja e identitetit, duke e vendosur njeriun përballë sistemit të padrejtë komunist totalitar, me dëshirën, por edhe frikën për të ndryshuar. Ai stigmatizon sistemin totalitar në Shqipëri, i cili shtypte dhe deformonte jo vetëm të vërtetën, por edhe ëndrrat dhe shpresat e individit.
Mirazhet, si një metaforë e fuqishme, përfaqësojnë aspiratat e parealizuara dhe dëshirat që shpesh mbeten vetëm iluzione.
Në këtë ese, autori ngre pyetje thelbësore mbi përgjegjësinë personale në kontekstin e një shoqërie të mbërthyer nga krimi dhe abuzimi i pushtetit. Ai nuk e gjykon hapur njeriun, por e fton lexuesin të reflektojë mbi dilemat etike që përballojnë personazhet, duke i kthyer ato në pasqyra të shpirtit tonë kolektiv.
STILI LETRAR
Stili i Besnik Mustafajt në këtë vepër spikat për pasurinë e tij gjuhësore dhe fuqinë e përshkrimeve. Ai përdor një gjuhë të ngjeshur, të pasur me figura letrare dhe simbolizëm, që krijojnë një atmosferë intensive dhe shpesh të trishtë. Fjalitë e tij janë të matura dhe të menduara, duke u shndërruar herë pas here në një rrëfim poetik.
Rrëfimtari ynë ndërton një marrëdhënie intime me lexuesin, duke e tërhequr atë në labirinthet e ndërgjegjes së personazheve. Në fakt, dua të citoj një poezi të shkrimtarit tonë, atë që e ka titulluar:
Kohë dhimbjesh:
Motiv nga qyteti im i lindjes
Askund si këtu
njerëzit nuk më ngjallin dhimbje.
Janë ashtu siç i njoha në fëmijëri:
të veshur keq, të ushqyer keq,
dhe prapë përrallëtarë të shkëlqyer.
Oh, më klith shpirti pafuqishëm,
të paktën të ishin robër të përrallave të ndershme
të maleve të tyre, të mashtruara si vejusha.
Oh, më qan shpirti me dëshpërim,
mua, poetit që ata vetë e lindën të tillë.
A duhet të besoj se i ndryshkuri bronx i statujave
ka mundur t’ia varë, qoftë edhe njërit prej tyre,
ëndrrën e vjetër, ende ëndërr,
të lirisë.
10.1.1991
PERSONAZHET
Personazhet e Mustafajt nuk janë thjesht protagonistë të një historie; ata janë prototipa të shpirtit njerëzor, të ndërtuara me një ndërthurje psikologjike që i bën të paharrueshëm.
Në librin Midis Krimeve dhe Mirazheve, autori krijon figura që lëvizin midis dritës dhe hijes, duke mishëruar konfliktet dhe dilemat e një kohe të trazuar, që kaloi Shqipëria në fundin e vitit 1990 dhe në fillimin e dekadës së fundit të shekullit të 20-të. Lexuesi përfshihet emocionalisht, duke u identifikuar me betejat e brendshme të personazheve, por gjithashtu duke gjetur vetveten në atë mori ngjarjesh, personazhesh dhe veprimesh, të cilat ai vetë mund të mendojë se duhej apo nuk duhej t’i kishte ndërmarrë.
Midis Krimeve dhe Mirazheve’ është më shumë se një roman; është një pasqyrë e kohëve dhe një testament i fuqisë së letërsisë për të shprehur të vërtetën e brendshme të një kombi në një moment kapërcimi historik, sa dramatik, aq edhe të pasigurt. Mustafaj na kujton se, pavarësisht vështirësive dhe iluzioneve, njeriu mbetet një qenie që kërkon të vërtetën dhe lirinë.
Ky roman është një thesar i vërtetë i letërsisë shqipe bashkëkohore, një ese sa letrare aq edhe politike, që nuk mund të përjetohet plotësisht me një lexim të vetëm. Çdo rikthim tek kjo histori zbulon shtresa të reja kuptimi dhe të nxit të reflektosh mbi dilemat që na përkasin të gjithëve, si individë dhe si pjestarë të shoqërisë.
Rrëfimit të gjatë për kapërcyellin historik të popullit shqiptar nga diktatura e gjatë komuniste drejt demokracisë së re dhe të brishtë, në një terren të panjohur, por tërheqës në çdo faqe, i shtohet edhe një pjesë e historisë së popullit shqiptar gjatë shekullit të 20-të. Kjo shtesë e bën librin më kuptimplotë, për shkak të përqasjeve dhe krahasimeve mes epokave, që nga çlirimi nga Perandoria Osmane, mbretëria e Princ Vidit, periudha e Fan Nolit, mbretërimi i Ahmet Zogut, fashizmi italian dhe komunizmi enverian.
Në përfundim, Besnik Mustafaj nuk është vetëm një shkrimtar; ai është një dëshmitar i kohës, një përkthyes i ndjenjave dhe mendimeve të një kombi nëpërmjet fjalës së shkruar. Përmes veprave të tij, lexuesi jo vetëm që ndjek rrugëtimin e personazheve të tij, por gjithashtu zbret në labirinthet e mendimit dhe ndjenjës njerëzore. Me një stil krejt të veçantë, autentik dhe një frymëzim të pashtershëm, Mustafaj mbetet një nga zërat më të rëndësishëm në mos më i rëndësishmi i letërsisë shqiptare bashkëkohore. Edhe psë demonstron përherë një urtësi prej pleqësh nga ata të motit, vepra e tij dhe ai vet e merton pletësisht t’i quhet:
Pinjoll i denjë i MALEVE TË GJIGANTËVE, ashtu siç i përshkruan Carleton S. Coon, malësorët e Malësisë së Gjakovës, ku është lindur dhe rritur ky autor.
Unë ndjehem krenar që kam udhëtuar me Besnik Mustafajn që nga viti 1985, kur u njohëm për herë të parë dhe mësuam se të dy ishim tropojanë.Në raste të veçanta, kemi luftuar bashkë për të njëjtën kauzë; herë të tjera kemi qenë personazhe të librave të njëri-tjetrit, si te Fati i Marrë, ose në një poemë që Besniku ma pati kushtuar kur kalonte me autobusin e Bajram Currit, pranë punës time në Laç, me titullin ‘Shokut tim,’ botuar në revistën Nëntori, ose ai vetë te libri im Ambasador i Pushtetit të Butë.
Në fakt, ishim djemtë e dy Bajramëve, që kishin qenë edhe ata miq të ngushtë në rininë e tyre. Miqësia jonë tani përfshin tre breza: baballarët tanë, ne të dy, dhe Andin dhe Kreshnikun, djemtë tanë, të cilët e kanë përtërirë këtë miqësi. Për një koincidencë edhe më të bukur, të dyja zonjat tona mbajnë të njëjtin emër: Donika Mustafa dhe Donika Berisha.
Uroj ta vazhdojmë edhe në brezat që vijnë.
Proud to be sons of the Mountains of Giants.
Faleminderit!!