“DITA E INAUGURIMIT TË SELISË SË AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË.”


“DITA E INAUGURIMIT TË SELISË SË AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË.”

DITA HISTORIKE E FALËNDERIMEVE
E enjte, 27 nëntor 1930 – E enjte, 27 nëntor 2024

“Ngjarja më piktoreske e ndodhur kohëve të fundit në Ballkan.”

(New York Times – 28 nëntor 1930)



E enjtja e fundit e nëntorit, çdo vit, shënohet si “Dita e Falënderimeve “ nga populli amerikan.

Janë qindra mijëra shqiptaro – amerikanët që sot festojnë Ditën e Falënderimeve bashkë me miqtë dhe fqinjët e tyre amerikanë, në atdheun e tyre të dytë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast të veçantë, dëshiroj t’u uroj të gjithëve:

Gëzuar këtë ditë kaq të veçantë dhe të dashur për popullin amerikan!


INAGURIMI I AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË

Gjithashtu, më lejoni të ndaj me ju një histori shumë të rëndësishme që lidhet pikërisht me këtë festë. Për një rastësi të veçantë, ajo përkon jo vetëm me ditën e javës, por edhe me datën e muajit – E enjte 27 Nëntor.

Bëhet fjalë për një ngjarje historike që ka lënë gjurmë të thella dhe që meriton të kujtohet me krenari…

 Të Enjten, më 27 nëntor të vitit 1930, në një ditë dhe datë si kjo e sotmja,  u inaugurua Selia e Ambasadës Amerikane në Tiranë, pikërisht aty ku ndodhet edhe sot.

Ky moment shënon një ngjarje të jashtëzakonshme, pasi kjo ambasadë (atherë legatë) është e para në botë që Shtetet e Bashkuara ndërtuan si pronë të tyre të paluajtshme.



HERMAN BERNSTEIN DHE MBRETI ZOG I

Në këtë ditë historike, Ambasadori Amerikan, Herman Bernstein, mbajti një fjalim të paharrueshëm. Ndër të tjera, ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme mes dy kombeve tona dhe vlerësoi mikpritjen shqiptare, duke e bërë këtë moment një gur themeli për lidhjet shqiptaro-amerikane. Ai tha pos tjerash:

… E kam zgjedhur këtë Ditë të Falënderimeve për t’ia kushtuar Legatës së Re Amerikane në Tiranë. Kjo është e para Legatë e ndërtuar nga Qeveria Amerikane në tokë të huaj nga fondet e siguruara prej Porter Bill, për ndërtimin e Ambasadave Amerikane, Legatave dhe Konsullatave në vende të ndryshme të botës.

Fakti që Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar këtë Legatë tregon qartë, nga njëra anë, besimin që ato kanë dhe, nga ana tjetër, simpatinë dhe interesin ndaj Pavarësisë së Shqipërisë, populli i së cilës ka luftuar dhe punuar me kaq kurajo për pavarësinë kombëtare, që nga ditët e heroit të tyre të shkëlqyeshëm kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Ky është një vend i vogël, shumë i bukur, i populluar prej një race të lashtë e të guximshme.  

Pavarësia e Shqipërisë, e cila do të festohet nesër, (28 Nëntor 1930) është e dashur për çdo shqiptar. Rendi dhe qetësia, të vendosura nën drejtimin e mençur të Madhërisë së Tij, Mbretit Zog, e kanë shtruar rrugën për zhvillimin dhe përparimin e vendit. Në një atmosferë paqeje dhe mirëkuptimi fqinjësor populli shqiptar mund ta bëjë vendin e tij të begatuar nëpërmjet vendosmërisë dhe punës së vështirë e të harmonizuar. Lumturia kombëtare, këtu dhe kudo tjetër mund të arrihet nëpërmjet paqes, rendit të brendshëm, zhvillimit kulturor dhe material dhe mirëqënies së siguruar prej punës së palodhur.

Në vijim të fjalimit të tij, Ambasadori Herman Bernstein vlerësoi me entuziazëm punën e fondacioneve amerikane që kishin kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë. Ai përmendi veçanërisht Fondacionin e Lindjes së Afërt, i cili financonte Institutin Bujqësor Shqiptaro-Amerikan të Golemit të Kavajës, që sot njihet si Shkolla Profesionale që mban emrin e themeluesit të saj, “Charles Telford Erickson.”

Bernstein gjithashtu nënvizoi kontributin e rëndësishëm të Kryqit të Kuq Amerikan dhe të Fondacionit Antimalarje “Rockefeller”, që luftonte me sukses sëmundjen e malarjes, një kërcënim serioz për shëndetin e popullit shqiptar në atë kohë.

“I dëshiroj Shqipërisë me gjithë zemër, bekimet e lumturisë kombëtare,!” – me këto fjalë e përmbylli fjalimin e tij Ambasadori Herman Bernstein.

Fjalimi i tij përfaqësonte një kombinim të përshëndetjes së Presidentit amerikan Herbert Hoover me rastin e Ditës së Falënderimeve dhe opinioneve personale të vetë Ambasadorit Bernstein.

Ceremonia e inaugurimit të legatës amerikane në Tiranë u zhvillua në praninë e Mbretit Zog I -rë,  kabinetit të tij ministror, trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, dhe një numri të madh miqësh të Ambasadës Amerikane. Kjo vizitë shënoi një moment të veçantë, pasi ishte hera e parë që Mbreti Zog vizitonte një ambasadë.

Në këtë ceremoni, një tjetër moment i spikatur ishte fjalimi i Ministrit Britanik në Tiranë, Sir Robert Hodgson, i cili shërbente si Dekan i Trupit Diplomatik. Fjalimi i tij vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike dhe përkrahjen ndërkombëtare për Shqipërinë.

 Më 28 nëntor 1930, gazeta prestigjioze The New York Times botoi një artikull informativ mbi inaugurimin e ambasadës amerikane në Tiranë. Kjo tregon qartë autoritetin dhe ndikimin e Ambasadorit Herman Bernstein, i cili, falë lidhjeve të tij të forta me shtypin amerikan, arrinte të siguronte hapësirë për publikime të tilla.

New York Times e përshkruante këtë ngjarje tekstualisht kështu:

“NGJARJA MË PIKTORESKE E NDODHUR KOHËVE TË FUNDIT NË BALLKAN.”

Mal Berisha

Malberisha.com


 

Shënim: Simboli i Ditës së Falenderimeve është  Cornucopia-s (ose “Kupa e bollëkut”) dhe përfaqëson pasurinë dhe bujarinë e natyrës. Ai zakonisht paraqitet si një shportë  e mbushur  plot me fruta, perime, grurë dhe produkte të tjera ushqimore që simbolizojnë frytet dhe bollëkun e tokës. Emri “CORNUCOPIA” vjen nga latinishtja (“cornu” që do të thotë brirë dhe “copia” që do të thotë bollëk), dhe ka origjinë nga mitologjia greke.  

Në festimet moderne të Ditës së Falënderimeve, Cornucopia përdoret shpesh si një mjet  dekorativ I vendsur në tavolinat festive, duke simbolizuar falënderimin për të mirat dhe bekimet e vitit të kaluar. Ajo është një imazh që reflekton frymën e festës, që është të falënderosh për frytet e tokës dhe për dhuratat e Zotit dhe të Natyrës.