THIRRJE
TË DASHUR BASHKËATDHETARË TË SHTETIT TË PENSILVANISË NË SHBA!
VOTONI DR. MEHMET OZ PËR SENATIN AMERIKAN!
Në nëntorin e vitit 2001, ndërsa punoja për Kombet e Bashkuara në Kosovë, papritmas mësova se vuaja nga një sëmundje e cila mund të më shkaktonte vdekje të menjëherëshme. Ishte një aneurizëm a aortës e cila kishte shkatërruar plotësisht funksionimin e valvolës së epërme të zemrës. Ishte kardiologu Kosovar Dr. Gani Bajraktari, i cili sapo më pa në një vizitë shëndetësore rutinë, më tha:
“Ju jeni në atë gjendje që mund të vdisni edhe tani në duart e mia. E vetmja mënyrë e shpëtimit është thika, pra zevendësimi i valvolës së epërme të zemrës”.
Dr. Ganiu, të cilit i njoh meritën që më shpëtoi jetën në atë moment, këmbënguli që unë t’i nënshtrohesha operacionit pa asnjë vonesë, domosdoshmërisht në spitalin më të afërt.
I befasuar nga kjo e papritur e ardhur nga një gjendje jo-simptomatike e mëparshme, u nisa për në Stamboll për një opinion të dytë. Atje takova miqtë e mi të dashur Hilmi Manço dhe të shoqen, gazetaren e njohur të Turkish Daily News, miken e shquar të shqiptarëve, Yasemin Dobra – Manço.
Vizita mjekësore në Stamboll doli të ishte më dramatike se ajo e Prishtinës. Tani mbetej të bëhesha operacion. Vendosa ta bëja atë në New York megjithë rrezikun që mbart’te largësia. Çifti Manço, nuk arriti të më bind’te të operohesha në Stamboll. Atherë ata më rekomanduan emrin e kardio-kirurgut më të njohur të botës së asaj kohe, Dr. Mehmet Cengiz Oz, në Spitalin Presbyterian të New York-ut, në Universitetin Columbia me të cilin ata kishin njohje të tërthortë.
Pas dy ditësh u gjenda në klinikën e Dr. Mehmet Oz në Spitalin e zemrës të Universitetit Columbia. Sekretarja e tij, Emine hanëm, një zonjë shumë e sjellshme turko – amerikane, tashmë ishte njoftuar që nga Stambolli për gjendjen time. Ajo më tregoi menjëherë se emri im kishte arritur në zyrën e Dr. Mehmet Oz – it para meje dhe se ai do ta mbikqyrte vetë operacionin të cilin do e bënin profesorët Marc Warshawsky dhe Neloo M. Edwards.
Pas ndërhyrjes me zemër të hapur, ose me zemër në tavolinë, e cila zgjati, nuk e di sesa orë, u zgjova me një zhurmë tik-taku të një valvole prej platini në gjoks, e cila nuk ka pushuar së rrahuri që prej datës 13 nëntor 2001 deri më sot.
Kur u “zgjova”, njeriu i parë që pashë përpara meje dhe që po me kapte për faqesh ishte, kush tjetër përveç:
Dr. Mehmet Oz.
Ai më përkëdheli, më foli turqisht dhe anglisht dhe më siguroi se çdo gjë kishte shkuar perfekt.
Pesë ditët tjera në atë spital të Columbias i kalova nën kujdesin e Dr. Oz. Që prej asaj kohe e kam ndjekur me vëmendje dhe simpati karrierën e këtij njeriu, njëri nga më të suksesshmit e brezit të vet, jo vetëm në fushën e mjekësisë por edhe të medias e tanimë edhe në politikë.
Dr. Mehmet Oz ka lindur në vitin 1960. Ai është jo vetëm mjek shumë i njohur, një ndër kardio – kirurgët më të mirë në botë, por edhe shumë i njohur në botën mediatike televizive amerikane. Ai është i biri i mjekut turk Cengiz Oz, i lindur në Cleveland të ShBA – së dhe mban dy shtetësi: Për të mbajtur shtetësinë turke, që i rridhte nga babai, ai ka kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë turke. Në profesionin e tij, ai ka marrë një numër të madh çmimesh dhe ka botuar një numër shumë të madh librash dhe artikujsh shkencorë. Ndërkohë ai njihet si një mik i Oprah Winfrey, prezantuesja televizive më e njohur në Amerikë, aktore, producente, gazetare, shkrimtare, shefe ekzekutive e medias dhe drejtuese e rrjetit mediatik me të njejtin emër. Dr. Oz ka marrë pjesë në serialin Discovery Channel. Ai është profesor emeritus në Universitetin Columbia. Meritat e këtij intelektuali amerikan janë pa fund.
Pas tërë këtyre arritjeve në fushën e shkencës, mjekësisë, kardiologjisë, medias, televizionit, filantropisë, Dr. Mehmet Oz është hedhur në tapetin e luftës politike si kandidat i Partisë Republikane Amerikane për në zgjedhjet e vjeshtës së vitit 2022, për në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Ai e ka fituar nominimin nga Partia Republikane dhe konkuron me kandidatin e Partisë Demokrate në shtetin e Pensilvanisë.
Si një mik i shqiptarëve, miqësi që unë e kam ndjerë vetë nga duart, sytë dhe puna e tij si mjek, i ftoj tërë shqiptaro – amerikanët e shtetit të Pensilvanisë të votojnë për Dr. Mehmet Oz për në Senatin Amerikan.
Ju siguroj se ne shqiptarët do të kemi një mik të veçantë në organin më të lartë legjislativ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Votoni Dr. Mehmet Oz, të dashur shqiptaro – amerikanë të shtetit Pennsylvania!
Mal Berisha