NJË DITË E VEÇANTË NË BOSTON, ME AT ARTHUR LIOLIN
TEK KRYEKISHA ORTODOKSE SHQIPTARE E SHËN GJERGJIT
Nga Mal Berisha
Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë të takoja përsëri dhe të zhvilloja një bisedë të gjatë me plot dashuri vëllazërore me At Arthur Liolin: Kreu i Kryekishës dhe Ikona e Patriotizmës Shqiptare. Ai ka mbajtur ndezur zemrat e patriotëve shqipëtarë në atë anë të Amerikës.
Përveç historisë së asaj Kryekishe dhe kontributit të themeluesit të saj, Fan Nolit, mësova një tezë filozofike se: EKUMENIZMI, në kuptimin e tij të krishterë, tek ne shqiptarët merr një kuptim shumë më të gjërë: Ai shtrihet deri tek mirëkuptimi ndërfetar midis shqiptarëve si një rast unikal në botë.
Kjo është edhe filozofia e At Liolinit, i cili na paraqiti një foto të rrallë ku të gjithe krerët e besimeve fetare shqiptare, pozonin së bashku si vëllezër.
Me këtë rast pata kënaqësinë e rrallë që t’i dhuroja disa nga librat e mi Bibliotekës së Fan Nolit. E në këmbim pranova një relike të rrallë: Një kopje të botimit të parë të studimit me vlerë universale të shkruar nga Fan Noli –“BEETHOVEN AND THE FRENCH REVOLUTION”, nënshkruar në emër të Librarisë nga libraristja, Neka Doko.
Ndalesat në Kishën e Shën Gjergjit në Boston janë një moment frymëzimi dhe shprese të mbijetesës së shqiptarëve edhe në metropole të mëdha siç është Bostoni dhe shtete gjigande siç është Amerika – në atë që njihet si “melting potter” – Poçi ku shkrihen të gjitha rracat, fetë, ngjyrat dhe gjuhët e njerëzimit.
Proud to be Albanian!