Busti i Skënderbeut në Itali

Nga Londra në Munxhufuni: vendoset një tjetër bust i Heroit tonë Kombëtar

zani

Mal Berisha dhe Atleti i Krishtit Lexo me shume

te-busti-150x150Me inisiativën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, z. Mal Berisha dhe në bashkëpunim me Ambasadorin e Shqipërisë në Itali, Prof. Neritan Ceka, dhe Bashkinë vendase, në fshatin arbëresh Munxhufuni (Montecilfone), Rajoni Molize, Itali, me datën 4 gusht 2013 u vendos busti i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeg, vepër e skulptorit të njohur Kreshnik Xhiku.

Fshati Munxhufuni është një prej 52 fshatrave arbëreshe të Italisë Jugore. Të vendosur aty pas thyerjes së rezistencës së shqiptarëve ndaj turqve, me vdekjen e Skënderbeut, banorët arbëreshë i kanë ruajtur në mënyrë shembullore gjuhën, traditat dhe zakonet shqiptare deri në ditët e sotme.

Nisma për vendosjen e këtij busti erdhi si rezultat i përshtypjes që la vendosja e bustit të Skënderbeut në qytetin e Londrës, ditën e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 2012. Me atë rast, në ceremoninë e vendosjes së bustit morën pjesë arbëreshë dhe italianë me banim në Britaninë e Madhe. Kjo nxiti njerën prej atyre pjesmarrëseve, zonjushen Maria Vittoria D’Inzeo, banore e atij fshati, që të parashtronte në Ambasadën Shqiptare në Londër një kërkesë për ndihmë për vendosjen e një busti të Skënderbeut në fshatin e saj, Munxhufuni. Autoritetet vendore kishin prej kohësh vullnetin për të vendosur një bust, monument apo statujë të heroit në sheshin e fshatit me emrin Skënderbeg, i shkruar në shqip dhe italisht, pa mundur ta realizonin projektin e tyre.

Kjo bëri që ambasada të angazhohej deri në realizmin e kësaj kërkese e cila erdhi zyrtarisht nga Bashkia e fshatit. Për këtë kontribuoi autori i veprës, skulptori tashmë i njohur Kreshnik Xhiku si dhe pronarët e firmës shqiptare “Kastrati”, Shefqet dhe Leonard Kastrati, të cilët e sponsorizuan atë në pjesën më të madhe.

Busti u vendos në prani të një numri të madh pjesmarrësish arbëreshë, në praninë e autoriteteve rajonale dhe lokale, të Ambasadorit të RSh në Itali Prof. Neritan Ceka si dhe Ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, z Mal Berisha. Gjithashtu, ishin të pranishëm Princi Georgio Maria Castriota Scanderbeg, një nga pasardhësit e familjes së Skënderbeut, dhe konsujt e nderit të Shqipërisë në Molize, Prof. Savino Cannone, në Kalabri, Vincenzo Cannone, e në Brescia, Vincenzo Chimisso.

Vendosja e këtij busti shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për ruajtjen e identitetit të arbëreshëve jo vetëm në zonën arbëreshe të Molizes por edhe në tërë Italinë.

* * * * *

Diplomatët shqiptarë morën pjesë në një sërë veprimtarish kulturore të organizuara në fshatrat e ndryshëm arbëresh të Molizes. Pas vendosjes së bustit, në Munxhufuni u zhvillua një paradë me rreth 500 figurantë me kostume historike të epokës së heroit tonë kombëtar. Sfilata, e shoqëruar nga koreografi me flamuj, tambure, tromba, u ndal në një arenë të hapur verore për tu transformuar në një spektakël mbi jetën e Skënderbeut që nga fëmijëria deri në vdekjen e tij e më pas eksodin e arbëreshëve drejt trojeve italiane.

Spektakli, tashmë në edicionin e tij të XV organizohej nga shoqata kulturore e Munxhufunit, “Equites Sancti Millenni” me pjesëmarrës nga fshatrat Munxhufuni, Sant’Elia a Pianisi, San Martino in Pensilis, Colletorto, Provvidenti, Ururi, Monte Castello, Maschito, Corinaldo, Campomarino.

Drejtuesit e grupeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet u përshëndeten me Ambasadorin e Shqipërise në Romë, Prof. Neritan Ceka, Princin Giorgio Maria Castriota Scanderberg dhe diplomaten e Ambasadës se Shqipërisë në Londër, pjesmarrëse në këto aktivitete, znj. Xhoana Papakostandini.

Pas historisë së heroit tonë kombëtar, spektakli vazhdoi me tamburet e ritmet mesjetare të fshatit arbëresh Maschito ne krahinen e Basilikatës. Paraqitja e grupit nga Maschito u bë e tëra në gjuhën arbëreshe dhe ngjalli emocione të forta tek publiku.

* * * * *

Me datën 3 gusht 2013, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Campomarino-s, Gianfranco Cammilleri, diplomatët shqiptarë morën pjesë në përurimin e ekspozitës së piktorit Ibrahim Kodra. Ekspozita ishte hapur nën kujdesin e piktores arbëreshe dhe mikes së artistit, Liliana Corfiati. Ajo kishte në koleksionin e saj rreth 20 punime origjinale të Kodrës, të dhuruara asaj nga vetë autori. Ato iu bënë të njohura publikut në mjediset e Pallatit historik “Norante” në Campomarino.

“Dashuria për Shqipërinë ishte kudo në veprën e tij” – shprehet Liliana. “Bukuria e një pikture nuk qëndron në atë çfarë ajo paraqet, por në ndjenjën që ajo mbart dhe përçon”. Ky ishte mesazhi i Kodrës.

Corfiati eshte autore e dhjetra pikturave murale në Campomarino, Ururi, Portocannone, Montecilfone, të cilat paraqesin momente të jetës arbëreshe në Itali, eksodin e tyre, personazhe historike, biblike dhe mitologjike si dhe afreska dekorative.

* * * * *

Në qytezën e Ururi-t, diplomatët shqipëtarë u pritën nga Kryetari i Bashkisë, Luigi Plescia, këshilli bashkiak, komuniteti arbëresh, dhe familje shqiptare që jetojnë në këtë komunitet që prej viteve’90. Në mbyllje të mbrëmjes në sheshin kryesor të qytezës u dha shfaqja teatrale në gjuhën arbëreshe “Tjetri Shekull”, me autor Guido Tartaglione. Aktorët arbëresh sollën mjeshtërisht në skenë dialogje ironike të cilat sillnin figurativisht jetën e përtejme mes personazhesh të ndryshme dhe një jurije fantazmagorike shenjtorësh që vlerësonin mëkatet e tyre në Ditën e Gjykimit. Shfaqja u ndoq me interes nga qindra arbëresh që duartrokisnin me emocion dialogjet e bukura në gjuhën arbëreshe. Ky ishte edhe një moment tjetër që dëshmonte ruajtjen e gjuhës dhe traditës arbëreshe.

* * * * *

Manifestimi përmbyllës i kësaj veprimtarie u zhvillua në qytezën e Montecilfone-s, ku ambasadorët Ceka dhe Berisha u pritën nga Kryetari i Komunës, Franco Pallotta, si dhe komuniteti vendas. Përveç përshëndetjes institucionale dhe falënderimeve, Ambasadori Ceka dhuroi disa libra të kulturës shqiptare për të pasuruar bibliotekën komunale, ndër të cilat Albumin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ndërsa ambasadori Mal Berisha i dhuroi bibliotekës së bashkisë Munxhufuni disa libra të tij ku përshkruhet edhe jeta arbëreshe e parë nga autorë dhe udhëtarë të huaj. Po ashtu, ai i dhuroi Kryetarit të Komunës z Franko Pallota një statujë të vogel në metal, të Nënë Terezës, një tjetër emër i madh botës shqiptare. Busti ishte dhuratë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha.

zani

Mal Berisha dhe Atleti i Krishtit