Vendoset në Londër busti i Skënderbeut

photo (8)

Vendoset në Londër busti i Skënderbeut

Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë, veprimtaritë e vazhdueshme të Ambasadës tonë në Londër kulmuan  me 28 Nëntor, me vendosjen e Bustit të Skënderbeut në Londër, në adresën:

113 Inverness Terrace, London W2 6JH.

Vendosja e këtij busti ishte  frut i një punë intensive disa mujore e ambasadës Shqiptare në Londër, Westminster City Council, Galerisë së Arteve në Tiranë, dhe mikut te dëshmuar te Shqipërisë, z David Lloyd.

Skulptura është vepër e skulptorit tashmë të njohur, Kreshnik Xhiku, autor i Statujës së Nënë Terezës vendosur në Cleveland, i statujës së Mbretit Zog I, I vendosur në fund të Bulevardit me të njejtin emër në Tiranë, portretit të Faik Konicës në Kodrat e Liqenit artificial, monumentit të Skënderbeut mbi kalë në Michigan, etj.

Toka ku është vendosur busti është paguar nga qeveria shqiptare me VKM të posacëm për 30 vjet. Gjatë kësaj periudhe, tëra shërbimet e përkujdesjes ndaj bustit i mbulon Westminster Council, Londër. Ndërsa vlera e bustit, ndonëse ekziston një VKM për likujdimin e tij, nuk është paguar ende për shkak se drejtuesit e Ministrisë së Kulturës kanë zhdukur tërë dokumentacionin e dorëzuar në atë Ministri nga skulptori, cfarë përbën një turp për kulturën shqiptare dhe atë dorë njerëzish që e përfaqësojnë sot, si dhe nje shkelje serioze e ligjit dhe të drejtës së autorit nga mbrojtësit e supozuar të tij.

Në inagurimin e bustit morën pjesë qindra qytetarë britanikë me origjinë nga tëra viset shqiptare në rajonin e Ballkanit. Aty morën pjesë edhe përfaqësues të Westminster City Council, Zonja Susie Burbridge dhe Robert Davis, si dhe njëri nga njerëzit që kanë ndihmuar më shumë për vendosjen e bustit, z David Lloyd.

Në fjalën e tij z. Robert Davis, përshkroi jetën dhe kontributin e pashembullt të Skënderbeut dhe arsyen se përse ky bust do të zbukurojë një prej lagjeve më të bukura të Londrës, Baysëater.

Pastaj fjalën e mori I Ngarkuari me Punë i Republikës së Shqipërisë në Londër, i. Mal Berisha i cili midis tjerash tha:

“Të dashur Bashkatdhetarë,

Të nderuar pjesëmarrës në këtë tubim historik,

E dashur këshilltarja Susie Burbridge,

I dashur këshilltari Robert Davis,

Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës,

Vëllezër e motra,

Kombi shqiptar feston sot një nga ditët më të rëndësishme në historinë e vet: 100 vjetorin e ditës së Shpalljes së Pavarësisë.

Për këtë dua t’ju uroj të gjithëve

Gëzuar!

Sot, i gjithë kombi shqiptar feston, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, trojet shqiptare në Serbinë Jugore, në Mal të Zi, në Camëri dhe ne cdo cep të botës kudo që jetojnë shqiptarët.

Të gjithë e festojnë sot këtë ditë të bekuar.

Ne kemi zgjedhur sot të festojmë në mënyrën tonë.

Pas shumë festimesh të bëra gjatë këtyre ditëve, sot në këtë ditë po vendosim Bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Po vendosim bustin e atij heroi që i bëri ballë furisë Osmane për 25 vjet duke e mposhtur atë, heroit që e mbajti frymën e shqiptarisë në ditët më të errëta të pushtimit Osman, të atij që frymëzoi breza të tërë për të mbajtur gjallë frymën e kombit, gjuhën shqipe, unitetin midis nesh, identitetin tonë!

Për të frymëzuar Rilindasit tonë të mëdhenj,

Naimin e Samiun, Ismail Qemalin e Isa Buletinin, De Radën e Seremben, Kadarenë e Agollin.

Për të frymëzuar Marin Barletin e Longfelloën, kompozitorë e shkrimtarë, piktorë dhe historianë nga e gjithë bota.

Vendosim sot simbolin më të madh, jo vetëm të kombit shqiptar, por edhe mbrojtësin e civilizimit perëndimor të shekullit të XV – të.

Ne jemi krenar për Skënderbeun, për vendin tonë, për atdheun tonë, për njerëzit tanë, për ju të dashur bashkatdhetarë.

Jam krenar që përfaqësoj në këtë ditë kaq historike vendin tonë të dashur Shqipërinë, që ju përfaqësoj juve.

Juve që jeni komuniteti më i ri dhe më me perspektivë në këtë vend, juve që i jepni nder këtij vendi dhe vendit prej nga keni ardhur nga cdo truall etnik shqiptar i Ballkanit.

Ky prej sot do të jetë vendi juaj, tempulli juaj i nderit kombëtar, do të jetë faltorja juaj. Duajeni, respektojeni, kthehuni herë pas here, frymëzohuni dhe reflektoni për identitetin tuaj.

Behuni Britanikët më të mirë të këtij vendi, por jini edhe shqiptarët më patriotë në botë. Dhe do të jeni njerezit më fisnikë të këtij globi!

Dhe do të jeni njerëzit më të mirë të këtij vendi mik, të bekuar.

Rrofshi ju!

Rroftë 100 vjetori!

Lavdi Heroizmit të Skënderbeut tonë të Madh!

Zoti i bekoftë shqiptarët dhe kombin shqiptar!

Zoti e Bekoftë Britaninë e Madhe!

Ju faleminderit!”