SUKSESET E SAPRANOS SHQIPTARO – AMERIKANE, ME FAMË BOTËRORE ERMONELA JAHO


SUKSESET E SAPRANOS SHQIPTARO – AMERIKANE, ME FAMË BOTËRORE ERMONELA JAHO


Shkruan: Mal Berisha


“Nëse ju vetë nuk e gjeni veten në muzikë, as publiku nuk do ta gjejë veten tek ju”

     Ermonela Jaho



Sukseset e sapranos shqiptaro – amerikane, me famë botërore, Ermonela Jaho tashmë nuk janë më një lajm sensacional. Ajo ka vite që ka pushtuar skenat më të mëdha të botës, që nga Opera Metropolitane e Nju Jorkut deri në Tokio dhe në Sidney.

Që nga data 5 Janar dhe në vijim në datat 8, 14, 20 dhe 26 Janar të këtij viti ajo interpreton rolin e saj të dashur të Violetës në operan La Traviata, në Operan Metropolitane të Nju Jorkut.  

Si një ndjekës i pasionuar i veprimtarisë së saj artistike, jo vetëm pse ajo është një artiste e madhe, por edhe më shumë, si një artiste shqiptare e cila e merr me vete shpirtin e saj shqiptar dhe ua “len në dorë”, në emocione dhe në mbresa të pashlyeshme, mijëra e mijëra spektatorëve të cilët e ndjekin atë me aq dashuri e respekt, në të gjitha anët e botës. Dhe të mendosh se ata janë spektatorët më të kualifikuar të botës. Ata i prenotojnë biletat për ta parë atë në skenën e operave disa muaj përpara se të shfaqet ajo në skenë dhe madje edhe nga një shtet në një tjetër.

Kam patur rastin ta shoh në shumë salla ndër të cilat më prestigjiozet ato të Operas Mbretërore Londineze, Operas Metropoltane të Nju Jorkut, në Kolegjin Mbretëror Muzikor Londinez, për të përmendur vetëm ato më kryesoret. Në secilën prej këtyre shfaqjeve, kam ndjerë forcën e një arti që  mahnit botën në interpretimin e veprave më të bukura të muzikës operistike si ato të  Verdit, Puçinit, Donizetit, Mozartit, Prokofiev, Mahler, Francis Poulenc, pra kompozitorë të të gjitha kohërave që nga ato romatike deri në ato bashkëkohore.

Për jetën dhe karrierën e Ermonale Jahos është folur shumë dhe do të flitet edhe në të ardhmen. Ajo është bërë jo vetëm një Fiery Angel – ose “Engjëlli i Zjarrtë” i operas me të njejtin titull të Prokopiefit, por edhe “Sopranoja më e njohur në botë”,  sipas revistës më të njohur në botë “The Economist”.

Vlerësimet për të janë nga më pozitivet që media ndërkombëtare ka bërë për ndonjë artiste, ndoshta që prej kohës së Maria Callas. Ajo sot konkuron me emrat më të njohur të muzikës operistike botërore. Ajo shfaqet herë pas here përkrah tenorëve më të mirë të botës ndër të cilët edhe vetë Placido Domingo.

Bordi i çmimeve ndërkombëtare të muzikës klasike e ka vlerësuar atë si më poshtë:

“Është karizma e saj, aftësia për të shkaktuar goditje  dhe simpati emocionale tek dëgjuesi, që e dallojnë interpretimin e saj të jashtëzakonshëm.”

Ndërsa gazeta The Intependent thotë për Ermonelën:

“Për t’i bërë të tjerët të qajnë, së pari duhet të qash vetë; vetëm një shpirt i hapur ndjenjash mund ta bëjë këtë.”

Gazeta Financial Times thotë “Ajo hedh zemrën dhe shpirtin në këngën e saj. As mos u përpiqni të rezistoni!”

Ndërsa The Independent thotë:

“Madamm Butterfly (i Ermonelës) është më e mira që Londra ka parë në vite”.

Gazeta australiane  Daily Telegraph e përshkruan atë si “Një fenomen të jashtëzakonshëm.”

Po të shohim programin e shfaqjeve të vitit që sapo kemi filluar atë do ta gjejmë në Nju Jork, Salermo, në Barcelonë, në Liegé  të Belgjikës,  Sydney të Australisë, në Londër, në Munich, në Tokio,  në Zurich dhe në Paris. Çfarë do të dëshironte një artiste e këtyre përmasave botërore më shumë nga jeta?!

FRYMËZUESE E BREZAVE TË TJERË SHQIPËTARË TË MUZIKËS

Ermonela Jaho është bërë frymëzim për një plejadë artististësh shqipëtar në Shqipëri dhe nëpër botë.

Një ndër to është një yll në rritje drejt qiellit të suksesit, sopranoja kosovare nga Mitrovica, Elbenita Kajtazi e cila po ndjek gjurmët e Ermonelës si një soprano shumë e sukseshme në Gjermani. Elbenita shkruan, pas një shfaqje të Ermonelës:

“Pasi qava për 20 minuta rrjesht, duke parë interpretimin e Ermonelës në rolin e Sour Angelica shkova dhe e përqafova motrën time, Ermonelë, e cila ka qenë, është dhe to të jetë gjithmonë frymëzimi im.”

“Motra ime Mona, edhe sonte si gjithmonë e bëre të lotojë gjithë teatrin e mbushur plot, me interpretimin tënd që të prek thellë në zemër e në shpirt. Faleminderit që na e ke hapur rrugën aspak të lehtë drejt skenave botërore!

Ke qenë, je dhe do të mbetesh inspirim për të gjithë të rinjtë shqiptarë që kanë ëndërra të mëdha!

Në foto Elbenita Kajtazi e përqafuar me Ermonela Jahon, pas shfaqjes.

Artistë të tjerë shqiptarë në tërë botën e shohin Ermonelën si modeline tyre të suksesit, siç janë Arlinda Morava, Blerta Zhegu, Alda Dizdari, Anila Hoxha, Marigona Qekrezi, Elbenita Kajtazi, Saimir Pirgu, Riad Imeri, e sa e sa të tjerë.

FLAMURI SHQIPTARË NË OPERAN METROPOLIANE TË NJU JORKUT.

Në mbylljen e shfaqjes së Operas La Traviata të cilën Ermonela po interpreton Violetën në skenën e Operas Metropolitane të Nju Jorkut,  ovacionet zgjatën 6 minuta me “standing ovations” pa ndërprerje. Në sallë u valvit edhe Flamuri Kombëtar Shqipëtar. Emocionet e atyre momenteve artistja i përshkruan si më poshtë:

“Opera Metropolitane e Nju Jorkut më bën përherë të ndjehem si në shtëpinë time, pikërisht për një ndjesi të thellë të veçantë, atë flamur shqiptar që më bëri të ndjehesha dy here e emocionuar. Kushdo që të ketë qenë ai që e vlaviti atë flamur i them: “Falemnderit që solle atë copë të zemrës time këtu”. Fatos Jaho, vëllai i artistes, shprehet nga salla: “Sukses i jashtëzakonshëm me operan Traviata në Operan Metropolitane. Lumturi dhe krenari e papërshkrueshme.”

PIKTORI BASHKIM AHMETI – IZANO E PËRJETËSON NË SKICAT E TIJ ARTISTEN E MADHE ERMONELA JAHO.

Artistët shqiptarë e ndjekin njëri tjetrin kudo që të jenë. Kështu ndodh edhe me Ermonelën. Kudo që ajo shkon e shoqërojnë artistët shqiptarë të vendosur në vendin ku ajo interpreton. Kështu ndodhi edhe kësaj here. Në sallë ishte piktori Bashkim Ahmeti – Izano me të shoqen violinisten Pranvera Ahmeti.


Foto e skicave të piktorit Bashkim Ahmeti – Izano nga salla e Operas Metropolitane, Nju Jork, data 8 Janar 2023.



Ndërkohë që shumë shqiptarë që ishin në sallë e kanë përshkruar interpretimin e Ermonelës me fjalë nga më lavdrimtaret, artisti ynë i penelit, Bashkim Ahmeti e ka fiksuar atë me lapsin e tij në skicat që po i dërgoi nga dosja e tij e punës së përdishme të cilat m’i dërgoi, si një shprehje e emocionit që kishte shkaktuar inerpretimi i saj: Sa shumë dritë japin njerëz të tillë Shqipërisë tonë që përditë e më shumë errësohet prej veprave të shëmtuara të disa njerëzve!

Mal Berisha

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Atena Bishka

 

Nuk e prisja të më prekte aq fort La Traviata mbrëmë, sepse s’kisha aq besim se do të rizbuloja nuanca e ngjyrime që do t’i gjeja të freskëta e të befta. Por interpretimi i Ermonela Jahos mbrëmë në The Metropolitan Opera ishte pikërisht befasi, që duke e shkërmoqur sakaq parandjenjën, ma gllabëroi vemendjen duke mbushur cit çdo skutë të sistemit perceptues dhe emocional. Aftësia e saj aktoriale dhe vokale qe për mua zbulim. Si spektatore u gjenda e komanduar prej tragjizmit, elasticitetit aktorial dhe zërit të kulluar që më shtangën e morën sakaq në dorëzim vulnerabilitetin dhe ndjeshmëritë e mia, të cilat i ndjeva të më derdheshin si përrua që s’i vë dot pritë. Aftësia për t’u bërë njësh me Violetën, kollitja qe dukej sikur po ia thyente brinjët e brishta e trupin e konsumuar prej semundjes, mjeshtëria për të të rrënqethur përmes artit të saj të epërm e jo përmes marifetesh artificiale, do ta bëjnë për mua të pangatërrueshëm autenticitetin e saj. Ermonela jonë qe për ne një Yll mbrëmë, shkëlqimi i të cilit në praninë e baritonit Armatuvshin Enkhbat (një çudi tjetër fatlume!) në rolin e Germont, u shumëfishua e shndriti edhe më fort duke i falur shpirtit një thesar të çmuar çastesh kënaqësie estetike!

#ErmonelaJaho