KOLEKSIONI I ENO KOÇOS ME 18 DISQE TË MUZIKËS SHQIPTARE – 1979 – 2022
“Mos pyesni se çfarë ka bërë vendi yt për ty?
Pyet: Çfarë ke bërë ti për vendin tënd?”
— J.F.Kennedy
Kjo shprehje e Presidentit Amerikan J.F. Kennedys nuk mund të gjejë një shprehje më bindëse të saj sesa në veprën e dirigjentit tonë të nderuar, ENO KOCO.
Në trashëgiminë kulturore artistike të popullit tonë, numërohen shumë vepra të shumë formave të ndryshme, të cilat tashmë janë bërë monumentale. Midis tyre mund të theksojmë Monumetin e Skënderbeut të vendosur në Krujë, vepër e Janaq Paços, Shtatorja Madhështore e Isa Boletinit në Shkodër, vepër e Shaban Hadërit, në skulpturë, “Motra Tone” e Kolë Idramenos ose “Refugjatët” e Abdurrahim Buzës në pikturë, Opera “Mrika” e Prenk Jakovës ose muzika e filmit ” Skënderbeu” e Çesk Zadesë në muzikë, Vallet shqiptare të Panajot Kanaçit, në koreografi, për të përmendur vetëm disa prej tyre.
Këtyre veprave monumentale, si dhe shumë të tjerave, iu është shtuar këto ditë edhe Koleksioni i Veprave Muzikore të dirigjuara nga artisti ynë i njohur, Eno Koço. Ai i ka sjellë trashëgimisë sonë muzikore një “monument” të ri, i cili meriton të vendoset në të gjitha fonotekat e çdo institucioni muzikor shqiptar, shkollave të muzikës, në fondin familjar të trashëgimisë së çdo shqiptari dhe madje edhe të huajve që merren me studimin dhe njohjen e trashëgimisë muzikore më të vonë të popullit shqiptar.
Fjala është për koleksionin e përbërë prej 18 disqeve të krijimtarisë muzikore të kompozitorëve shqiptarë në të dy anët e kufirit, në Shqipëri dhe në Kosovë, të ekzekutuara nga Orkestrat Simfonike në Tiranë dhe në Prishtinë nga viti 1979 deri më 2022, të drejtuara nga Eno Koço. Është një punë titanike e cila ka kërkuar mbledhjen, sistemimin, digjitalizimin, djegjen në disqe, prodhimin dhe përmbledhjen në një kuti shumë estetike të këtij koleksioni kaq të çmuar.
Do të ishte tepër që në një paraqitje të tillë informative të ndalesha te përmbajtja e secilit disk, por nuk mund të mos përmenden faktet e veçanta si disku i kushtuar veprës muzikore të Fan Nolit, pak i njohur nga ne si kompozitor, si dhe ato të muzikës klasike të interpretuara nga artistët shqiptarë në Kosovë.
Veprimtaria e Eno Koços është e njohur mirë për dëgjuesin e muzikës sonë. Një paraqitje biografike e tij në këtë shkrim do të ishte e tepërt, por nuk mund të lihet pa përmendur se ai ka qenë një ndër muzikantët më të spikatur të brezit të tij. I biri i sopranos shqiptare më të dalluar të kohës së saj, Tefta Tashko Koço, edhe pse ajo e la të vogël, ai e vazhdoi traditën e saj dhe ia kushtoi jetën muzikës. Për dekada të tëra, ai drejtoi orkestrat tona simfonike dhe që prej viteve të para të demokracisë ai e ndan kohën midis Shqipërisë dhe Anglisë, vend në të cilin vazhdon ta ushtrojë talentin dhe mjeshtërinë e tij muzikore.
Dirigjenti i njohur asnjëherë nuk i është ndarë punës për evidentimin e vlerave të muzikës sonë serioze. Këtë dëshmon edhe koleksioni që sapo ka nxjerrë nga prodhimi i i cili përbëhet nga 18 disqe. Ato janë:
1.VALLE SIMFONIKE SHQIPTARE;
2. SUITA SIMFONIKE SHQIPTARE;
3. SIMFONIKE SHQIPTARE (Rapsodi, Uvertura, Fantazi, Skerco, Koncert, për Orkestër);
4. SIMFONIA “Gj. K. Skënderbeu” nga Aleksandër Peçi;
5. KONCERTE INSTRUMENTALE ME ORKESTËR.
6. PJESË INSTRUMENTALE ME ORKESTËR.
7. HARQET E ORKESTËRS SIMFONIKE TË RTSH – së.
8. KËNGË LIRIKE SHQIPTARE me arie klasike shqiptare dhe të huaja;
9. KËNGË TRADICIONALE SHQIPTARE me këngëtarët lirikë shqiptarë;
10. GAQO CAKO me arie klasike;
11. TEUTA KOÇO & HUBERT WILD me pjesë vokale klasike;
12. INSTRUMENTALE DHE SIMFONIKE të huaja;
13. INSTRUMENTALE DHE SIMFONIKE TË HUAJA.
14. INSTRUMENTALE DHE SIMFONIKE TË HUAJA.
15. ÇESK ZADEJA me tetë vepra simfonike e vokale;
16. ÇESK ZADEJA tri skica simfonike “Skënderbeu” – muzikë filmi…
17. FAN NOLI në muzikën klasike;
18. KOMPOZITORË KOSOVARË ME OSRTSH.
Një punë e tillë kaq e vyer, një korpus trashëgimie i asaj që krijuan muzikantët shqiptarë në një periudhë mëse katër dekadash janë një fond i artë për njohjen e asaj që mban në këmbë çdo komb të qytetëruar.
Eno Koço në fakt ka sfiduar atë që sot propogandohet si një tendencë për ta harruar vetveten.
Ky tekst reflekton kontributin e një artisti të shquar në trashëgiminë kulturore dhe muzikore të Shqipërisë.
Edhe pse në moshën “Kur pleqnia kërkon Paqë”, Mjeshtri I Madh Eno Koço nuk pushon së kontribuari duke përmbushur thënjen me të cilën e filluam këtë shkrim:
“Mos pyesni se çfarë ka bërë vendi yt për ty?
Pyet: Çfarë ke bërë ti për vendin tënd?”
Dhe ai e bën këtë shkëlqyeshëm çdo ditë.
Në fakt ai e konsideron këtë edhe si përmbledhje të punës së tij shumë vjeçare, dhe si përmbushje të ëndrrës se vet si muzikant dhe patriot që është.
18 Disqet janë dëshmi e kësaj.
Faleminderit Maestro!
Mal Berisha