NJË DITË ME VEPRIMTARIN E ÇËSHTJES TONË KOMBËTARE, Z. HARRY BAJRAKTARI, NË NEW YORK
Nga Mal Berisha
Në vijim të punës për një serial dokumentar, këto ditë në New York pata një takim dhe një intervistë me Veprimtarin e njohur të Çështjes tonë Kombëtare, z Harry Bajraktari, në qendrën e tij të punës në Tarrytown, në veri të New York-ut.
Në kompleksin e zyrave të tij të punës, njeriu e ndjen veten sikur gjëndet sa në Amerikë, sa në Kosovë, aq edhe në Shqipëri. Në fakt të duket sikur je në një ekspozitë ku ndjehet menjëherë prania e njerëzve më të shquar shqiptarë dhe amerikanë, të cilët i kanë dhënë trajtën që ka sot Kosova:
NJË SHTET I PAVARUR, DEMOKRATIK DHE I LIRË.
Që në hyrje të kompleksit “BAJRAKTARI” vizitori sheh fotografitë e emrave më të njohur të historisë me të cilin e lidh emrin e vet pronari i atij vendi. Ato shkojnë thellë në histori, deri tek Binak Alia, malësori i Malësisë së Gjakovës, që ka bërë emër të madh në historinë më të lavdishme të atyre anëve të të shekullit të XIX – të dhe nipit të tij Mic Sokoli.
Pastaj vijnë kopertinat e librave “Një jetë midis Kosovës dhe Amerikës”, me fotot e prindërve në një pamje fisnike: Babai, Metë Bajraktari me plisin e bardhë në kokë dhe nëna me lidhëse e merhamë të Rrafshit të Dukagjinit.
Në një alternim të tillë vijnë fotografitë ku ai ka dalë bashkë me ideatorin dhe themeluesin e Kosovës së sotme demokratike dhe të pavarur:
Presidentin Ibrahim Rugova.
Ndërsa në ballë të ndërtesës gjëndet flamuri i kompanisë me emblemën:
ZOTI – FAMILJA – KOMBI
GOD, FAMILY – COUNTRY
Këto fjalë, janë të gjdhendura në flamurin dhe distinktivin e kompanisë së z. Harry Bajraktari. Ato janë shkruar në dy gjuhët, anglisht dhe shqip. Në të dy anët janë vizatuar flatrat e shqiponjës të cilat gjënden edhe në Flamurin Amerikan dhe në atë atë shqiptar. Këto simbole flasin më shumë se çdo fjalë.
Ajo që e bën atë flamur dhe distinktivin edhe më të të veçantë është shembulli edukues që jepet prej tij: Ai ka të bëjë me një prirje që brezat tjerë shqiptaro – amerikanë duhet të ndjekin dhe që janë:
ZOTI, FAMILJA DHE KOMBI.
Mesazh më të qartë patriotik dhe njerëzor nuk mund të ketë.
VEPRIMTAR I ÇËSHJTES KOMBËTARE SHQIPTARE
Në bashkësitë shqiptare që kam pasur rastin t’i vizitoj në shtete të ndryshme të botës, duke filluar nga Turqia, Zvicra, Siria, Britania e Madhe, Irlanda, dhe Amerika, përherë kam gjetur shqiptarë të cilët zgjidhen, emërohen dhe ndonjëherë edhe vetë-zgjidhen ose vetë – emërohen si: Kryetarë Shoqatash, Presidentë, Drejtues etj. Kam takuar njerëz të tillë, të cilët duhen respektuar për përkushtimin e tyre për të mirën e atdheut. Disa prej tyre janë bërë emra shumë të njohur edhe në historinë e popullit tonë, për kontributin e çmuar që kanë dhënë në dobi të çështjes tonë kombëtare.
Në tërë këto udhëtime dhe takime kam takuar vetëm një shqiptar, i cili nuk mban asnjë titull, as kryetar, as president, as drejtues i ndonjë shoqate të tillë. Ai iu drejtohet personaliteteve shqiptare dhe të huaja me titujt që mbajnë, president, kryetar, ministër, senator, kongresmen, profesor, doktor, ambasador, deputet!
Ndërsa në kthim të gjithë i thërrasin:
Zotni Bajraktari!
Në fakt, veprimtaria e tij i kalon caqet e veprimtarisë dhe kontributit të shumë prej “titullarëve” të lart përmendur. Ai ka shkuar deri aty sa të përbëjë edhe pika kthese në historinë e shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vise të tjera në Ballkan.
Ai është Harry Bajraktari!
E kam njohur z. Bajraktari në New York, që kur ai e botonte gazetën ILLYRIA. Lidhjet me këtë veprimtar të palodhur u forcuan në rrjedhë të viteve dhe kanë ecur vetëm në një trase:
Atë të mbarë-vajtjes së çështjes tonë kombëtare.
MIQTË E Z. HARRY BAJRAKTARI
Do të donte shumë kohë të përmendnim emrat e të gjithë njerëzve më me influelncë në organet drejtuese të shtetit amerikan që nga senatorët, Bobe Dole e D’Amato, deri tek Presidenti Bill Clinton, Sekretarja e Shtetit Magdalene Albright, Hillary Clinton për të ardhur deri tek vetë Presidenti i sotem, Joseph Biden.
Në tërë këtë plejadë politikanësh amerikanë shndrit mardhënja e z Bajraktari me kongresmenin Eliot Engell, i njohur për përkushtimin e tij ndaj çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, në Ballkan. Falë miqësisë së tij më z. Bajraktari ai u kthye në një mbështetës të fuqishëm ndaj çështjes tonë kombëtare.
Në udhëtimet e mia të jetës, në funksione të ndryshme, edhe ato private, kam pasë fatin të isha i pranishëm dhe dëshmitar i mardhënjeve të tij me Kongresmenin Engël.
Prej tij u organizuan seanca degjimore në Komitetin e Jashtëm të Kongresit Amerikan. Rezolutat e Kongresmenit Engëll e kanë pasuar njëria tjetrën që në kohën kur ata të dy e filluan veprimtarinë në dobi të Kosovës, në fillimin e viteve ’90. Kongresmeni thoshte se flet me simpati për shqiptarët dhe deklaronte hapur se ishte takimi me Harry Bajraktarin që e nxiti të merrej me çështjen shqiptare. Ai thotë:
“Kur mësova për historinë e popullit tuaj e më pas për vlerat familjare, traditën, besën, mikpritjen, rrespektin midis brezave, bujarinë, mëshirën dhe dhimbjen për të vuajturit, gjeta shumë gjëra të ngjashme me ato të racës prej nga e kam prejardhjen, ndjeva një thirrje të brendshme për t’i kontribuar kësaj çështje”.
Në shtatorin e vitit 2016, kongresmeni dhe miku i tij Harry Bajraktari u shpallën qytetarë nderi të Lezhës. Ishte një ditë e bukur sa për ata aq edhe për qytetin. Fjalimi i kongresmenit brenda në Memorialin e Heroit Kombëtar Skënderbeg ishte një thirrje për bashkim të shqiptarëve si një herë e një kohë nën Gjergjin tonë te madh.
Në një mbrëmje të shoqatës së grave shqiptare në New York, “Motrat Qirjazi”, në Tetorin e vitit 2018, zonja e kongresmenit, Pat Engel deklaroi publikisht: “Unë jam shqiptare”. Ajo pasi foli shumë për shqiptarët, Kosovën, Harry Bajraktarin dhe rrethin e tij të afërt familjar përfshirë zotëri Rrustem Gecin, iu kthye fillimit të bisedës dhe tha:
“Po ju kujtoj edhe nje herë se Elioti dhe unë ndjehemi shqiptarë, pasi prej jush, shqiptarëve, kemi mësuar shume, kemi marrë aq shumë dashuri, frymëzim dhe kemi parë aq shumë vlera të rralla njerëzore.”
Me datën 30 Prill 2019 kam patur rastin të ndiqja seancën dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të Kongresit Amerikan, drejtuar nga Kongresmeni Engel, në atë kohë në postin e Kryetarit të këtij Komisioni, ku merrte pjesë edhe ish Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga. Aty dëshmoi Vasfie Krasniqi, sot deputete e Kuvendit të Kosovës, në atë që u quajt: “Kosovo’s Wartime Victims: The Quest for Justices”
Ajo dëshmoi dhunën seksuale të ushtruar ndaj grave në Kosovë, kryer nga falangat serbe të Milosheviçit ndaj saj. Po ashtu njëri nga vëllezërit Bytyci dëshmoi zhdukjen e vëllezërve të tij, shtetas amerikanë.
MIK I RI PËR SHQIPTARËT – KONRESMENI RITCHE TORRIES
Para pak kohësh, nën kujdesin e z. Bajraktarit, bashkësia shqiptare e New York – ut, pati mundësinë të takohej në një mbrëmje me kongresmenin e sapozgjedhur Ritche Torries. Ai premtoi se do të ishte një zë i rëndësishëm në Kongresin Amerikan për çështjen shqiptare si mik i z. Bajraktari. Ai është bashkë – kryetar i grupit të Miqësisë me Shqiptarët në Kongresin Amerikan.
Ndikimi i z. Bajraktari nëpërmjet të miqësive me njerëzit e duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur ka ndikuar në ndryshimin e gjërave për ne shqiptarët. Ato kanë ndryshuar falë shumë e shumë faktorëve të tjerë, por që kanë pasë brenda vetes, këtu në Amerikë, edhe “tharmin e punës së z Bajraktari.”
Falenderim!
Vizita që bëmë tek z Bajraktari dhe intervista që na dha për një figurë të ndritur të Malësisë së Gjakovës, prej nga rrjedh edhe ai vetë, ishin një moment që mbahet shumë gjatë në kujtesë dhe tanimë është fiksuar edhe në “celluloid – digital”.
Falemnderit z. Bajraktari që na nderove duke u bërë pjesë e kësaj historie të lavdishme shqiptare!
Mal Berisha
New York 9 korrik, 2021