Mal Berisha “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar diplomatike dhe publicistike për përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë dhe të vlerave më të mira kombëtare e shtetërore, kudo ku ka shërbyer si diplomat e Ambasador, brenda e jashtë vendit”.
KALORËS I URDHËRIT TË SKËNDERBEUT
Me 19 prill 2017, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Z Bujar Nishani, nderoi me titullin “Kalorës të Urdhërit të Skendërbeut”, pesë Ambasadorë shqiptarë, Sh.T z Roland Bimo, momentalisht Ambasador I RSh në Austri, Sh.T.z. Artur Kuko, momentalisht Ambasador I RSh në RF Gjermane dhe Ambasadoret Kujtim Xhani dhe Valter Ibrahimi. Midis tyre kisha nderin, kënaqësinë dhe privilegjin të isha edhe unë.
Me këtë rast dëshiroj të falenderoj Presidentin e Republikës për vlerësimin me këtë dekoratë të lartë të shtetit shqiptar. Në fjalën time falenderuese gjatë ceremonisë, shpreha mirënjohjen e thellë ndaj Institucionit të Presidentit dhe vetë Atij.
Por nuk mund të mos përmendja kuptimin e veçantë që ka për mua kjo dekoratë pasi lidhet me dy figura, jetën dhe veprën e të cilëve e kam studiuar për shumë vite dhe e kam bërë të njohur për lexuesit shqiptarë dhe të huaj. Ata te dy mbajnë po këtë dekorate: “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”:
– Amerikani Charles Telford Erickson, i cili i kushtoi jetën Shqipërisë , Mbajtës i dekoratës “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, akorduar nga Madhëria e Tij, Mbreti Zog I, në vitin 1931;
– Herman Bernstein, Ambasador Amerikan në Mbretërinë Shqiptare 1930 – 1933, Mbajtës i dekoratës ” Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” akorduar nga Madhëria e Tij, Mbreti Zog I, në vitin 1934.
Gjithashtu theksova dy fakte kuptimplote që lidhen me emërtimin e kësaj dekorate:
– Vendosjen e Bustit të Skënderbeut në Londër, 28 nëntor 2012;
– Vendosjen e Bustit të Skënderbeut në fshatin arbëresh, Munxhufuni, Rajoni Molise, Itali, 4 gusht 2013.
Falenderoj me këtë rast familjen time për mbështetjen e pakursyer që më ka dhënë. Falenderoj edhe shumë kolegë diplomatë me të cilët kam bashkëpunuar ndër vite.
Kjo dekoratë nderon çdo përpjekje të bërë për të mirën e kombit tonë, nga të gjithë diplomatët patriotë që i shërbejnë dhe i kanë shërbyer çështjes shqiptare kudo që janë, pjestar i armatës së të cilëve e ndjej se kam qenë per mëse 25 vjet.