Në studion e Profesor Joseph S. Nye, Jr.

Në studion e Profesor Joseph S. Nye, Jr.

Biseda me profesor Nye rreth teorisë së tij të “Pushtetit të Butë” ishte shumë interesante. Pashë që zbatimi i asaj teorie në praktikën dhe përvojën time diplomatike ishte në përputhje me tezat e Profesorit…

Nga Mal Berisha

Prej shumë vitesh jam i apasionuar pas teorisë së Profesorit Harvardian Joseph Nye e quajtur “Soft Power”. Nuk e di a do ti shkonte përkthimit të këtij termi, “Pushteti i Butë” por në të vërtetë kjo teori ka të bëjë pikërisht me atë që kombet e vogla mund të bëhen simpatike përpara botës nëse dinë të demonstrojnë ata elementë që i bëjnë ato interesante. Jo forca e parasë, as madhësia numerike e popullsisë së një vendi, as forca ushtarake dhe agresiviteti, por pasuria shpirtërore, kontributi në kulturën e njerëzimit, virtyte dhe cilësi të veçanta mund t’i bëjnë edhe kombet e vogla interesante. Që kjo të bëhet sa më mirë duhet që të gjithë faktorët e interesuar për progresin e një kombi të bashkëveprojnë. Dhe mbi të gjithë këtu qëndron Diplomacia, ajo publike, kulturore, promovuese…
Ndërkohë që, kjo ka qenë motoja e veprimtarisë time në shërbimin diplomatik, dëshira për ta njohur hartuesin e kësaj teorie do të plotësohej vetëm më dt. 30 janar 2017 këtu në Cambridge, Massachusets në Kennedy School of Government.

Në këtë ditë të vitit 2017, pata rastin ta vizitoja vetë profesor Joseph Nye dhe për një gjysmë ore të shkëmbeja mendime se si e kam zbatuar teorinë e tij të “Pushtetit të Butë” në veprimtarinë time si përfaqësues i shtetit shqiptar. Profesor Nye më priti në zyrën e tij. Me mua ishte edhe im bir Kreshniku, i cili po studion mbi identifikimin dhe zbatimin e Soft Powver si mjet diplomatik në politikën e jashtme shqiptare, nën drejtimin e këtij profesori të nderuar.

Profesor Nye na priti me shumë respekt e ngrohtësi. Ai e kishte vizituar Shqipërinë në pozitën e zv/sekretarit Amerikan të Shtetit për Mbrojtjen gjatë mandatit të Presidentit Bill Klinton. Ai dinte shumë për vendin tonë. Kishte kontribuar për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. U interesua shumë për mbarëvajtjen e punëve, çështjet politike, Kushtetutën. Më pas u interesua për Kosovën dhe dinte me hollësi incidentet e fundit të provokuara nga Serbia veçanërisht atë të trenit. Më pas donte të dinte për shqiptarët e Maqedonisë dhe “tendencat unifikuese të shqiptarëve në Ballkan”.
Pastaj u përqendruam tek të drejtat e shqiptarëve në Mal Të Zi dhe Serbi. Për të gjitha këto, natyrisht që i dhashë perspektivën shqiptare të trajtimit të secilit problem me theks tek roli që luan Shqipëria në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkanin e gatshëm përherë për konflikte.

Profesori donte të dinte për aspiratën shqiptare për bashkim të të gjitha trojeve. Një interesi të tillë iu përgjigja se si vëllezër të një gjaku dhe të një race e gjuhe, do të dëshironim të ishim të bashkuar, por shqiptarët janë të vetëdijshëm se një sipërmarrje e tillë sjell aq shumë trazira në Ballkan e megjithatë, ne ende vazhdojmë të besojmë tek projekti i Bashkimit Europian, ku edhe ne do të jemi anëtarë të denjë. Çdo shqiptar që jeton në gjashtë shtetet Ballkanike, në trojet e veta etnike do të ndjehet i barabartë dhe të gëzojë të drejtat kombëtare që i takojnë.
Ajo pjesë e bisedës me profesor Nye rreth teorisë së tij të “Pushtetit të Butë” ishte shumë interesante. Pashë që zbatimi i asaj teorie në praktikën dhe përvojën time diplomatike ishte në përputhje me tezat e Profesorit. Harmonia fetare, aq e dëshiruar sot, figurat e shquara që kombi shqiptar i ka dhënë botës, katër Papë ne Vatikan, Skënderbeu, mbrojtësi i qytetërimit perëndimor, burrështetasit shqiptar në botë si: Muhamet Aliu i Egjyptit, Francesko Krispi i Italise, roli i shqiptarëve në revolucionin grek, Nënë Tereza, Besa dhe ndihmesa që shqiptarët iu dhanë hebrenjve gjatë gjithë historisë dhe veçanërisht gjatë Holokaustit etj., ishin të mjaftueshme për të demonstruar përputhjen e teorisë me praktikën e punës në diplomacinë e një vendi si yni.
Ndoshta Profesori, i cili beson tek teoria e tij, u ndie po aq i lumtur me zbatimin e atyre tezave sa unë që isha përpara atij njeriu të madh të kohës tonë.
Në ikje ai më dhuroi librin e tij “The Soft Power” me një autograf të tij.

Source: http://www.kohajone.com/2017/02/04/ne-studion-e-profesor-joseph-s-nye-jr/