Qysh në kopertinën e librit “Ambasador i pushtetit të butë”, artisti me famë ndërkombëtare Fadil Berisha, sikur na paralajmëron me foton aq të goditur të autorit të tij, ku dallon një buzëqeshje plot mirësi, për gjithësa do të gjejmë brenda atyre faqeve të shkruara me aq ndjenjë, përkushtim, kulturë, urtësi, thjeshtësi e mbi të gjitha, atdhetari. Njihet ai shpjegimi i Frederick Sawyerit se “Diplomat është njeriu që mendohet dy herë para se të thotë diçka”, por ne që e njohim dhe ata që e lexojnë e kuptojnë menjëherë se ambasadori Mal Berisha nuk ka pasur nevojë të humbasë kohën duke u menduar gjatë, pasi formimi i tij intelektual dhe konstruksioni botkuptimor e ka shndërruar në njeri të veprimit, gjë që aq qartë del te parimi që ai ndoqi: “Jo forca e parasë, as madhësia numerike e popullsisë së një vendi, – sikurse shprehet Joseph Nye – as forca ushtarake dhe agresiviteti, por pasuria shpirtërore, ndihmesa në kulturën e njerëzimit, virtyte dhe cilësi të veçanta këto, mund t`i bëjnë edhe kombet e vogla të duken interesante. Që kjo të bëhet sa më mirë duhet që të gjithë faktorët e interesuar për progresin e një kombi të bashkëveprojnë. Dhe, mbi të gjithë, qëndron diplomacia, ajo publike, kulturore, promovuese”. Ashtu siç e pohon vetë ai, guximi ka qenë deviza që e drejtoi, kurse mëdyshjen e ka parë si armike të tij. Me aq njohje sa ne kemi nga mediat në vazhdimësi apo kujtimet e shkruara gjatë këtyre 30 viteve të demokracisë, Mal Berisha mbetet jo thjeshtë më aktivi, por ndofta më i suksesshmi nga të gjithë ambasadorët tanë, kudo që ata kanë shërbyer. Asnjë shenjë inferioriteti, asnjë moment lëkundjeje, por krenar, dinjitoz dhe i barabartë me çdo përfaqësues tjetër diplomatik, Mali paraqitet në çdo pritje, takim apo veprimtari që zhvillohet. Madje, ai me arsye të ftohtë, me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme debaton dhe fiton ndaj çdo qëndrimi kaqdashës a provokues, sidomos kur vihet në diskutim çështja jonë kombëtare, pra Kosova e Çamëria apo ata të R.M.V. Por mbi të gjitha, ai di të paraqesë para kujtdo dhe sidomos para opinionit të gjerë, vlerat e larta dhe virtytet e shqiptarëve, sidomos ato të pranuara nga personalitete apo udhëtarë të huaj. Aktivitetet e panumërta me këngëtarë me emër, aktorë të shquar të teatrit e kinemasë, shkrimtarë e poetë, piktorë etj. nga Shqipëria, jo vetëm për nga numri i jashtëzakonshëm, por edhe nga niveli e cilësia, do t`i kishte zili edhe vetë Ministria jonë e Kulturës. Ndaj është mjaft domethëse, si ajo që thotë me aq konsideratë aktori Robert Wilton, ashtu edhe Lordi MaCleenen i Rogartit i cili thotë: “Një popull që ka nxjerrë nga gjiri i vet artistë kaq të talentuar meriton respekt, nderim dhe vëmendje shumë më të madhe nga vendi ynë, Mbretëria jonë dhe qeveria jonë”. Kështu, del se ky ambasador, e ka kuptuar se atje ku është akredituar nga shteti i tij, e ka si detyrë themelore bashkimin e shqiptarëve, kërkimin dhe afrimin e miqve dhe mbajtjen ngritur të frymës së dashurisë për Atdheun e tyre. Ndaj ai edhe i referohet herë pas here, asaj porosisë që mbante pashaporta e kohës së mbretit Zog: “Ndero Flamurin e Atdheut t`and: kush nuk nderon shenjin e kombësisë, shnderon vehten e vet”. Dhe ndofta dy momentet më kuptimplota të këtij synimi, përbëjnë përpjekjet e tij gati mbinjerëzore për porositjen dhe bërjen brenda një kohe të shkurtër, të statujës së heroit tonë Kombëtar, Gj. K. Skënderbeut, si në Londër, ku duhej përuruar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ashtu edhe mes arbëreshëve të Italisë, atje në Munxhufun të Molises. Mendoni andrrallat burokratike të marrjes së lejeve, gjetjes së vendit të vendosjes, ndërtimit të piedestalit, pa le pastaj lëvrimit të fondeve monetare që ai si rast i rrallë, i përballoi me shpenzimet e veta. Por kujtoni edhe ngazëllimin që atij i shpërtheu nga zemra në fjalën e tij që e përfundoi me shprehjen lapidare: Bacë u kry! Dhe për ta mbyllur këtë ligjeratë të shkurtër, për një punë aq voluminoze të një njeriu, nëpunësi dhe shqiptari të madh, të mençur dhe të urtë si Mal Berisha, zgjodha të citoj fjalët e historianit dhe shkrimtarit më të madh bashkëkohor anglez Noel Malcolm: “Shqipëria është një vend shumë i bukur. Është përshkruar në një mënyrë të tillë edhe nga Lordi Bajron. Edward Lear – i e pikturoi mrekullisht dhe shkroi një libër të bukur për Shqipërinë. Shqipëria ka tërhequr syrin e personazheve kryesorë britanikë. Ata e deshën Shqipërinë, shkruan për të dhe e pikturuan. Shqipëria mund të bëhet sërish shumë e rëndësishme. Kjo për shkak të pozicionit të saj gjeografik. Ajo është çelësi i Adriatikut. Është vend shumë i rëndësishëm. Vetë shqiptarët janë njerëz shumë të zgjuar, dinamikë dhe origjinalë. Kanë shumë cilësi, që i favorizojnë. Unë mund të vë bast për Shqipërinë. Ata do të luajnë rol të rëndësishëm në botë”. Dhe në krijimin e këtij mendimi entuziazt, duhet ditur se ka rolin e vet determinant edhe puna e ndërgjegjëshme e ambasadorit Mal Berisha. Ndaj këtë libër duhet ta kenë në tavolinën e tyre të punës të gjithë përfaqësuesit tanë diplomatikë, kudo që të ndodhen. Por njëkohësisht, nuk mund të rri pa shtuar, se me këtë libër, ku dallon korrektesa e tij, Mal Berisha është shndërruar në model edhe për ambasadorët e huaj, shumë nga të cilët duke tejkaluar detyrat që kanë, fusin feçkat e tyre hileqare, atje ku nuk u takon, duke krijuar modelin karikaturë të këtij shërbimi të nderuar, ngritur me kërkesat moderne qysh nga koha e Rodrigo Borxhias, Papa Aleksandrit të VI – të, pra rreth 500 vjet më parë.
Durrës, 13.12.2021