MAL BERISHA: VLERA UNIVERSALE E PUSHTETIT TË BUTË – (SOFT POWER)

VLERA UNIVERSALE E PUSHTETIT TË BUTË (SOFT POWER) DHE MUNDËSITË QË I JEP KJO TEORI PROMOVIMIT TË BOTËS SHQIPTARE


Teorisë filozofike të njohur si PUSHTETI I BUTË në Diplomaci, (SOFT POWER) të krijuar prej Profesorit amerikan Joseph Samuel Nye, i kam kushtuar një  ndër punët më voluminoze të jetës, librin:

AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË.

Nga mënyra sesi kjo teori po përdoret tani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, del se ajo nuk qenka e vlefshme vetëm për kombet dhe shtetet e vogla siç jemi ne shqiptarët, por edhe për shtetet e mëdha.

Ajo përmblidhet në teoremën:

“Jo forca e parasë, as madhësia numerike e popullsisë së një vendi, as forca ushatarake dhe agresiviteti por pasuria shpirtërore, kontributi në kulturën e njerëzimit, virtyte dhe cilësi të veçanta këto, mund t’i bëjnë edhe kombet e vogla të duken interesante. Që kjo të bëhet sa më mirë duhet që të gjithë faktorët e interesuar për progresin e një kombi të bashkëveprojnë. Dhe mbi të gjithë qëndron Diplomacia, ajo publike, kulturore, promovuese.”

          Por ja që edhe vetë amerikanët, vendi me fuqinë më të madhe ekonomike në botë, me ushtrinë më të fortë e më të paisur në botë e ushtron forcën e Pushtetit të Butë nëpërmjet të Diplomacisë Kulturore.

Në linkun shoqërues të këtij shkrimi, do të dëgjoni dhe të mësoni se si kultura dhe muzika amerikane Hip – Hop e ndihmon shtrirjen e influencës së atij vendi nëpër tërë botën. Madje në të tregohet edhe se brenda vetë Departamentit të Shtetit Amerikan, DASH, paska një Drejtori që merret me implementimin e teorisë së Pushtetit të Butë nepërmjet të veprimtarisë kulturore dhe artistike.

https://podcasts.apple.com/us/podcast/hip-hop-diplomacy/id1482132871?i=1000564229745


Në  të, në  koncept thuhet:

“Hip – Hop është një fenomen që ka rrëmbyer zemrat në mbarë botën. Forma e saj muzikore varion nga himnet e partive deri te komentet kritike sociale. Por zhanri luan një rol tjetër: është një mjet me ndikim të fuqisë së butë për Shtetet e Bashkuara. Ashtu si xhazi dhe rock-u i paraardhësit të tij, hip-hop-i përdoret nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së për t’u lidhur me mendjet e reja dhe aftësia e tij unike për të frymëzuar vullnetin e mirë ndaj Shteteve të Bashkuara ofron një avantazh të rëndësishëm ndaj kundërshtarëve si Kina dhe Rusia. Si u bë hip-hop një instrument diplomatik i përhapur?”

I bindur se e ardhmja e diplomacisë për vendet tona të vogla është Pushteti i Butë, sapo e botova librin AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË, i frymëzuar pikërisht nga kjo teori amerikane, i dërgova disa kopje në Ministritë e Punëve të Jashtme në Tiranë dhe në Prishtinë.



Dhurimi i këtyre librave  ishte një detyrim publik por edhe një “ftesë” për të ofruar shpjegimin e drejtpërdrejtë të kësaj teorie të re, të zbatuar në praktikë.

Por le të kthehemi tek jo teori:

Hip Hopi amerikan gjeneron miliarda dollarë dhe e ndihmon vendin me SOFT POWER – in më të mirë në botë ta shtrije influencën e vet në çdo cep të botës. Më poshtë është lista e dhjetë vendeve me Soft Power – in, më të mirë në botë, për vitin 2021 – 2022:

1.- ShBA,

2.- Mbretëria e Bashkuar,

3.- Gjermania,

4.- Kina,

5.- Japonia,

6.- Franca,

7.- Kanadaja,

8.- Zvicra,

9.- Rusia (Edhe pse e paklasifikuar për shkak të luftës kundër Ukrainës,

10.- Italia.


Lind pyetja:

Po ne shqiptarët, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veiut dhe kudo tjetër që kemi artistë kaq të mëdhenj, pse nuk kemi Drejtori të tilla, brenda Ministrive tona të Punëve të Jashtme të cilët të merren me angazhimin e artistëve tanë? Ata edhe pa atë, e ndihmojnë njohjen e vendit dhe të popullit tonë nëpër botë. Por a mund të arrihet një qëllim kaq i lartë thjesht dhe vetëm bazuar në kontribute private dhe individuale?

A nuk do të ishte mirë të kishim një bashkëpunim midis artistëve shqiptarë nga të gjitha trojet nënë kujdesin e Ministrive të Jashtme në mënyrë që ato të përbëjnë atë që amerikanët e Joseph Nay e quajnë Soft Power ose Diplomacia Kulturore?

Imagjinoni nëse Rita, Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Amanda Ava Koc –  Ava Max, Ermonela Jaho, Inva Mula, Arlinda Morava, Blerta Zhegu, Alda Dizdari, Anila Hoxha, Marigona Qekrezi, Elbenita Kajtazi, Saimir Pirgu, Riad Imeri, Shkelzen Doli, Armando Lika, Eva Golemi, Miranda Sinani, Armand Kallogjeri, Ylber Gjini, Marjana Leka, Armand Lika, Gëzim Mushqeta, Ramë Lahaj, Visar Vishka, Frano Lufi, Gerard Murja, Anisa Kataroshi, e sa e sa të tjerë të cilët mbushin skenat e botës sot, të ishin të organizuar në dobi të Diplomacisë tonë Kulturore.

Uroj që ky trend kaq interesant i diplomacisë së sotme i iniciuar dhe inventuar nga Fuqitë më të Mëdha të Botës, mike të vendit tone, heret a vonë  do të  gjejë  zbatim edhe në  diplomacinë  shqiptare !


Mal Berisha


Hip – Hop is a phenomenon that has captured hearts around the world. Its musical form ranges from party anthems to critical social commentary. But the genre plays another role: it is an influential soft–power tool for the United States. Like its predecessor’s jazz and rock, hip-hop is utilized by the U.S. State Department to connect with young minds, and its unique ability to inspire goodwill towards the United States offers a significant advantage over adversaries such as China and Russia. How did hip-hop become a go-to diplomatic instrument?